Bashkitë do të menaxhojnë të ardhurat e tyre nga mbledhja e detyrimeve tek subjektet dhe biznesi. Por, me ligjin e ri të vetëfinancimit, pushteti vendor ka të drejtë të vendosë taksa të përkohshme, në një afat deri në 3 vjet. Ministri i Financave tha se edhe në këtë rast, duhet të saktësohet destinimi i fondeve.
Drafti i vetëfinancimit të qeverisjes vendore, i cili u miratua në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, parashikon të drejtën e bashkisë për vendosjen vetëm të dy taksave të përkohshme jo më shumë se 3 vjet.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi pas mbledhjes së komisionit se nuk i lejon bashkitë të bëjnë abuzime me rritjen e taksave.
Ahmetaj: Do të kenë të drejtë të vendosin taksa të përkohshme. Në definicionet e taksës së përkohshme deri në tre vjet jemi brenda parashikimit të përkohshëm.
Edhe në këtë rast, rritja bëhet deri në 35% mbi referencën e taksës aktuale.
Ahmetaj: Është marrë referencë standarde ngarkesa e tatimit mbi pronën dhe është lejuar deri në 35% më shumë sesa ai nivel standard i referuar në ligj.
Për herë të parë, qeveria vendos me ligj minimumin e transfertës së pakushtëzuar për qeverisjen vendore që është 1% e GDP.
Ahmetaj: Qeveria qendrore nuk do mund kurrë dot të japë më pak se 1% të PPB.
Drafti vjen si një punë 2-vjeçare konsultimesh me ekspertë dhe grupet e interesit, dhe ndalon bashkitë të lënë detyrime të prapambetura.
/Oranews.tv/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.