Analiza kritike e ish-ministrit të Financave për ekonominë 2019-eksporti është ngadalësuar, bankat e huaja ulen kreditimin dhe pse kriptomonedhat mund të kthehen në një mallkim për ekonomi si e jona
Në të njëjtën ditë që diskutonte buxhetin faktik me Kontrollin e Lartë të Shtetit ish ministri i Financave ka bërë një analizë të ekonomisë dhe risqeve të saj në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë ku ka kundërshtuar dyshimet për skenarin grek për Shqipërinë.
Siç raportoi Monitor, KLSH relatonte se “në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”. https://www.monitor.al/shkaterrimi-i-buxhetit-klsh-zbulon-fshehjen-e-treguesve-reale-te-borxhit-e-deficitit-rrezikohet-aftesia-paguese/
Në konstatimet e publikuara nga Monitor rezultoi se financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrijnë në 75 miliardë lekë, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare. Fshehja e shpenzimeve, një skenar i ngjashëm me Greqinë e cila kishte manipuluar të dhënat për shpenzimet, të ardhurat dhe borxhin te Bashkimi Evropian, FMN e BB. Nga raporti KLSH rezuloi se janë shtuar rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, teksa rritja ekonomike është përgjysmuar tashmë dhe PPP-të janë një tjetër rrezik për buxhetin.
Por ish-ministri i Financave tashmë kreu Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tregon “sesi Shqipëria e kishte kapërcyer rrezikun e një skenari grek për ekonominë dhe përmes një pune shumë të kujdesshme në favor të konsolidimit fiskal, që edhe ishte shtruar rruga për një rritje ekonomike të qëndrueshme në nivelet 4%, të nxitur nga konsumi dhe investimet, dhe të shoqëruar me një rritje serioze të punësimit”.
Duke ju referuar vitit të kaluar Ahmetaj thotë se “atëherë diskutonim edhe sesi, për një ekonomi si jona por jo vetëm, edhe si e të gjithë rajonit, vija ndarëse mes suksesit dhe dështimit mbetet akoma tejet e brishtë dhe gjithnjë kërcënuese pa garancitë e vazhdimit të reformave”.
Por megjithëse thotë se Shqipëria e ka kaluar rrezikun e skenarit grek, Ahmetaj jo pa qëllim vëren se risqet janë shtuar krahasuar me një vit më parë kur ai drejtonte financat dhe ekonominë e vendit. “Sot mund të kemi një tjetër reflektim një vit më pas, por në këndvështrimin tim sfidat janë po ato dhe sërish në këndvështrimin tim, sfidat janë akoma më afër kërcënimit”.
Ahmetaj vijon me atë që e quan “provokim të dytë, praktikisht produktiviteti i faktorëve në Shqipëri është akoma më i ulëti në rajon. A është kjo arsyeja pse eksporti është ngadalësuar këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar apo edhe vitet e fundit, ku po t’i referohemi që nga 2014 praktikisht eksporti kërceu edhe me dy shifra? “
Duke folur për borxhin Ahmetaj thotë se “Kryeministri ka pasur dhe ka presion, unë kam pasur presion, ministrja sot besoj sërish ka presion për të rritur borxhin, por ulja e borxhit do duhet të rikthehet domosdoshmëri dhe e kam thënë edhe më herët në aktivitete publike, jo vetëm domosdoshmëri, por edhe objektiv patriotik”.
Ahmetaj e shikon patriotizmin edhe te bankat. “Është interesante të shohësh që bankat me kapital shqiptar e kanë rritur kreditimin në masë të konsiderueshme. Bankat me kapital të huaj, e kanë marrë “me nge”. Pyetje e kam, mos u përgjigjni sot se nuk besoj është ky auditori, por bankat me kapital shqiptar janë më pak të ndërgjegjshme për riskun? Bankat me kapital të huaj, janë më të sofistikuara në përllogaritjen e riskut në Shqipëri? Pyete e kam, nuk e di, thjesht po ju them shifra.
Ishi-ministri kishte gjithashtu një provokim sa i përket crypto currencies, kur thotë se “ka ardhur besoj momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjbërësit të mendojnë seriozisht sepse crypto currencies sa mund të jenë një bekim, mund të kthehen edhe në një mallkim, sidomos për ekonomi dhe sisteme si tonat. Besoj që duhet futur në axhendën e diskutimit mes jush, qeverisë dhe ligjvënësit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Bankat shqiptare e “njohin me mire klientin” z. Ahmetaj