Komiteti i Investimeve Strategjike i dha projektit statusin e investimit strategjik më 2 dhjetor të vitit të shkuar, duke i mundësuar kalimin e hallkave burokratike kompanisë aplikuese Symphony invest Limited, në mënyrë të përshpejtuar.
Sipas dosjes së depozituar pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), projekti përmbushte kriteret që përcakton ligji.
Në një përgjigje të AIDA-s për “Monitor”, lidhur me projektin jepen edhe disa detaje për projektin, numrin e të punësuarve, si dhe bashkëpjesëmarrjen e shtetit në investim.
“Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), me Vendimin nr.14/6 datë 2.12.2021, ka vendosur “Miratimin e Statusit ‘Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë’ për projektin e investimit ‘Marina & Jahtet e Durrësit’ (Durrës Yachts & Marina)”, si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin, të kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e një marrëveshje mbi formën e bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
“Projekti i investimit është propozuar nga subjekti aplikues në formën e bashkëpjesëmarrjes shtetërore në investim, sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e investimeve Strategjike (FPPMIS)”.
Duke qenë se forma e propozuar e projektit të investimit kërkon pjesëmarrjen shtetërore në këtë investim strategjik, sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e investimeve Strategjike (FPPMIS)”, ky projekt investimi miratohet me kushtin e zhvillimit dhe finalizimit të disa proceseve vlerësuese nga institucionet e përfshira dhe disa procese vendimmarrje në KIS dhe në organe të tjera vendimmarrëse, nëse palët bien dakord dhe finalizojnë një marrëveshje të vlefshme bashkëpunimi
Sa u përket të dhënave të tjera, ju bëjmë të ditur se KIS ka vlerësuar se:
– Projekti i investimit propozohet të realizohet nga subjekti aplikues “Symphony Real Estate Development sh.p.k” dhe ortak të vetëm subjektin “Symphony invest Limited” dhe garantues financiar subjektin NSHMI DEVELOPMENT L.L.C, Dubai, EBA;
– Projekti i investimit propozohet nga subjekti aplikues në formën e bashkëpjesëmarrjes shtetërore në investim, sipas parashikimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit;
– Vlera e investimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina) plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 2 (dy) miliardë Euro;
– Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Gjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 12000 (dymbëdhjetë mijë) persona;
– Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me port turistik dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë dhe shërbime në funksion të tyre. Projekti i investimit synohet të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej afërsisht 79 ha, në zonën e Portit të Durrës;
– Projekti i investimit do të ndahet në Faza 1 dhe Faza 2, ku Faza 1 përfshin zhvillimin e një zone prej 24.23 ha. Deri në krijimin e infrastrukturës së nevojshme procedurale dhe fizike për realizimin e këtij investimi, projekti fillon me Zhvillimin Pilot, fazë e cila nënkupton fillimin e punimeve në një zonë të përcaktuar pilot” thuhet në përgjigjen e AIDA-s.
Financat: Si po bëhet kalimi i pronave në fondin për investimet strategjike
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në administrim fondin për investimet. Por si funksionon ky fond?
“Fondi i pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, krijohet, rast pas rasti, në zbatim të secilit vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, që vjen për zbatim dhe parashikon si masë mbështetëse konsolidimin e pronës.
Procesi i transferimit të pronës nga pronari tek investitori strategjik, bëhet nëpërmjet VKM-së përkatëse dhe përfundon me shënimin në kartelën e pasurisë “për llogari të fondit për mbështetjen e investimit strategjik” – sqarojnë Financat për “Monitor”.
Kalimi gjithsesi ndjek një procedurë që duhet të zbatohet nga institucione të tjera, ku rol kyç ka Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
“Prona identifikohet nëpërmjet ASHK-se se cilit institucioni apo shoqërie aksionere i përket në pronësi apo përgjegjësi administrimi dhe këta të fundit bëjnë gati dokumentacionin e pronës (Titull pronësie, certifikate, kartelë pasurie dhe Hartë Treguese) dhe e përcjellin në MFE, e cila propozon projektvendimin në Këshillin e Ministrave për transferimin në fond (shënimin në kartelë të pasurisë).
E gjithë procedura e transferimit në fond bëhet bazuar në Nenin 27 të ligjit nr.55/2015 ‘Për investimet strategjike’” thuhet në përgjigjen e Financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.