AKU njofton se, në bashkëpunim me krimin ekonomik, kanë evidentuar një subjekt me aktivitet “Bar-Kafe/Lloto” që përpunonte ilegalisht mishin dhe nën produktet e tij në kushte skandaloze – për rrjedhojë sjell rrezikshmëri të lartë për sigurinë ushqimore.
Konkretisht, AKU konstatoi se subjekti MILITA DASIC me aktivitet “Bar-Kafe/Lloto” me Nipt L81308019L përpunonte, ambalazhonte dhe tregtonte produktet (10 kg mish i grirë, 10kg fileto, 50 kg brumë qofteje dhe 50 kg lëndë e parë mish,) në kushte të rënda higjeno-sanitare dhe të pa shoqëruara me etiketë. Pra, ky subjekt është i regjistruar për “bar-kafe/lloto” dhe jo për “prodhim/përpunim mishi”.
Për më tepër, gjatë inspektimit u konstatua se subjekti i sipërcituar, disponon edhe një tjetër ambient (magazinë) të regjistruar në QKL, me aktivitet specifik: Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore ku u gjendën produkte me afat përdorimi të kaluar (120 kg qofte, 48 kg shishqebap) si dhe 1342.8 kg mish dhe nën produktet e tij të me mungesë të plotë dokumentacioni.
Për sa më sipër ndaj subjektit u mor masë administrative gjobë 2.200.000 lekë, bllokim të produkteve në sasinë 1630.8kg (në ambientin e prodhimit dhe të magazinimit) si dhe ndërprerje e aktivitetit prodhues, tregtues (në ambientin e prodhimit dhe të magazinimit).
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.