Autoriteti i Konkurrencës (AK) i kërkon ERE-s të zgjidhë përfundimisht çështjen e klientëve të lidhur në tensionin e mesëm dhe që faturohen në tensionin e ulët. Më vendimin e datës 3 dhjetor 2015, AK i rekomandon Enti Rregullator të Energjisë: Zgjidhjen përfundimtare për klientët e lidhur në tension të mesëm duke miratuar një tarifë të posaçme sipas kategorisë se klientëve, me qëllim vendosjen në kushte jo diskriminuese dhe të njëjta konkurrence; vlerësimin e tarifës së zbatuar nga OSHEE nëse përbën një tarifë mbi tarifat e miratuara dhe kompensimin përkatës të klientëve në zbatim të parashikimeve ligjore në fuqi. E thirrur në seancë dëgjimore nga AK, OSHEE sqaroi se aplikimin e tarifës për tension i ulët (TU) e bazon ndër të tjera në shkresën e ERE-së nr. 508, datë 14 korrik 2015.
Sipas këtij udhëzimi, “Në lidhje me grupin e konsumatorëve të cilët janë të lidhur në kabina, nga të cilët furnizohen edhe klientë të tjerë, që kanë konsum të ulët dhe që nuk kanë mundësi të spostojnë sistemin e matjes, sepse nuk plotësojnë kushtet teknike, të vazhdohet të faturohen me çmimin e TU”. Çështja u hap nga AK pas ankesës së një biznesi, në transformatorin e të cilit marrin energji edhe dy klientë të tjerë. Edhe ERE i referohet të njëjtës shkresë. ERE pretendon se operatori OSHEE duhet të bëjë faturimet sipas tensionit të mesëm, dhe më pas të kompensohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse.
Gjithashtu, ERE ka deklaruar në seancën dëgjimore se “këto probleme do të gjejnë zgjidhje me zbatimin e ligjit të ri “Për sektorin e energjisë” dhe modelit të ri të tregut, i cili parashikon që një “furnizues universal” dhe faturimet do të kryhen në bazë të tensionit real të konsumuar. Ndërsa OSHEE pretendon se në rast se biznesi do të faturohet me tarifat e TU duhet të kryejë investimet përkatëse për të transferuar pikën e matjes.
/ Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.