Teksa deri në 5 mars investitorët e interesuar për dy fusha gazi atë të Povelccës dhe Frakullës mund të dorëzonin ofertat, ka ardhur ftesa e radhës e qeverisë.
Këtë herë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) njoftoi se dy blloqe kërkimi nafte ai B dhe ai E janë të lirë për oferta potenciale. Në një njoftim të AKBN dhe Ministrisë së Infrastrukturs dhe Energjisë nënvizohet se kompanitë mund të dorezojnë oferta deri në datën 22 prill.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria nxjerr blloqe naftë të lira por çmimet e ulëta në bursa në disa raste dhe pandemia në këtë vit të fundit e kanë bërë të vakët interesin e kompanive për investim jo vetëm në Shqipëri por globalisht.
Blloku B që është nxjerrë për shprehje interesi nga AKBN më herët ka qenë pjesë e një marrëveshje të shtetit shqiptar me disa kompani. Fillimisht me SHELL por që pas disa problematikave që u shfaqën kompania hoqi dorë dhe Blloku i kaloi më pas Petromanas. Edhe kjo e fundit u largua në vitin 2017 nga Shqipëria. Tashmë Blloku B është i lirë për kërkim. Ai ndodhet në zonën e Rodonit në pjesën perëndimore të vendit dhe ka një një sipërfaqe prej 776 km2.
Blloku E nga ana tjetër Blloku E ndodhet në pjesën qendrore të vendit dhe mbulon një sipërfaqe prej 700 km2.
Vetëm pak kohë më parë u ndryshua legjilacioni lidhur me përfitimet që shteti merr nga marrëveshjet që lidh me kompanitë që shfrytëzojnë naftën në vend duke kërkuar që të përfitohet që në fuçinë e parë që nxirret. Marrëveshja e fundit e lidhur me një kompani të huaj për shfrytëzimin e një Blloku nafte është ajo me italianen ENI ku u nënshkua për kërkim dhe shfrytëzim të bllokut të Dumresë.
Shqipëria tentoi për disa vite me radhë të ndiqte një politikë me dyer të hapura për investitorët lidhur me blloqet e naftës, por interesi ka qenë i ulët dhe duket se kjo e ka rikthyer edhe një herë në praktikën e shpalljes së Blloqeve specifikë për garë./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.