Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë vizitës së sotme në Rafinerinë e naftës në Ballsh, ka sqaruar se çfarë transaksioni ka ndodhur mes kompanisë, që ishtë praktikisht e falimentuar dhe e zhytur në borxhe dhe Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC), që ka marrë së fundmi në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO.
“Dua ta kuptoni ju dhe ta kuptojnë qytetarët që dhënia me qira nuk është bërë nga ne. Ky aset, kjo rafineri që shikoni, ka qenë, për shkak të atij privatizimi korruptiv, me taksa të papaguara, me furnitorë të papaguar, me punëtorë rrugëve dhe e morën në dorë bankat. Pra, Bankat e morën këtë aset në dorë për shkak të dështimit të asaj qeverie që i gënjeu të gjithë këta punëtorë këtu dhe kompania amerikane, pra investitori, e ka blerë nga bankat dhe ky aset, pra rafineria, është konceptuar si një operacion me vetë, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive. Pronari i ri i rafinerisë është grupi amerikan, pra investitori”, ka deklaruar ai për mediat.
Dje, prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, bëri publik lajmin për rivënien në punë të ARMO-s, pasi në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto të IRTC. Ionian Refining dhe Trading Co, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin. (Një kompani offshore nga ishujt britanikë Virgin merr aktivitetin e ARMO)
Ahmetaj: Lajm pozitiv
”Për mua dhe për qeverinë është një lajm shume i mire për ekonominë shqiptare.
Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës sidomos ju që e mbani mend mire atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rendoi mbi të gjitha ne kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati-gati ne skllevër të papune për disa vite.
Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falënderoj që bene të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin ne pune të 1200 punëtoreve. 1200 qytetare shqiptare të cilët çdo mëngjes këto vite, nuk kishin pune për shkak të një privatizimi korruptiv dhe kriminal që e katandisi industrinë e naftës ne këtë gjendje që është.
Ju premtuam që do ta riaktivizonim industrinë e naftës, ky është fakt. Kryeministri ju premtoi që kjo rafineri do të punonte me çdo kusht që t’ju rikthente në pune dhe për të furnizuar ekonominë shqiptare dhe industrinë e naftës dhe ja ku është fakt. Sigurisht që nuk e beri qeveria, por, qeveria mbështeti investitorë serioze amerikane për të bere të mundur këtë investim gjigand. Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë ne rinovimin e rafinerisë dhe me pas të lidhura edhe me fushat e gazit me TransAtlantik që shkojnë ne gati edhe 100 milionë dollarë të tjera që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers sepse kërkohet furnizim ne sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri.
E theksoj që unë jam i bindur që dita e sotme është një ditë për familjet tuaja, është një ditë e mire për ekonominë shqiptare dhe ne fakt i kthen një përgjigje të denje kukuvajkave të Shqupi-it që gëzimin me të madh kane kur ju vuani. Gëzimin me të madh ka qenë kur ju keni qenë pa pune dhe keni qenë pa pune për shkak të tyre dhe sot kane dale dhe bëjnë këngën e përditshme të kukuvajkës sepse ju po ktheheni ne pune.
Dua të mos e harroni asnjë ditë se janë gëzuar me mjerimin tuaj dhe sot janë trishtuar që ju jeni kthyer ne pune dhe që ekonomia shqiptare po sheh një vepër të rivënë ne pune nga investitorë serioze si kjo kompani që është sot me ju.
Unë dua t’i falënderoj për këtë investim kurajoz dhe patjetër edhe Bankers për bashkëpunimin sepse ne finale është një marrëveshje serioze privatësh dhe patjetër edhe TransAtlantik sepse është pjese, edhe pse jo e drejtpërdrejtë, por ne mbështetje të këtij operacioni shume të madh.
Nga informacioni që morëm, 200 punëtore kane filluar tashme punën ndërsa brenda dy javëve të ardhshme do jene riaktivizuar edhe 1000 të tjerët, pra ne kapacitet të plota. Ndërkohe ne 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës që është një lajm shume i mire dhe sigurisht që me investimet, do shohim edhe zgjerime të operacioneve”, tha Ahmetaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Eshte nje lajm shume i keq. Uzina nuk ka asnje parameter per produkte cilesore. Me siguri do te sjelle ulje te metejshme te cilesise se karburanteve ne treg.