Akti Normativ/ Ndalohet hapja e klubeve të natës, diskove, lounge bareve. Jo muzikë pas orës 20.00; Gjobë 1-3 mln lekë deri në pezullim të aktivitetit

20/07/2020 12:31 PM 0 komente

Për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, qeveria shqiptare ka vendosur ndalimin e hapjes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Gjithashtu, ndalohet edhe muzika në mjediset e shërbimet e çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtyre masave dënohet me gjobë deri në pezullim të aktivitetit për një vit.

“Siç ju kemi informuar në mënyrë të përditshme, Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të shifrave të të infektuarve nga Covid-19. 123 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht në dy spitalet Covid, dhe 112 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, edhe pas përpjekjeve të jashtëzakonshme të stafeve tona mjekësore.

Kjo situatë që po kalojmë kërkon zbatimin rigoroz të rregullave dhe protokolleve të sigurisë. Ndërsa vihet re në javën e fundit, një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto. Kemi konstatuar që në këtë periudhë, ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.”, deklaroi Manastirliu.

Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:

– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë njëvjeçare.

– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of