Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është institucioni që bën bllokimin e aksesit në faqe apo domaine të ndryshme, që cilësohen se shkelin kuadrin ligjor, duke bërë piratim të përmbajtjeve audiovizive.
Në një intervistë për “Monitor”, institucioni sqaron mënyrën sesi funksionojnë hapat nga kërkesa e bërë nga AMA te bllokimi, si dhe fakti që në vitin 2022 ishin të paktën 24 kërkesa për bllokimin e 131 faqeve.
AKEP sqaron se bllokimi aksesit është i vlefshëm vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pasi ofruesit e shërbimit internet, e ofrojnë këtë shërbim brenda territorit të vendit.
Pirateria audiovizive online është një problematikë që lakohet prej vitesh, por në raportin vjetor 2022 të AMA, ky fenomen cilësohet shqetësues dhe në rritje. Vetë AKEP, si një palë që bashkëpunon për minimizimin e fenomenit, çfarë konstaton?
Bazuar në pikën 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, AKEP nuk ka kompetencë ligjore të shqyrtojë përmbajtjet e komunikimeve elektronike, pra as përmbajtjet e publikuara në faqet e internetit, platformat video online, apo mediat online.
Referuar germës e), të nenit 15, të Ligjit nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, AKEP përcjell te sipërmarrësit e komunikimeve elektronike (Ofruesit e Shërbimit Internet – ISP), kërkesat e institucioneve ligjzbatuese (të cilat kanë kompetencë ligjore shqyrtimin e përmbajtjeve), për bllokimin e aksesit të faqeve/domain-eve, të përcaktuara nga këto institucione me përmbajtje të paligjshme apo të dëmshme. Institucioni që licencon dhe mbikëqyr transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë, është Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). AKEP përcjell, rast pas rasti, te sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, shkresat e këtij institucioni, për bllokimin e aksesit të faqeve/domain-eve të konstatuara nga AMA me përmbajtje të paligjshme.
Sa kërkesa janë administruar për ndalimin e faqeve që bëjnë piratim online audioviziv dhe cilat janë pengesat që hasen në këtë proces?
Gjatë vitit 2022, AKEP ka përcjellë te sipërmarrësit, 24 kërkesa të AMA-s për bllokimin e aksesit të 131 faqeve/domain-eve me përmbajtje të paligjshme, ndërsa gjatë këtij viti, AKEP ka përcjellë te sipërmarrësit, 8 kërkesa nga AMA, për bllokimin e aksesit të 35 faqeve/domain-eve me përmbajtje të paligjshme.
Për vitet e tjera, të dhëna të plota për numrin e domain-eve të kufizuara në akses, për përmbajtje të paligjshme apo të dëmshme, janë të pasqyruara në raportet vjetore të AKEP.
Sqarojmë se bllokimi i aksesit është i vlefshëm vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pasi ofruesit e shërbimit internet, e ofrojnë këtë shërbim brenda territorit të vendit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9918/2008, i ndryshuar.
Gjithashtu, nga AMA, ka pasur edhe kërkesa për rihapje aksesi të disa faqeve/domain-eve të caktuara, të cilat kanë rregulluar shkeljen ligjore, dhe AKEP i ka përcjellë këto kërkesa te sipërmarrësit e komunikimeve elektronike.
Një fenomen i tillë është shqetësues kudo në botë dhe ndikimi negativ ekonomik që ka për operatorët është i lartë. Si mund të kufizohet apo parandalohet piratimi?
AKEP dhe AMA kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi në dhjetor të vitit 2021, duke synuar të forcojnë bashkëpunimin, por AKEP është i detyruar të veprojë, vetëm brenda kompetencave të tij, të përcaktuara në Ligjin nr. 9918/2008, i ndryshuar.
A është i plotë kuadri ligjor sa i takon këtij aspekti dhe çfarë elementesh mund të shtohen në aspektin e investimeve teknologjike dhe në kapacitete njerëzore për të luftuar piraterinë?
Siç sqaruam më lart, AKEP nuk ka kompetencë ligjore të shqyrtojë përmbajtjet e komunikimeve elektronike.
Në aspektin teknik/teknologjik, ka rezultuar se sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, e kanë respektuar kufizimin e përmbajtjeve të përcaktuara nga AMA, me përmbajtje të paligjshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.