Intervista/ Flet Drejtori i Rregullimit të Tregut në AKEP, Altin Rrapaj..
.
Diferencimi mes tarifave brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit nga operatorët e telefonisë së lëvizshme në shumë shtete të Europës po bëhet problem shqetësues vitet e fundit, duke nxitur reagimet e autoriteteve konkurruese përkatëse.
Në disa shtete të Europës Perëndimore dhe Lindore, Autoritetet e Konkurrencës kanë konstatuar dëmtim të konkurrencës nga diferencimi abuziv me tarifat midis thirrjeve “on net” (brenda rrjeteve të tyre përkatëse) dhe atyre “off net” (rrjetet rivale).
Tashmë, hetimi i thelluar në tregun e telefonisë celulare nga Autoriteti i Konkurrencës po kryhet dhe në Shqipëri.
Njëherësh me këtë institucion, edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare po mbikëqyr situatën dhe po analizon mundësitë e ndërhyrjes.
Në një intervistë për “Monitor”, Drejtori i Rregullimit të Tregut në AKEP, Altin Rrapaj, pranon se diferencimi i tarifave është kthyer në një problem edhe në Shqipëri dhe çështja po monitorohet edhe nga ata, pasi vihet re një peshë shumë e madhe e thirrjeve brenda rrjetit në totalin e thirrjeve celulare. Në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, këto thirrje përbëjnë 90% të thirrjeve celulare në vend, ndërkohë që ka një dominim të madh të thirrjeve brenda grupit.
“Shkak për këtë janë bërë paketat tarifore që aplikojnë operatorët celularë”, thotë z. Rrapaj.
Edhe AKEP-i është në pritje të vendimit që do të marrë Autoriteti i Konkurrencës për dëmtimin ose jo të konkurrencës, por z. Rrapaj konfirmon se AKEP nuk do të qëndrojë indiferent, sido që të jetë vendimi i dalë nga Konkurrenca.
“Edhe nëse Autoriteti i Konkurrencës del me një vendim për mosshkelje të pozitës dominuese në treg, ne do ta shqyrtojmë çështjen”, thotë ai.
Intervista/ Flet Drejtori i Rregullimit të Tregut në AKEP, Altin Rrapaj
“Po mbikëqyrim konkurrencën në treg”
Si e shikoni ecurinë e konkurrencës në tregun vendas të telefonisë celulare?
Tregu i telefonisë celulare ka njohur zhvillime pozitive në 3-4 vitet e fundit, çka është vënë re edhe në analizat e zhvilluara nga AKEP si dhe nga ecuria e tarifave që janë aplikuar.
Janë shumë tregues të telefonisë celulare që kanë pasur ecuri pozitive, siç janë rritja e penetrimit, rritja e përdorimit, ulja e tarifave, etj. Kuptohet që ajo që ne si AKEP kemi vënë re është në fund të fundit rritja e përdorimit të shërbimeve celulare krahasuar me vitet e mëparshme.
Efekt pozitiv, sipas AKEP, kanë dhënë një sërë masash të ndërmarra nga ne, si dhe rritja e numrit të operatorëve. Efekt ka dhënë, së pari, hyrja në treg e dy operatorëve të rinj celularë, Eagle Mobile, fillimisht në vitin 2008 dhe në fund të vitit 2010 edhe Plus Communication.
Kemi kaluar nga një sektor apo treg me dy lojtarë deri në vitin 2008, në një treg me tre dhe më pas me katër lojtarë. Ky ndryshim ka dhënë efekte pozitive në numrin e përdoruesve të telefonisë celulare, si dhe në konkurrencën ndërmjet operatorëve.
Zhvillimi i konkurrencës bëhet në forma të ndryshme, por ajo që është më e rëndësishme është rezultati i saj, që përkthehet në tarifa më të ulëta dhe njëkohësisht në përdorim më të madh të telefonisë.
Në të gjitha raportet që ne kemi hartuar është vënë re një rritje e madhe e përdorimit të shërbimeve celulare, sidomos në thirrjet telefonike. Ato janë rritur ndjeshëm në raport me vitet e mëparshme.
Cilat kanë qenë masat e AKEP për të nxitur tregun?
Edhe AKEP ka ndërmarrë masa për të nxitur tregun, siç është prezantimi dhe aplikimi i portabilitetit i numrit celular. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse është e drejtë e konsumatorit për të mbajtur të njëjtin numër celular, por që përkthehet në një konkurrencë më të madhe për operatorët, pasi kjo masë shërben për konsumatorin që të jetë më i interesuar edhe për tarifat e operatorëve të tjerë.
Indirekt, kjo rrit konkurrencën ndërmjet operatorëve celularë për të ofruar tarifa sa më të mira për përdoruesit, për të mbajtur njëkohësisht përdoruesit, por edhe për të marrë përdorues nga rrjete të tjera.
Masa të tjera nga AKEP-i kanë qenë kryesisht të nivelit të tregut të shumicës, siç janë ndërhyrjet që kemi bërë për rregullimin e tarifave të terminimit të thirrjeve telefonike, por edhe të mesazheve, SMS.
Reduktimi i tarifave të terminimit është bërë shpesh nga AKEP dhe më e fundit ka qenë ndërhyrja në vitin 2011, kur u bë një reduktim i përshkallëzuar, që tarifat e terminimit të katër operatorëve celularë të shkojnë drejt kostos eficente, një praktikë e rekomanduar nga Komisioni Europian.
Aktualisht, prej 1 shtatorit të këtij viti, ka hyrë në fuqi faza e tretë e rregullimit të tarifave të terminimit sipas rekomandimeve të KE-së, në të cilën tre operatorët, AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile kanë arritur në vlerën e 4.57 lekë/min, ndërsa për Plus Communication tarifa është reduktuar, duke arritur në nivelin 8.85 lekë/min.
Niveli i tarifave të terminimit ka qenë në nivele të larta për operatorë të mëdhenj.
Deri në vitin 2011, ka qenë në nivelin e 10.5 lekëve/min dhe për dy vjet është përgjysmuar.
Ndërkohë, për Plus Communication, si operator i ri në treg, AKEP ka ndjekur një praktikë të një niveli asimetrie kundrejt dy operatorëve më të mëdhenj, madje edhe ndaj Eagle Mobile.
Niveli i asimetrisë ka qenë fillimisht në kuotën e 70%, më pas është ruajtur i njëjti nivel tarife, ndërkohë që më vonë ka arritur deri në 150% në raport me operatorët më të mëdhenj. Por ky nivel asimetrie ka ardhur duke u zvogëluar, sepse të gjitha rekomandimet janë që nivelet e asimetrisë të tarifave të terminimit të rrjeteve celulare të vijnë duke u reduktuar dhe të konvergojnë në të njëjtën tarifë. Kjo i shërben konkurrencës dhe rrit përfitimet e konsumatorit. Për Plus Communication është parashikuar që niveli të arrijë në vlerën 4.57 lekë/min në vitin 2015, me një diferencë prej dy vitesh krahasuar me operatorët e tjerë. Duke qenë se është operator i ri kemi ndjekur këtë politikë avantazhuese për të.
Ky nivel tarife është një ndërhyrje e rekomanduar nga Komisioni Europian dhe është bërë në nivel me shumicë.
Cilat janë ndërhyrjet dhe masat që keni marrë te tregu me pakicë?
Për sa u përket ndërhyrjeve në nivel me pakicë, AKEP nuk ka ndërhyrë që prej vitit 2010. Pas ndërhyrjes që kemi bërë gjatë 2008-2010 për uljen e tarifave të AMC dhe Vodafone, nuk ka pasur të tjera vendime, kjo sepse tregu celular është një treg me konkurrencë në rritje dhe që ka tendencë të bëhet efektive. Kjo është evidentuar edhe në analizën më të fundit që ne kemi zhvilluar në vitin 2012. Duke marrë parasysh edhe zhvillimet pozitive në tregun celular me pakicë, vazhduam dhe gjykuam se tregu me pakicë nuk kishte nevojë për ndërhyrje eksante. Kjo strategji e AKEP-it është në linjë me praktikat më të mira rregullatore dhe në linjë me kriteret e Komisionit Europian. Nëse një treg ka probleme të konkurrencës dhe mund të ndërhyjë Autoriteti i Konkurrencës, atëherë nuk është e nevojshme që të ketë një rregullim nga jashtë i këtij tregu.
Një ndërhyrje tjetër ka qenë edhe ndryshimi i tarifave të terminimit të mesazheve SMS midis operatorëve, të cilat janë zvogëluar ndjeshëm që prej vitit 2011, kur ndërhyri AKEP.
Nga 4 lek/min, tani kanë arritur në 1.44 lekë/min. Të dy këto lloj tarifash janë tarifa me shumicë që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për të kryer thirrje drejt rrjeteve të tjera.
Efekti i tyre është disadimensional, së pari: ai zvogëlon pagesat që një operator bën për thirrje jashtë rrjetit një operatori tjetër dhe duke zvogëluar këto pagesa ku tarifat orientohen drejt kostove, operatori është indiferent midis zhvillimit brenda rrjetit dhe një thirrje jashtë rrjetit. Kjo çon në rritje të konkurrencës midis operatorëve dhe njëkohësisht rritje të aftësisë të lojtarëve më të vegjël në treg. Siç e thashë, këto kanë qenë masat më kryesore që AKEP ka ndërmarrë në treg.
Cili ka qenë efekti i masave të marra nga AKEP në tregun e pakicës së telefonisë me pakicë?
Efektet që ne kemi parë kanë qenë: rritja e madhe e përdorimit të shërbimeve celulare, rritja e paketave tarifore të operatorëve celularë. Vihet re që, nëse më parë kishim një numër shumë të kufizuar paketash tarifore dhe më pak inovacion, të gjithë operatorët sot kanë një sërë paketash tarifore që ofrojnë minuta, thirrje telefonike dhe vitet e fundit kemi parasysh edhe shërbimin 3G të internetit që përfshihen në këto paketa.
Këto kanë qenë të gjitha zhvillime pozitive.
Por vihet re edhe nga ankesat e operatorëve, por edhe nga analizat që ka bërë AKEP-i, që rritja e konkurrencës dhe ulja e tarifave është shoqëruar njëkohësisht me rritje të madhe të përdorimit të thirrjeve brenda rrjeteve.
Edhe në statistikat më të fundit të tregut, mbi gjysmën e parë të vitit, thirrjet celulare brenda rrjetit përbëjnë një peshë shumë të madhe të thirrjeve totale të zhvilluara nga abonentët. Arsye për këtë janë paketat tarifore të operatorëve, ku të gjithë kanë paketa tarifore shumë të ulëta brenda rrjeteve, por më shumë brenda grupeve. Kini parasysh që janë zhvilluar nga të gjithë operatorët paketa tarifore që iu ofrohen bizneseve, institucioneve, ku me një pajtim mujor me çmim të ulët ofrojnë thirrje brenda grupeve me tarifa shumë të ulëta. Ka një diferencim brenda rrjetit dhe më pas edhe brenda grupit.
Në strategjitë e tyre, operatorët celularë janë orientuar drejt këtyre paketave tarifore, që kanë ulje shumë të mëdha në tarifa në thirrjet brenda grupeve.
Por gjithë kjo rritje e madhe ka çuar në rritjen e peshës së thirrjeve brenda rrjeteve në totalin e thirrjeve jashtë rrjeteve. Ka pasur si rrjedhojë edhe luhatje të pjesës së operatorëve me kontratë sidomos. Vihet re që ata që janë më të vegjël në treg kanë një dominim të përdoruesve me kontratë. Kjo evidentohet edhe tek portabiliteti i numrit, ku shpesh bëhen portime masive në grup, që çojnë në marrjen e një klientele të rëndësishme nga një operator te një operator tjetër.
Sa problematike është për konkurrencën pesha e madhe e thirrjeve brenda një rrjeti dhe si e shikoni ju këtë?
Mund të përbëjë një problem kjo rritje e madhe e thirrjeve brenda rrjeteve, pasi redukton efektin e tarifave të terminimit. Sipas të dhënave tona, mbi 90% e thirrjeve celulare janë brenda rrjetit, çka çon në njëfarë mënyre në ulje të efektit të reduktimit të tarifave të terminimit te shumica.
Për këtë, AKEP është duke monitoruar situatën. Njëkohësisht edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim të thelluar tashmë, në vijim të hetimit paraprak për tregun e telefonisë celulare me pakicë. Kemi bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurrencës dhe do të bashkëpunojmë deri në vendimmarrjen e saj.
Jemi në pritje të vendimeve dhe rekomandimeve që mund të japë ky Autoritet. Paralelisht me këtë, jemi duke punuar, pasi ka edhe raste të tjera të ndërhyrjes së Autoriteteve në vende të ndryshme të rajonit dhe Europës për këtë problem. Por në shumë raste ka qenë Autoriteti i Konkurrencës që ka bërë ndërhyrje në këto lloj situatash, por kjo nuk do të thotë që AKEP nuk parashikon që të marrë masa.
Menyja e masave që mund të merren për të rregulluar këtë situatë është e gjerë, pasi nuk është vetëm ana ekonomike, por duhet parë edhe ana juridike, për hapësirat ligjore që mund të shfrytëzohen për të ndërhyrë.
Ne, që në analizën e vitit 2012, kemi parashikuar që tarifat e terminimit, duke filluar nga 1 shtatori i këtij viti të zbresin në nivelin 4.57, që është kostoja e ofrimit të shërbimit nga një operator eficent në treg. Ky është një nivel i llogaritur me konsulencë ndërkombëtare në vitin 2010 dhe është një model i rekomanduar nga Komisioni Europian.
Por së fundmi, KE ka bërë një tjetër rekomandim që çon në një kosto edhe më të ulët. AKEP e ka përmendur këtë fakt në analizën e tregut të vitit 2012 dhe aktualisht jemi duke rishikuar nëse ne mund të kemi nevojë që të bëjmë një tjetër ndërhyrje te tarifat e terminimit, nëse do të shkojmë drejt modelit më të fundit të KE-së, që heq disa shpenzime dhe çon në një nivel më të ulët të kostos së përllogaritur të terminimit të thirrjeve në një rrjet celular.
Mënyra sesi mund të bëhet kjo, është ose përmes një modeli të ri të kostove ose duke rishikuar modelin që aktualisht kemi, ose duke përdorur të dhënat nga vendet që e kanë aplikuar këtë metodë të re të llogaritjes së tarifave të terminimit.
Kjo është në shqyrtim nga Autoriteti Rregullator dhe do të shihet nëse do të ketë nevojë për një masë të tillë dhe do të shqyrtohet përsëri për asimetrinë midis tarifave të terminimit dhe impakti që do të ketë në tregun me pakicë, pra a do të ketë impakt dhe nëse jo, cilat janë masat më të mira që mund të merren për të rregulluar ndonjë problem në tregun me pakicë.
Çfarë masash të tjera mund të merren për të mbrojtur konkurrencën?
AKEP, në çdo vendimmarrje, ka bërë konsultime publike me të gjitha palët e interesuara. Kjo kuptohet është një çështje e rëndësishme, që nëse do të shqyrtohet nga AKEP, do të jetë objekt i konsultimeve publike me palët e interesuara.
Çdo lloj ndërhyrje do të kalojë në konsultim publik dhe sigurisht shumë rëndësi ka edhe analiza që po bën Autoriteti i Konkurrencës dhe bashkëpunimi me të për këtë çështje, duke marrë në konsideratë edhe metodat më të mira për rregullimin e konkurrencës në vendet e tjera.
Edhe nëse Autoriteti i Konkurrencës del me një vendim për mosshkelje të pozitës dominuese në treg, ne do të shqyrtojmë çështjen.
Edhe te ne operatorët kanë dërguar propozime të ndryshme, ankesa që po shqyrtohen nga AKEP. Por çdo analizë, vendimmarrje, do të jetë publike. Mbi bazën e analizave që do të kryejmë, do të jenë edhe vendimet përkatëse.
Çështja është shumë komplekse. Ka faktorë të ndryshëm që një operator mund të rrisë peshën në treg dhe janë një sërë treguesish që duhen analizuar me sukses, për të parë se ku mund të ndërhyhet.
Cilat janë të dhënat e 6-mujorit të parë të tregut të telefonisë celulare në vend?
Ajo që vihet re në gjysmën e parë të vitit është se numri i përdoruesve celularë është në rënie, qoftë i kartave SIM por dhe përdoruesit aktivë. Por duhet të kemi parasysh se kjo vjen nga niveli i lartë i penetrimit i kartave SIM krahasuar me përdorues aktivë. Në total, numri i përdoruesve është rreth 3.3 milionë në fund të 6-mujorit të parë nga 3.5 milionë që ishte në fund të këtij viti.
Rënia ka një sërë faktorësh: portabiliteti i numrit, sepse mund të ketë pasur një lloj inflacioni të përdoruesve tek kartat SIM. Janë shumë përdorues që kanë disa karta SIM.
Në një kohë të caktuar nuk përdoret më një kartë SIM dhe prandaj quhesh përdorues joaktiv.
Edhe me vendimet e AKEP, pritshmëritë janë për uljen e përdoruesve të kartave SIM, pasi konsumatorët nuk do të kenë nevojë të mbajnë 2-3 karta SIM dhe normalisht çon në zvogëlim të përdoruesve. Kjo nuk është negative, por një trend normal.
Kjo ka ardhur nga strategjitë që kanë përdorur kompanitë për paketat tarifore brenda grupeve. Nëse kemi një reduktim, do të thotë që përdoruesit janë më të kënaqur me thirrjet nga një operator i vjetër dhe kjo është më pozitive për tregun.
Përdorimi brenda rrjetit është në të njëjtat nivele, që nga viti 2009 ka pësuar rritje të madhe, ku nisi edhe promovimi i parë i paketave tarifore. Rritja më e madhe 2009-2010 dhe më pas stabël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.