Shqetësimet e vazhdueshme për krizën e borxhit të eurozonës dhe dobësimin e rritjes globale po krijojnë një tjetër sezon turbullirash, në të cilin për më tepër, mungon një lloj qartësie strategjike.
Në tregje dominon një atmosferë tensioni dhe vigjilence ndërsa investitorët hezitojnë të bëjnë parashikime të guximshme, për shkak të pasigurisë për zgjedhjet greke të kësaj jave që mund të kthehet në shkakun parësor të retiçence të tregut.
Indeksi botëror i FTSE-së ra 0.5% ndërsa FTSE Eurofirst humbi 1%, edhe pse shifrat e SHBA-ve tregojnë se S&P 500 ka shtuar 0.1% gjatë ditës së sotme.
Euro, ecuria e së cilës shpesh ndjek atmosferën e tregut, është rritur 0.1% në nivelin 1.2568$, dhe yield-et e bonove gjermane, të cilat zakonisht janë të lidhura me oreksin për rrisk, po rriten 1 pikë bazë duke arritur 1.50%.
Së bashku me pasigurinë e situatës greke – për të cilën ka shqetësime se mund të përfundojë me daljen e Athinës nga eurozona, duke përshpejtuar trazirat që priten në sistemin politik dhe financiar – investitorëve iu duhet të kapërdijnë edhe një numër të madh faktorësh të tjerë negativë.
Të mërkurën në mbrëmje, agjencia vlerësuese Moody’s uli klasifikimin e Spanjës në aftësinë paguese të borxhit kombëtar në vetëm një pikë mbi nivelin minimal dhe po rishikojnë vlerësimin duke pritur një rënie të mëtejshme në klasifikim.
Një tjetër vend mesdhetar financat e të cilit janë nën vëzhgim është edhe Italia. Roma pritet të mbajë një ankand të bonove të thesarit ditën e martë – shitje e bonove 3-vjeçare që arrin vlerën e 4.5 miliardë eurove – përmes pritshmërive se mund të bëhet viktima tjetër në krizën e eurozonës.
Tensioni mbetet i lartë; yield-et e bonove italiane 10-vjeçare janë rritur 8 pikë bazë në 6.30%, kulmi i katër muajve, dhe ekuivalentët spanjollë janë rritur 25pb duke kapur një rekord të ri të epokës së euros, me 7.0%.
Atmosfera është ndikuar edhe nga mbyllja e ulët e djeshme në Wall Street, pas të dhënave për shitjet me pakicë në SHBA, të cilat sugjeronin se konsumatorët në ekonominë më të madhe të botës, janë disi në panik.