Projektligji “Për akcizat” ka mbetur i bllokuar në Parlament, për shkak të disa mospërputhjeve me direktivat e BE-së, por sakaq, biznesi dhe shoqatat e ndryshme që e përfaqësojnë, po fitojnë kohë, me shpresën se propozimet për disa ndryshime do të gjejnë terrenin e duhur të aprovimit nga Ministria e Financave.
Të pyetur nga “Monitor”, shoqata të ndryshme shprehen se projekti do të diskutohet sërish me grupet e interesit në Këshillin Konsultativ të Biznesit, organizëm pranë Ministrisë së Ekonomisë. Nga Financat, ky fakt nuk konfirmohet zyrtarisht, duke lënë të nënkuptuar se kërkesa për rishikim është më shumë vullnet i biznesit, se sa vendim i marrë nga qeveria.
Megjithatë, me kalimin e kohës, për privatin në vend, situata e transferimit të gjendjes së magazinave dhe deklarimit të mallit, nga tatimet, te doganat, bëhet më e komplikuar. Në ligj thuhet se zbatimi i praktikës së re do të nisë brenda datës 1 korrik 2012, dhe deri atëherë, biznesit i mbetet shumë punë të bërë dhe pak kohë në dispozicion (kur ligji nuk ka kaluar ende në Parlament).
Numrin e kaluar, revista trajtoi rastet e hapjes dhe marrjes së autorizimit për magazinat doganore, të personit të certifikuar etj., deri te masa e rimbursimit dhe forma e deklarimit. Projekti përmban rreth 160 nene dhe mbi 10 kapituj dhe trajton shumë raste të tjera, të cilat paraqesin interes, duke nisur nga transferimi i deklaratave dhe praktikave, sipas afateve, nga tatimet (të cilat kontrollonin tregun e brendshëm), te doganat, që marrin kontrollin e plotë te prodhuesit dhe importuesit; te forma e garancisë bankare (tepër e debatuar, bastisja e zyrave për të konfiskuar materialet e deri te pagesat për punonjësit e doganës, në rast se biznesi i kërkon t’i ketë në dispozicion jashtë orarit zyrtar të punës.
Transferimi i praktikave te dogana
Neni 158 i dispozitës për zbatimin e ligjit “Për akcizat”, specifikon procedurën që duhet të ndjekë biznesi sa i takon modaliteteve të mbylljes së regjimit si tatimpagues akcize. Tatimpaguesit e akcizës, në zbatim të ligjit të ri, i cili nis funksionet më 1 korrik 2012, duhet të kenë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) inventarin e produkteve të akcizës dhe lëndëve të para gjendje, deri më datë 30 qershor 2012. Një kopje e këtij inventari duhet të dorëzohet në adresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Pas kësaj, autoritetet tatimore, në bashkëpunim me ato doganore, sipas një programi pune, duhet të realizojnë brenda datës 30 qershor kontrolle, sipas metodologjisë së analizës së riskut në magazinat tatimore të regjistruara pranë DPT. Rezultatet e kontrolleve i përcillen të dy autoriteteve bashkëvepruese. Ky mund të konsiderohet risku i parë për biznesin, i cili duhet të bëjë kujdes me deklarimin e gjendjes në magazinë, pasi gjobat arrijnë në 5-fishin e vlerës së mallit. Për magazinat tatimore që shërbejnë për stokimin e produkteve të gatshme të akcizës gjendja e inventarit të datës 30 qershor 2012 në këto magazina regjistrohet si hyrje në magazinat fiskale të bëra funksionale për të njëjtët operatorë, më datë 1 korrik, nëpërmjet dokumentit DSHA si hyrje në kontabilitetin e stokut të magazinës fiskalë të stokimit.
Për magazinat tatimore që shërbejnë për prodhimin/përpunimin e produkteve të akcizës, gjendja e inventarit të lëndëve të para të datës 30 qershor 2012 në këto magazina regjistrohet si hyrje në magazinat fiskale të bëra funksionale për të njëjtët operatorë më datë 1 korrik 2012, nëpërmjet dokumentit DSHA si hyrje në kontabilitetin e stokut të magazinës fiskale të stokimit. Gjenda e inventarit të produkteve gjysmë të gatshme në proces prodhimi dhe produkteve të gatshme ruhet në tri kopje. Një kopje administrohet nga operatori, një kopje për autoritetin doganor dhe një kopje për autoritetin tatimor. Është detyrimi i operatorit që, në momentin e daljes së të gjitha produkteve nëpërmjet dokumenteve DSHA, të njoftojë zyrtarisht autoritetin doganor.
Mallrat
Pagesat e detyrimeve për produktet e dala për konsum para datës 1 korrik 2012 bëhen pranë autoritetit përkatës tatimor. Të gjitha deklarimet dalëse nga regjimet pezulluese nga data 1 korrik e në vazhdim do të bëhen vetëm duke zbatuar ligjin e ri
Afatet për zbatimin e procedurave të reja
Operatorëve të akcizës u lind detyrimi të informohen për procedurat e regjistrimit dhe autorizimit të aktivitetit të tyre pranë autoriteteve doganore. Para datës së hyrjes në fuqi të ligjit, biznesi i akcizës (depozituesit e miratuar, pritësit e regjistruar, dërguesit e regjistruar, përfaqësuesit fiskalë, transportuesit) duhet të kenë plotësuar të gjitha kërkesat e procedurave të reja dhe të këtij vendimi, dhe të jenë pajisur me kodin specifik të akcizës dhe autorizimet e magazinës fiskale. Ky kusht konsiderohet nga bizneset jo i lehtë për t’u përmbajtur, pasi kur jemi në mesin e muajit maj dhe ligji nuk është miratuar, nuk mund të thuhet me ekzaktësi se çfarë ndryshimesh do të sjellin diskutimet e ardhshme në Parlament, apo mes grupeve të interesit.
Përfituesit e përjashtimeve dhe rimbursimeve me qëllim përfitimi të këtyre të drejtave, me hyrjen e ligjit në fuqi, duhet të kenë të përmbushura kushtet e përcaktuara në këtë vendim.
Gjatë procesit të autorizimit për magazinë fiskale, duhen plotësuar paraprakisht detyrimet në lidhje me kalibrimin e depozitave, rezervuarëve, mjeteve matëse, vendosja e matësve të certifikuar, krijimi i mundësive të plumbosjes dhe të mbikëqyrjes në rastet specifike.
Në vendim thuhet se, administrata doganore duhet të sigurojë aksesin në sistemin kompjuterik dhe trajnimin e nevojshëm për të gjithë operatorët e regjistruar para hyrjes në fuqi të ligjit.
Është pak të thuash se koha e vendosur në dispozicion është e pamjaftueshme, kur pas miratimit të ligjit, biznesi duhet të presë udhëzimin për përcaktimin sa më të saktë të përmbushjes së detyrimeve. Ashtu si për kriteret e përmendura më lart, për gjendjen në magazinë, ashtu dhe për të tjerat, afati deri në qershor, apo përgatitja për të qenë gati brenda datës 1 korrik, e bën të vështirë zbatimin.
Biznesi paguan punën
jashtë orarit të doganierit
Doganierët kanë orarin zyrtar të punës, por në rast se një subjekt ka interes për shërbimin jashtë orarit, duhet të ketë parasysh faktin se “puna ekstra, duhet paguar”.
Në ligj thuhet se, në rastet kur me kërkesë të depozituesit të miratuar ose pritësit ose dërguesit të regjistruar autoriteteve doganore, për nevoja të tregtisë dhe me qëllim që të sigurohet zbatimi i ligjit, u kërkohet prania e tyre në vende dhe orare jashtë orarit zyrtar ose pranë objekteve të tjera nga ato doganore, shpenzimet i ngarkohen kërkuesit të këtij shërbimi, pra biznesit.
Tarifa apo shpenzimet e kryera, duke llogaritur shpenzimet e transportit, kohën e punës së harxhuar jashtë orarit dhe vështirësinë e shërbimit të kryer, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Pra, “haku i punës” do të përcaktohet nga ministri dhe do të afishohet në çdo degë dogane nëpër rrethe.
Biznesi paguan edhe për rastet kur kërkohet ekzaminimi ose marrja e mostrave për qëllime verifikimi ose shkatërrimi, apo kur kërkon shërbime specifike dhe që autoritetet doganore të marrin masa të jashtëzakonshme për kontroll.
Kur dyshon, konfiskon pajisjet elektronike dhe çdo dokumentacion
Dogana bastis zyrat për kontroll!
Sekuestrimi i skedarëve kompjuterikë, regjistrave, dokumentacioni tjetër i nevojshëm tregtar apo fiskal. Kjo është në thelb përmbajtja e kapitullit që trajton të drejtën e administratës doganore për të kontrolluar ambientet e punës së një biznesi dhe të sekuestrojë të gjitha pajisjet, aty ku i “lind dyshimi”.
Neni 44, pika 4 e ligjit, thotë se, autoritetet doganore në rastet e dyshimeve të arsyeshme për tentativë ose kryerjen e ndonjë prej shkeljeve të parashikuara nga ligji, mund të sekuestrojnë dokumente, kompjuterë ose regjistrat përkatës, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm tregtar apo fiskal (sende/materiale) të ndodhura në ambientet e magazinës fiskale të prodhimit/përpunimit ose stokimit.
Autoritetet doganore, për qëllim sekuestrimi, duhet të mbajnë një procesverbal në tri kopje, në të cilin shënohen të gjitha sendet/materialet të cilat po sekuestrohen dhe arsyeja se përse po bëhet ky sekuestrim. Procesverbali duhet të nënshkruhet nga punonjësit doganorë, të cilët po kryejnë sekuestrimin dhe nga depozituesi i miratuar/pritësi i regjistruar ose përfaqësuesi i tij.
Nëse është e mundur, dokumentet origjinale fotokopjohen dhe kopja e vulosur me vulën e doganës i lihet në administrim depozituesit të miratuar/pritësit të regjistruar. Kjo procedurë duhet të përshkruhet edhe në procesverbal. Në ligj thuhet se, në mënyrë që të ruhet integriteti i tyre, sendet/materialet duhet të trajtohen me kujdes, duke u vendosur nga punonjësit doganorë që i sekuestrojnë në një dosje ose kuti mbajtëse etj., në të cilën duhet të shënohet qartë: emri dhe mbiemri i punonjësve që kanë bërë sekuestrimin; data dhe vendi i saktë ku u sekuestrua sendi/materiali dhe përshkrimi i përgjithshëm i sendit/materialit të sekuestruar.
Kompjuterët ose pajisje të tjera elektronike mund të ndryshohen, fshihen ose shkatërrohen lehtësisht dhe për sekuestrimin dhe marrjen e tyre duhet të sigurohet që të mos ndryshojë gjendja e pajisjeve elektronike. Kjo do të thotë që nuk duhet të fiket një kompjuter që gjendet në punë dhe që nuk duhet të ndizet një kompjuter ose pajisje elektronike që gjendet e fikur. Përveç mbledhjes së informacionit të përgjithshëm nga personat që janë në vendin që kontrollohet, punonjësit doganorë duhet të përpiqen të marrin edhe informacion specifik mbi sistemet kompjuterike. Për të parandaluar ndryshimin që mund t’u ndodhë dokumenteve dixhitale gjatë marrjes së tyre, punonjësi doganor, së pari, duhet të dokumentojë çdo veprimtari në kompjuter, përbërësit e tij ose në pajisje. Madje në ligj, rekomandohet heqja e menjëhershme e energjisë/burimit të ushqimit kur informacioni në ekran tregon se po fshihen të dhëna ose se mbi të dhënat e vjetra po shkruhen të dhëna të tjera dhe ka arsye për të besuar se, në pajisjet e ruajtjes së të dhënave të kompjuterit, po kryhet një proces shkatërrues.
Informacioni specifik
që i sekuestrohet biznesit
Emrat e të gjithë përdoruesve të kompjuterëve dhe pajisjeve
Emrat hyrës dhe fjalëkalimet për përdoruesit e kompjuterit dhe internetit
Emrat hyrës dhe fjalëkalimet e postës elektronike dhe llogarive në internet
Qëllimi i përdorimit të kompjuterëve dhe pajisjeve
Ekzistenca e serverëve ose atyre në distancë
Të gjitha fjalëkalimet
Aplikime automatike që janë në përdorim
Llojet e aksesit në internet
Ofruesi i shërbimit të internetit
Mjetet e ruajtjes së informacionit elektronik që mund të ndodhen diku tjetër
Dokumentet e programeve kompjuterike të instaluara
Masat e sigurisë që zbatohen për pajisjet
Kufizimet për aksesin ndaj të dhënave
Të gjitha pajisjet ose programet kompjuterike të instaluara që mund të shkatërrojnë informacionin
Garancia e depozituar nga subjekti
Shuma e garancisë që duhet paraqitur për të mbuluar rreziqet eventuale që kanë të bëjnë me produktet e mbajtura në pezullim brenda magazinës fiskale të prodhimit/përpunimit duhet të përkojë me 15% të shumës të detyrimeve të akcizës për tërësinë e produkteve që i nënshtrohen detyrimeve të akcizës të prodhuara në magazinën fiskale të prodhimit/përpunimit gjatë vitit paraardhës ose të parashikuara për t’u prodhuar gjatë një viti.
Shuma e garancisë për lëndët e para të produkteve energjetike të parashikuara në nenin 50 të ligjit, llogaritet në masën 15% të detyrimit të akcizës së cilës do t’i nënshtrohej produkti i gatshëm i prodhuar gjatë një viti, llogaritur sipas nivelit më të lartë të akcizës të kategorisë së produkteve energjetike.
Shuma e garancisë që duhet paraqitur për të mbuluar rreziqet që kanë të bëjnë me produktet e mbajtura në pezullim dhe produktet në lëvizje me pezullim duhet të përkojë me 100% të detyrimeve të llogaritura të akcizës për produktet e depozituara/stokuara;
Interesat
Kur dhënia e një garancie bëhet nëpërmjet depozitës bankare, asnjë interes nuk do të paguhet nga autoritetet doganore mbi shumën përkatëse të garancisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.