Ahmetaj: S’ka më ndryshime tatimore. Doganat, hapur 24 orë

15/04/2016 9:08 AM 0 komente

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi se, paketa e re fiskale që do t’i paraqitet qeverisë nuk do të parashikojë asnjë ndryshim në nivelin e taksave, por vetëm thjeshtëzim të procedurave tatimore e doganore.

“Madje edhe akcizën që kemi parashikuar në ligj nuk do ta ndryshojmë, pra do të kemi ngrirje të akcizës në nivelin aktual. Të vetmet ndryshimet fiskale do të jenë lehtësimi i procedurave”, tha Arben Ahmetaj, ministër i Financave.

Ministri ftoi ekspertët të bëjnë sugjerime sa i takon procedurave, që pengojnë klimën e biznesit dhe sipërmarrjen në vend. Lehtësim të mëtejshëm Ahmetaj kërkoi dhe nga administrata doganore e portit kryesor në vend për ekportuesit, kryesisht të prodhimeve bujqësore.

“Dua që në procedurë të jemi shumë të shpejtë, shumë modestë, të punojmë 24 orë për eksportuesit. Përsa i përket pikave të grumbullimit të cilat eksportojnë, të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ta, informuese, ku Dogana do të bëjë procedurën ndoshta një ditë më parë në pikat e grumbullimit, apo të garantojë që eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore të mos rrijnë pothuajse fare në doganë”, tha më tej Arben Ahmetaj, ministër i Financave.

/ Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of