Aktivet e sektorit bankar arrijnë në 12.8 miliardë euro

03/11/2020 11:00 AM 0 komente

Sektori bankar ka vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shtatorit totali i aktiveve arriti vlerën e 1.59 trilionë lekëve ose 12.8 miliardë eurove.

Gjatë tremujorit të tretë, totali i aseteve të sistemit është zgjeruar me 25 miliardë lekë të tjera, ndërsa krahasuar me një vit më parë rritja është rreth 98 milardë lekë ose 6.5%.

Nëse në gjysmën e parë të vitit sektori bankar e kishte mbështetur rritjen te investimeve në letra me vlerë, gjatë tremujorit të tretë portofoli i tyre ka pësuar një rënie të lehtë.

Kjo përkon edhe me uljen e kërkesës për hua të qeverisë shqiptare, pas një huamarrjeje shumë intensive në tremujorin e dytë. Megjithatë, letrat me vlerë ngelen instrumenti me rritjen më të lartë vjetore. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, bankat raportojnë 100 miliardë lekë më shumë investime në letra me vlerë. Totali i tyre ka arritur në 557 miliardë lekë ose 4.5 miliardë euro.

Në tremujorin e tretë është vërejtur një tendencë për të rritur aktivet financiare të mbajtura në formë likuide, në formën e vendosjeve dhe depozitave me bankën qendrore ose bankat e huaja korrespondente. Gjatë tremujorit të tretë, bankat i rritën këto vendosje me rreth 23 miliardë lekë.

Në tremujorin e dytë bankat i patën pakësuar depozitat, duke i zhvendosur fondet e lira drejt letrave të borxhit të emetuara nga qeveria shqiptare. Në tremujorin e tretë, prurjet e reja nga depozitat kanë shkuar kryesisht në formë vendosjesh, në kushtet kur kushtet për rritjen e kreditimit nuk kanë qenë shumë të favorshme.

Megjithatë, edhe kredia shënoi një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, duke u zgjeruar me rreth katër miliardë lekë. Në fund të shtatorit, portofoli i huasë, përfshi edhe atë jashtë vendit, arriti në 645 miliardë lekë ose 5.2 miliardë euro. Rritja vjetore e kredisë aktualisht është rreth 6.8%, duke qëndruar në nivele të ngjashme me periudhën e parakrizës.

Moratoriumi i pagesave e ngadalësoi amortizimin e kredisë, ndërsa pezullimi i përkohshëm i kërkesave rregullatore për fondet rezervë zbuti efektin negativ të provigjioneve në krijimin e portofolit neto. Veç faktorëve rregullatorë të lidhur me krizën, megjithatë, shifrat tregojnë se kreditimi nuk ka ndaluar. Në muajt pas hapjes së ekonomisë, kredia e re ka qenë në rritje të vazhdueshme. /E.Shehu

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of