Aksioni “Anti-informalitet”, jo te bizneset e prekura nga tërmeti

12/02/2020 12:11 PM 0 komente

Aksioni “Anti-informalitet” që kanë nisur tatimet nuk do të ushtrohet te bizneset që janë prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Në një intervistë për televizionin Klan drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera thotë se urdhri për grupet e inspektimit është i qartë, që në këto ndërmarrje të mos ketë vizita tatimore apo kontrolle. Deri tani këto biznese kanë pasur humbje të të ardhurave në 1.93 milion euro.

Qeveria ka hartuar një paketë masash për t’u ardhur në ndihmë ndërmarrjeve të prekura nga tërmeti, duke shtyrë dhe skeduluar për dy vjet pagesën e detyrimeve tatimore aktuale që ata kanë, dhe mosvendosjen e taksave gjatë periudhës që nuk kanë punuar gjatë kohës pas tërmetit.

Por Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se paketa e masave të rindërtimit ndihmon, por nuk zgjidh problemin. Aktiviteti ekonomik përgjatë këtyre zonave është reduktuar ndjeshëm në shumë industri, ndërsa sfidë mbetet sektori i turizmit.

Sipas të dhënave të drejtorive rajonale për nëntorin dhe dhjetorin ecuria e mbledhjes së taksave pati një rënie të ndjeshme për qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, ndërsa janari ka një rigjallërim. Deri tani numërohen 714 biznese që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, ndërsa dëmi për aktivitetin ekonomik të sipërmarrjeve në këto zona vlerësohet të jetë 150 milion euro.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of