1. Hiking në Lëpushë dhe Vermosh, Malësi e Madhe
Në Kelmend është një luginë me origjinë akullnajore, në 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës janë shpatet malore të mbuluara me pyje dhe kullota. Ka 45 maja me lartësi mbi 2,000 metra, secila prej tyre me një emër të vetin. Bimësia përbëhet kryesisht nga pemët e ahut dhe bredhat. Është e njohur për peizazhet dhe reshjet e borës që zgjat rreth 100 ditë çdo vit.
2. Kajak në liqenet Ulëz-Shkopet, Mat
Parku Natyror Rajonal i Ulzës ndodhet jo larg Tiranës, rreth një orë e gjysmë me makinë dhe kajak mund ta bëjnë të gjithë personat që e duan ujin dhe pëlqejnë natyrën dhe gjelbërimin. Veç ajrit të pastër, ajo çka i tërheq vizitorët është ushqimi natyror dhe i freskët. Peshku i liqenit, si dhe produktet e qumështit të bagëtive që kullosin përreth, i japin drekës shijen tipike të zonës.
3. Eksplorim i shpellës së Pëllumbasit, Tiranë
Shpella e Zezë e njohur ndryshe edhe si shpella e Pëllumbasit, monument natyre, (650 metra mbi nivelin e detit), është cilësuar si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë. Skeletet e gjetura në këtë shpellë, sipas Muzeut të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Firences, i përkasin ariut të shpellave (Ursus Speleaus), që ka jetuar 400.000 deri 10.000 vjet më parë. Në të gjithë Europën, janë vetëm pesë shpella të tilla.
4. Karvan me mushka drejt malit të shenjtë të Tomorrit, Berat
Nëse doni të vizitoni një nga malet me madhështore të Shqipërisë dhe të përjetoni bekimin dhe harmoninë nga faltorja e perëndive, duke zotëruar një pamje të të gjithë horizontit bashkohuni në shëtitjen me mushka drejt malit të Tomorrit. Gjatë periudhës antike dhe mesjetare dhe në letërsinë romantike, ky mal është përfytyruar si Olimpi i Shqiptarëve dhe shtëpia e zanave të maleve, Orakulli që parathotë të ardhmen e kombit.
5. River hiking dhe eksplorim i Kanioneve të Osumit, Skrapar
Vizitoni Kanionin e Osumit, një nga atraksionet më spektakolare natyrore në Europë, duke notuar në një pishinat natyrore të rrethuara nga ekosistemi unik dhe i gjelbër i kanionit. Ecni përgjatë brigjeve të lumit Osum, përmes një peizazhi të paprishur me pyje dhe bimë mesdhetare. Vizitoni pikat interesante si Katedralja, Ujëvara e Dashurisë, Porta e Djallit, Koka e Krokodilit dhe përjetoni ndjesinë si të jeni personazh i filmave Avatar, Mbreti i Unazave dhe Tarzani.
6. Rafting në lumin e egër të Vjosës, Përmet
Ndihmoni për të ruajtur biodiversitetin e lumit të Vjosës duke përjetuar rafting në qytetin e vogël dhe të dashur të Përmetit. Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të rrjedhshëm të Europës, në të gjithë rrjedhën 270 km është i egër, i pandotur dhe i stolisur me kanione të bukura, ishuj të vegjël dhe ujë të kristaltë. Për t’u relaksuar në mbrëmje, ju mund të vizitoni Banjat Termale të Benjës dhe të ngjiteni në kanionin e Langaricës ku mund të çlodheni dhe të notoni në ujërat e tyre natyrore.
7. Fluturim dyshe në Llogora, Vlorë
Parku Kombëtar i Llogorasë është vendi me peizazhin më të bukur për fluturim dyshe. Pranë Qafës së Llogorasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë, si rezultat i baticave dhe erës. Një shembull i mrekullueshëm është “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike. Ky park ka peizazh tërheqës dhe fusha karakteristike me pikë dominuese. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga halorë të tillë si pisha e zezë.
8. Zhytje nënujore në Sarandë
Pak vende të tjera në botë mund të kenë një vijë bregdetare kaq të pashkelur. Mundësia për të parë një anije italiane transporti, e zhytur 300 metra nga gjiri i Sarandës në vitin 1944. Kjo është një anije prej 120 metrash. Zhytësit mund të eksplorojnë këtë rrënojë në thellësi nga 4 në 21 metra. Asnjë rrymë. Dukshmëria 8 – 12 metra.
9. Ecje drejt Krorëzit dhe snorkeling, Himarë
Lukova është një fshat i vogël, tradicional me plazhe të mrekullueshme dhe ujëra blu turkeze. Kur të arrini, ju do të filloni një ecje relativisht të lehtë në një nga plazhet më të bukura në këtë zonë, Krorëz. Mundësi për të parë atë që ky liman i paprishur ka për të ofruar; duke eksploruar ujërat e kristaltë me snorkeling.
10. Çiklizëm në Korçë
Pedalimi është një prej alternativave më joshëse që ofron Korça. Është koha ta zbuloni magjinë e saj nëpërmjet 19 itineraresh, 864 kilometrash pedalim në qytet e përmes fushash pjellore bujqësore, breg liqenesh mahnitës, majash që të ndalin frymën dhe peizazhe piktoreske që të mbeten në kujtesë. Do të ndaloni nëpër fshatra turistike ku nuk është gabim t’i dorëzoheni tundimit për të provuar edhe pak verë ose raki, ndërsa shuani urinë me shijet më të mira të kuzhinës vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.