Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tani, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve. Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, përfshirë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjera. Deri më tani, sipas raportimeve, katër policë janë plagosur gjatë këtij aksioni në Veri e Jug të Mitrovicës.
Policia njoftoi se operacioni është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë. Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
“Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive të rëndësishme, përfshirë edhe armë të gjata”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në Veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale.
“Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook. E zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë njoftuar se nga aksioni i sotëm për arrestimin e personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabandë, ka të arrestuar edhe disa doganierë.
Zëdhënësi Adriatik Kelmendi tha se të arrestuar janë katër oficerë doganorë dhe shtatë qytetarë. “Pas një hetimi disamujor, mbrëmë ka filluar aksioni për arrestimin e personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabande. Personat e arrestuar janë katër oficerë doganorë dhe shtatë qytetarë. Aksioni është në vijim. Për detajet tjera do të ju njoftojmë gjatë ditës”, tha Stavileci.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë. Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë, takim i cili edhe aktualisht është duke u zhvilluar.
Pas aksionit të njësive të ROSU-s të ndërmarrë në komunat veriore të Kosovës, kanë ardhur edhe reagime nga Serbia. Ndër reagimet e para ka qenë edhe ai i Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mediave ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie.
Gjithashtu, është raportuar se Ministria e Brendshme ka vënë në gjendje të plotë gatishmërie njësinë e policisë speciale.
Megjithatë, përveç këtyre, mediumi serb Blic.rs raporton se presidenti Vuçiq ka një takim edhe me Këshillin për Sigurinë Kombëtare.
Po sipas këtij mediumi, Vuçiq ka paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Europian se Serbia do të reagonte nëse njësitë e ROSU nuk tërhiqen nga veriu i Kosovës sa më parë që të ishte e mundur. Vuçiq gjithashtu kishte kërkuar nga qendrat politike perëndimore që të ndalin Prishtinën dhe u ka bërë të qartë se Serbia nuk do të lejojë pastrimin etnik në Kosovë.
Aksioni është ende duke vazhduar…
/Fatos Shala për monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.