Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së sotme, duke zbritur në 139.09 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2014, kur monedha e përbashkët këmbehej me 139.05 lekë.
Në të kundërt, dollari është rritur, në 129.27 lekë, duke qenë gjithsesi larg niveleve rekord të 11 viteve, prehj gati 134 lekësh të shënuara në mars të këtij viti.
Aktorët e tregut pohojnë se janë dy arsyet e kësaj rënieje. Së pari, euro është e dobët në tregjet ndërkombëtare dhe ka zbritur poshtë 1.1 dollarëve.
Ndryshe nga rëniet e mëparshme të euros në fillim të këtij viti, që në tregun shqiptar u reflektuan me rritjen e fortë të dollarit, tashmë monedha e përbashkët nuk po reziston në tregun e brendshëm. Kjo lidhet me arsyen e dytë, që sipas aktorëve të tregut ka të bëjë me rënien e kërkesës për euro nga bizneset, që është sipas tyre është faktori kryesor që ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët.
Përballë presionit të fortë të aksionit antiinformalitet ka një ngecje të aktivitetit tregtar nga biznesi, çka është reflektuar në kërkesën e dobët për euro, që është dhe monedha me të cilën realizohet pjesa më e madhe e tregtisë. “Nëse më parë, psh tregtarët shkonin dy apo tre herë në muaj në Turqi, tani po shkojnë një herë në dy muaj, ose nuk po lëvizin fare”, thotë përfaqësuesi i një prej agjencive më të mëdha valutore në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.