AIDA: Sektorët që mund të tërheqin investime pas Covid-19

04/08/2020 10:00 AM 0 komente

Pandemia tregoi se duhet një qasje tjetër në mënyrën e të bërit biznes në mbarë globin. Kjo qasje po orientohet gjithnjë edhe më shumë drejt potencialeve specifike që ka çdo vend.

Në këtë kuadër, edhe përzgjedhja e Shqipërisë për investime të huaja kalon nëpërmjet ofertës që vendi ynë ka për investitorët. Po cilët janë ata sektorë që mund të tërheqin investime dhe që mund të përshtaten lehtë në periudhën post covid?

Mileva Meksi, drejtoreshë e investimeve në Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në një intervistë për “Monitor” ka folur për sektorët që kanë më shumë interes për investime, ku një ndër më kryesorët ajo përmend agroindustrinë.

“Ne i kemi të gjithë kapacitetet për të organizuar tregun prodhues vendas, për të menaxhuar më mirë produktin që vjen nga fermeri, në terma të prodhimit primar, të kultivimit të produktit bujqësor, por edhe atij shtazor, pra mbarështimin e produktit shtazor duke i dorëzuar në ato që quhen kooperativa apo qendra të grumbullimit, të cilat më vonë do të bëjnë paketimin, etiketimin dhe shpërndarjen masive të këtyre produkteve.

Kjo jep një mundësi, jo vetëm për të krijuar produktin vendas dhe për ta marketuar atë më së miri, por nesër e pasnesër jep edhe mundësinë për t’u standardizuar, për të marrë certifikimin e duhur dhe për të bërë eksport jashtë vendit. Pra, nëse sot diskutimi është se ku duhet të përqendrohet qeveria shqiptare, si duhet ta rimodelojë ekonominë vendase dhe si duhet të përcaktojë prioritetet në terma sektoriale, ajo që ne shohim nga puna jonë e përditshme, është që agropërpunimi në qendrat e grumbullimit është një prioritet dhe ne i kemi të gjitha kapacitetet për ta bërë”, pohon ajo.

Një tjetër sektor me interes është industria automotive.

“Kjo industri po shihet si një mënyrë për të thithur investitorë të huaj që gjenerojnë vende pune dhe që krijojnë një industri prodhimi dhe trajnojnë kapacitetet njerëzore që nesër pasnesër do të jenë të aftë për të mirëpritur të tjerë dhe të tjerë segmente të kësaj industrie”.

Tjetër sektor me interes dhe që është kualifikuar si sektor që nuk do të prekej nga kriza e pandemisë, është energjia e rinovueshme dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore. “Në këtë këndvështrim nëse shohim edhe të dhënat nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të mëparshmin e vitit 2019, shikojmë që në stok kemi një rënie prej 3%, një rënie gjithsesi e pritshme”.

Meksi shton se vazhdojnë të jenë energjia, miniera dhe shfrytëzimi i burimeve minerare ato që kryesojnë stokun e investimeve dhe ky stok nënkupton riinvestime në vend.”

Megjithatë, për të thithur investime të huaja, dhe jo vetëm, Shqipëria ka nevojë urgjente për kualifikim të fuqisë punëtore.

“E njohim shumë mirë problemin e mundësive, së pari për të rekrutuar forcë punëtore dhe më pas për të qenë të trajnuar dhe të kualifikuar. Kështu që, në këtë kuptim, mendoj që sot më shumë se kurrë, ne të kemi prioritetet tona për të nxjerrë në treg produkte apo shërbime që janë “made in Albania”, për të nxitur këta lloj sektorësh tek të cilët ne kemi mundësi për të ofruar shumë.

Nëse krijojmë një kornizë të qartë për prioritetet që ne kemi në dy apo tre sektorë, ne do jemi mjaftueshëm konkurrues edhe në kuptimin rajonal. Në qoftë së deri dje gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ne i shihnim si konkurrent, sot është momenti që më shumë se kurrë t’i shohim si komplementar të segmenteve të ndryshëm të një industrie të caktuar”, pohon drejtoresha e Investimeve të AIDA.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of