Aktiviteti i biznesit në eurozonë u përmirësua këtë muaj pavarësisht rritjes së inflacionit për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit, rritjes së kostove të energjisë dhe pagave më të larta, të cilat së bashku me një rikthim të numrit të lartë të rasteve të Covid-19 ulën sentimentin.
Sondazhi kompozitë i menaxherëve të blerjeve nga IHS Markit në vendet e eurozonës, një pyetësor i përmuajshëm që mat pulsin e aktivitetit të biznesit, tregoi se kostot dhe çmimet mesatare të shitjes për mallrat dhe shërbimet po rriteshin me ritmin më të shpejtë që kur ka filluar sondazhi në 1998.
Bizneset raportuan se mungesat po rrisin çmimet për shumë mallra dhe shërbime, krahas kostove më të larta të transportit, rritjes së çmimeve të energjisë dhe rritjes së kostove të stafit. Inflacioni i çmimeve të shitjes gjithashtu u rrit me shpejtësi, si në prodhim, ashtu edhe në shërbime, duke kapur shifrën më të lartë të regjistruar nga sondazhi, ndërsa kompanitë tentuan t’i kalonin këto kosto më të larta te klientët, veçanërisht në Gjermani.
Gjithsesi, indeksi kryesor kompozitë i menaxherëve të blerjeve nga IHS Markit për vendet e eurozonës, një matës i shëndetit të ekonomisë, u rrit papritur në nivelin më të lartë të dy muajve të fundit, në 55.8 në nëntor nga 54.2 në muajin e kaluar.
Shifra, e bazuar në të dhënat e mbledhura midis datave 12 dhe 19 nëntor, ishte më e lartë se parashikimi i rënies në 53.2 nga ekonomistët e anketuar nga Reuters, duke reflektuar rezultate më të larta nga sa pritej për Gjermaninë dhe Francën.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Eurostat në fillim të këtij muaji treguan se inflacioni total i eurozonës u rrit në 4.1 për qind në tetor, ritmi më i shpejtë që nga krijimi i unionit monetar, ndërsa të dhënat e së martës paralajmërojnë një rritje të mëtejshme në nëntor.
Anëtarja e bordit të Bankës Qendrore Europiane (BQE), Isabel Schnabel, tha për Bloomberg se ndërsa ishte “e arsyeshme” të supozohej se inflacioni do të binte nën objektivin e Bankës Qendrore Europiane prej 2 për qind në planin afatmesëm, rreziqet ndaj inflacionit ishin “potencialisht të larta”.
Jessica Hinds, ekonomiste në Capital Economics, tha se rritja e papritur e PMI-së kompozitë të eurozonës në nëntor “sugjeron që rimëkëmbja e rajonit nuk e ka humbur më tej vrullin”, por shtoi se “me mungesat ende akute të ofertës, kufizimet Covid që po forcohen dhe intensifikimin e presioneve të çmimeve, rënia e përsëritur e indeksit duket e mundshme”.
Chris Williamson, pjesë e IHS Markit, tha se zgjerimi më i fortë i aktivitetit të biznesit në nëntor “nuk kishte gjasa të parandalonte rritjen e ngadalësuar ekonomike të eurozonës në tremujorin e katërt”. Ai shtoi se për shkak të kombinimit të vonesave të furnizimit, kostove në rritje dhe shqetësimeve për Covid, optimizmi i biznesit ishte ulur në nivelin më të ulët që nga janari, “duke shtuar rreziqet afatshkurtra për ekonominë e eurozonës”.
Anketa tregoi se shërbimet e kaluan prodhimin për të tretin muaj radhazi, duke regjistruar rritjen më të fortë të aktivitetit për tre muaj.
Rritja u vu re gjithashtu te prodhimi, e nxitur nga kërkesa e fuqishme për pajisje teknologjike, mallra shtëpiake dhe ushqim e pije. Nga ana tjetër, rritja u ndal nga një rënie për muajin e tretë radhazi të prodhimit në sektorin e automjeteve, i cili u ndikua rëndë nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.
Në të gjithë prodhuesit e eurozonës, koha e dërgesave të furnitorëve u rrit me një nga ritmet më të larta të regjistruara nodnjëherë, duke u ulur vetëm pak nga tetori, si rrjedhojë e mungesës së furnizimit dhe problemeve të transportit.
Bizneset vazhduan të punësonin punonjës me një ritëm të shpejtë, por megjithatë shumë vende pune mbetën të lira, veçanërisht në fabrikat gjermane.
Rritja u përshpejtua në Gjermani dhe Francë, ku kjo e fundit regjistroi rritjen më të madhe të aktivitetit të shërbimeve për gati katër vjet, gjë që kompensoi një rënie për të dytin muaj radhazi në prodhimin e fabrikave. Markit gjithashtu raportoi se pjesa tjetër e rajonit pati rritje më të shpejtë të prodhimit dhe shërbimeve sesa Franca dhe Gjermania.
Schnabel, pjesë e BQE-së, tha se kufizimet e ashpra për Covid “ka të ngjarë të kenë një efekt të moderuar në aktivitetin e bizneseve në planin afatshkurtër”, veçanërisht në sektorin e shërbimeve me kontakte intensive. “Por unë nuk mendoj se kjo do të dëmtojë rimëkëmbjen e përgjithshme.”/ Financial Times