Pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019 u shpallën 33 zona që do të zhvillohet procesi i rindërtimit.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se në total nga shteti në të gjithë vendin po ndërtohen 800 mijë metra katror apartamente. Në Tiranë kanë përfunduar 70% të punimeve për zonën zhvillimore në lagjen “5 maji”. Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj gjatë inspektimeve të punimeve te “5 Maji” deklaroi se ato pritet të përfundojnë në maj të 2022. Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës hapi garën për projektimin e zonës të rindërtimit në Kombinat me vlerë 24 mln lekë. Në total në Tiranë janë 2 zona zhvillimore për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti.
“Janë gati 800 mijë metra katror apartamente që po ndërtohen me procesin e rindërtimit. Të gjitha janë kantiere shtetërore, pa përfshirë ato të privatit. Janë 167 shkolla që po rindërtohen, përveç infrastrukturës që ka nevojë në vazhdim për fuqi punëtore.
Zona e “5 majit” është një nga sitet shembull të rindërtimit. Jemi në një fazë të avancuar punimesh dhe besoj se në muajt maj-qershor të vitit tjetër Bashkia e Tiranës do të fillojë me strehimin e familjeve në nevojë. Pastaj do të vazhdojë me alokimin, ndoshta me short, për apartamentet 1+1, 2+1 dhe 3+1 për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti.
Në fund të muajit gusht do të kemi të gjithë familjarët brenda në shtëpitë e reja që po ndërtohen nga qeveria turke dhe qeveria shqiptare. Procesi i rindërtimit përveçse është kthyer në një proces social dhe ekonomik, por edhe në simbol se si menaxhohet ky proces me shpejtësi, transparencë dhe vëmendje”, tha Ahmetaj.
Në Durrës një nga zonat më të prekura nga tërmeti, parashikohet të nisën së shpejti punimet për ngritjen e godinave 9-katëshe në zonën e Shkozetit dhe lagjen 17 . Aktualisht vijojnë punimet për ndërtimin e 9 pallate për 224 familje.
Në Durrës parashikohet ngritje edhe e 2 mijë apartamenteve të reja në zonën e Spitallës me fondin me vlerë 70 mln dollarë që financohet nga Abu Dabi. Sipas Ministrisë së Rindërtimit në këtë zonë është ngritur kantieri i ndërtimit dhe shumë shpejt pritet nisja e themeleve të apartamenteve. Fondi Shqiptar i zhvillimit është përcaktuar njësia zbatuese për ndërtimin e infrastrukturës së brendshme të zonës së re dhe të rrugëve lidhëse me qendrën e Durrësit.
Në total në vend u shembën 115 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate.
Për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti u zbatua edhe programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit që parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në 11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit aplikuan online 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.