Flet Agron Hetoja, drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit
Studimet e fundit e rendisin sigurinë ushqimore si ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme. Në vendet në zhvillim si Shqipëria, siguria ushqimore mbetet sfidë.
Megjithatë Agron Hetoja, kreu i AKU, thotë se mbështetur në rezultatet e kontrolleve zyrtare të ushqimit, të ushtruara dhe në raport me produktet ushqimore që blejnë dhe konsumojnë, konsumatorët shqiptarë konsumojnë produkte ushqimore që përmbushin cilësisht kërkesat ligjore të sigurisë së ushqimit.
Siguria ushqimore është një nga çështjet më të nxehta të debatit publik në ditët e sotme. Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë për produktet që konsumojnë?
Sikurse me të drejtë edhe ju e parashtroni, “siguria e ushqimit” është çështje e një rëndësie të veçantë në ditët e sotme. Në betejën e vazhdueshme për të përmbushur objektivin madhor, garantimin e sigurisë së ushqimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po intensifikon gjithnjë e më shumë vëmendjen dhe përkujdesjen institucionale ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore, këshillimin e operatorëve të biznesit ushqimor në funksion të përmbushjes së kërkesave ligjore, si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit shqiptar për kujdesin që duhet të tregojnë në konsumin e produkteve ushqimore.
Në vitet e fundit, politikat e sigurisë ushqimore kanë zënë vendin e duhur në radhën e prioriteteve strategjike, duke u përfshirë edhe në dokumente të rëndësishme politike, siç është programi i qeverisë “Strategjia e Sigurisë Kombëtare”. Parë në të gjitha këndvështrimet, siguria ushqimore konsiderohet si një e drejtë themelore njerëzore dhe, nga ana tjetër, si një detyrim i institucioneve shtetërore për ta garantuar atë.
Siç përmendëm edhe më lart, një shtysë e madhe në ndihmë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të garantuar misionin e tij, ka qenë interesimi dhe bashkëpunimi frytdhënës me shoqatat e ndryshme të biznesit ushqimor, partneriteti dhe besimi në rritje i konsumatorëve shqiptarë dhe bashkëpunimi institucional me median dhe grupet e tjera të interesit.
Si rrjedhojë e bashkëpunimit dhe përveç kontrolleve zyrtare në vazhdimësi të ushtruar tek operatorët e biznesit ushqimor, sipas një plani vjetor të mirëmenduar për kontrollin zyrtar me bazë risku, “partnerët natyralë” të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit jo vetëm kanë sinjalizuar raste të identifikuara të produkteve ushqimore pa cilësi, standarde dhe siguri, por kanë shërbyer edhe si promotorë të sensibilizimit të opinionit publik.
Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë për produktet që konsumojnë?
E drejta për ushqim përbën nevojë jetike për njeriun, por garantimi i saj nuk mund të nënkuptohet pa cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojmë, ose thënë ndryshe, siguria ushqimore. Është e vërtetë që sot në botë ka një diskutim të fuqishëm në lidhje me sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojmë.
Studimet e fundit i rendisin produktet ushqimore të pasigurta, si një ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme. Nëse në vendet e zhvilluara të botës, ditët e sotme po punohet me ritme të intensifikuara drejt garantimit të produkteve ushqimore të shëndetshme, në shumicën e vendeve në zhvillim, përfshi Shqipërinë, siguria e ushqimit mbetet sfidë dhe beteja me të kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjitha palëve të interesuara. Garantimi i sigurisë ushqimore është një proces kompleks, përmbushja e të cilit realizohet nëpërmjet qasjes së integruar, e cila përfshin kontrollin e kultivimit, përpunimit, prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore.
Ndryshe nga disa fusha të tjera të jetës së përditshme apo sektorë të administratës, siguria ushqimore është tepër dinamike, por edhe mundësia e cenimit të saj ka të njëjtin probabilitet që të ndodhë. Shkaktarët janë të natyrave ndryshme dhe shpeshherë të panjohur.
Një politikë efikase e sigurisë ushqimore duhet të njohë natyrën komplekse të prodhimit të këtyre produkteve ushqimore, si dhe vlerësimin e monitorimit të risqeve mbi shëndetin e njerëzve.
Kontrollet zyrtare të sigurisë së ushqimit apo monitorimet përkatëse të ushtruara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tek operatorët e biznesit ushqimor kanë evidentuar edhe raste kur kërkesat ligjore nuk janë përmbushur dhe në varësi të tipologjisë së kundërvajtjeve të evidentuara janë individualizuar edhe masat administrative korresponduese.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po përforcon marrëdhënien me Operatorët e Biznesit Ushqimor, duke e ridimensionuar atë në planin institucional dhe duke e fokusuar gjithnjë e më shumë në ndërgjegjësimin e tyre, me qëllim aftësimin e tyre për të operuar në përputhje me kërkesat ligjore për ushqimin. Përveç kësaj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po aplikon gjithnjë e më mirë komunikimin sensibilizues të personalizuar sipas target grupeve të ndryshme të operatorëve të biznesit në fushën e ushqimit apo inputeve bujqësore.
Në këto komunikime, kategorive të ndryshme të biznesit ushqimor u është bërë e ditur për shkeljet më të shpeshta të evidentuara gjatë realizimit të kontrolleve zyrtare në veprimtarinë specifike që ata kryejnë, rreziqet e mundshme apo reale që mund të vijnë nga këto shkelje, përmbledhja e kërkesave ligjore që duhen zbatuar, masat vetëvlerësuese dhe vetëkorrigjuese në këtë drejtim. Po ashtu ju është bërë e ditur që, në rast të kontrolleve eventuale të moszbatimit të këtyre kërkesave, legjislacioni parashikon masa më të ashpra administrative.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijimësi ka kërkuar mbështetjen e institucioneve të tjera në vend, që janë të përfshira në hallka të garantimit të sigurisë ushqimore dhe bashkëpunimi me to vijon të bëhet gjithnjë e më rezultativ.
Gjatë kontrollit zyrtar të sigurisë së ushqimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërkohë që konstaton se në disa raste operatorët e biznesit ushqimor nuk përmbushin në tërësi kërkesat ligjore, vlerëson se shkeljet e konstatuara nuk cenojnë sigurinë ushqimore, pasi në vlerësimin e AKU, shkeljet e konstatuara lidhen më tepër me elemente të mungesës infrastrukturore dhe që rrallëherë përkthehen në humbjen e cilësisë së produkteve ushqimore. Në këtë mënyrë, bazuar në rezultatet e kontrolleve zyrtare të ushqimit dhe në raport me produktet ushqimore që blejnë dhe konsumojnë, konsumatorët shqiptarë konsumojnë produkte ushqimore që përmbushin cilësisht kërkesat ligjore të sigurisë së ushqimit.
Cilat janë shkeljet më të shpeshta të hasura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit te subjektet e tregtimit të mishit dhe baxhot e përpunimit të bulmetit?
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka treguar vëmendje të veçantë ndaj operatorëve të biznesit ushqimor që ushtrojnë aktivitet të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve me origjinë shtazore, kryesisht subjekteve të tregtimit të mishit dhe stabilimenteve të përpunimit të qumështit.
Kontrollet janë të orientuara në këto kategori aktivitetesh ekonomike, jo vetëm për faktin se përbëjnë pjesën kryesore të shportës së përditshme të konsumatorit shqiptar, por edhe për arsye që lidhen me origjinën dhe natyrën e produkteve ushqimore. Nëse kjo kategori produktesh ushqimore është e paidentifikuar apo është prodhuar, përpunuar, ruajtur jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe protokollet përkatëse, paraqet rreziqe mikrobiologjike, të afta për të shkaktuar dëmtime patologjike shëndetësore te konsumatori final.
Ashtu sikurse jeni në dijeni nga raportime publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është shtuar vëmendja në disiplinimin e therjeve të paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimit të mishit të pacertifikuar. Si rrjedhojë e planeve të posaçme të monitorimit janë mbyllur të ashtuquajturat “Thertore/Pika Therje” që nuk përmbushnin kriteret e parashikuara në ligj dhe akte nënligjore.
Gjithashtu janë intensifikuar kontrollet në njësitë e tregtimit të mishit, në mënyrë që çdo njësi tregtimi të tregtojë produkte të certifikuara nga veterineri zyrtar gjatë procesit të therjes dhe të shoqëruara me certifikatë shëndetësore veterinare dhe të vulosura në ekstremitetet e mishit. Këto elemente rrisin sigurinë ushqimore në këtë kategori produkti.
Duke qenë se fenomeni i therjeve të paligjshme të kafshëve të gjalla gërshetohet dhe nxitet më tepër jo për shkak të kostos së shërbimit të therjes së kafshëve, por kryesisht për shkak të mosdokumentimit dhe fshehjes së transaksioneve fiskale, gjë që do të thotë në mënyrë indirekte edhe tregtim produkti mish i pacertifikuar. Në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, AKU i ka adresuar zyrtarisht me shkresë OBU-ve, të cilët ushtrojnë aktivitet “njësi tregtim mishi”, kërkesat që duhet të plotësojnë këto OBU për gjurmueshmërinë e këtij produkti, në mënyrë që të rritet vetëkontrolli i operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmbushja e kërkesave të ligjit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka hartuar plane të posaçme dhe të detajuara kontrolli dhe monitorimi në subjekte që kryejnë aktivitet të përpunimit të qumështit. Kjo është reflektuar në të gjitha fazat e procesit të prodhimit të produkteve ushqimore, pra që nga trajtimi i lëndës së parë deri në prodhimin e produktit final.
Lidhur me këtë qëllim, janë riformatuar/pasuruar me kërkesa ligjore dokumentet zyrtare “listë verifikimi” për stabilimentet e përpunimit të qumështit, e cila iu është dërguar operatorëve të biznesit ushqimor të cilët prodhojnë dhe përpunojnë produktin qumësht, në lidhje me plotësimin e raportit të vetëkontrollit, si dhe kërkesat që duhet të plotësojnë këta operatorë. Listë-verifikimi përmban standardet minimale të domosdoshme për lejimin e funksionimit të një aktiviteti të tillë (stabiliment përpunimi të qumështi) si dhe kërkesat për gjurmueshmërinë e këtij produkti gjatë gjithë zinxhirit ushqimor.
Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor, sipas analizës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, janë konstatuar disa problematika në lidhje me zbatimin e kërkesave ligjore përkatësisht:
- Produkti mish i pashoqëruar me vulë dhe certifikatë shëndetësore veterinare;
- Mospërmbushje e kërkesave ligjore për kushte higjieno-sanitare;
- Mungesë dokumentacioni shoqërues dhe mangësi në sistemin e dokumentimit të gjurmueshmërisë;
- Mungesa e dokumentacionit shoqërues për produktet ushqimore në pikat e tregtimit me pakicë;
- Mospërmbushje e përgjegjësive të operatorëve të biznesit ushqimor për tërheqjen e produkteve ushqimore nga tregu;
- Mungesë të etiketimit të produkteve ushqimore në gjuhën shqipe;
- Tregtim të produkteve jashtë afatit të përdorimit;
- Mospërmbushje të kërkesave për zbatimin e planit të vetëkontrollit (HACCP);
Pse Shqipëria nuk ka arritur të krijojë një zinxhir të kontrolluar të mishit nga ferma në tryezën e konsumatorit?
Garantimi i produktit të sigurt për konsumatorin është në fokusin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe inspektimet janë kryer në subjektet të cilat prodhojnë, përpunojnë, paketojnë dhe tregtojnë produkte me origjinë shtazore, mish, peshk, qumësht si dhe produkte të tjera me origjinë shtazore. Për rezultate sa më të mira dhe cilësi më të lartë inspektimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërtuar dhe po forcon gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me institucionet e tjera që operojnë në zinxhirin ushqimor (strukturat e shërbimit veterinar dhe ekstensionit bujqësor).
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërkohë që nuk pajtohet me sa pretendohet për kontrollin në zinxhirin ushqimor të mishit nga ferma në tryezën e konsumatorit, gjykon dhe vlerëson se kontrolli zyrtar ushqimor do të kishte cilësi dhe efektivitet më të lartë nëse do të arrijmë të shmangim plotësisht fragmentarizimin e përgjegjësisë institucionale në zinxhirin ushqimor.
Referuar të dhënave statistikore nga operatorë të biznesit ushqimor me fushë veprimtarie prodhim dhe përpunim të mishit, kemi një rritje graduale të prodhimit vendas, të dhëna që paraqiten si më poshtë.
Përveç prodhimit vendas, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka treguar që ka marrë masa në lidhje me importet e produkteve dhe nënprodukteve të mishit, kështu është rritur vëmendja për kontrollet e kryera në ngarkesat e produkteve me origjinë shtazore të importuara nga jashtë dhe kryesisht nga Brazili, në Pikat e Inspektimit Kufitar.
Në zbatim të Urdhrit Nr. 131, datë 04.04.2017 “Për kontrollin e ngarkesave të produkteve me origjinë shtazore të importuara nga Brazili, në Pikat e Inspektimit Kufitar”, nga inspektimet në pikat e inspektimit kufitar, referuar analizave laboratorike, rezultatet krahasimore paraqesin të dhëna si në vijim:
– Në vitin 2017 janë analizuar mostrat e 225 ngarkesave dhe ka dalë jo konform vetëm 1 ngarkesë në sasinë 25,660 kg mish pule, ndërsa
– Në vitin 2018 janë analizuar mostrat e 411 ngarkesave (mish derri, mish gjedhi dhe mish pule) nga të cilat kanë dalë jo konform 8 ngarkesa dhe që janë kthyer në vendin e origjinës sasia prej 184,554 kg mish pule dhe 26,788 kg mish derri.
Çfarë ndodh me produktet që bllokohen nga AKU? Si është një procedurë standarde….
Në rastet kur gjatë procedurave të kontrollit zyrtar të ushqimit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit merr masën administrative “Bllokim Produkti”, hapi i parë është materializimi i procedurës administrative të bllokimit me akt-bllokimi, duke identifikuar saktë inventarin e produkteve të bllokuara, emërtimet, sasitë, numër loti, datë skadence etj.
Masë tjetër me shumë rëndësi në rastet e bllokimit të produkteve, që cenojnë sigurinë ushqimore, është ndjekja e gjurmueshmërisë së produkteve, me qëllim minimizimin e riskut. Nëse operatori i biznesit ushqimor, të cilit i bllokohet produkti, rezulton se ka sasi të shitura në operatorë të tjerë të biznesit ushqimor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit merr masa të menjëhershme për tërheqje të loteve të bllokuara nga tregu apo dhe nga subjekte të tjera ku e ka shitur produktin.
Rastet e bllokimit janë ato raste kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konstaton se ushqimi është i pasigurt për konsum njerëzor (raste në të cilat vendoset masa e asgjësimit të tyre). Për rastet kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit krijon bindjen dhe ka dyshime të arsyeshme që kemi të bëjmë me ushqim të pasigurt, merren mostra dhe i nënshtrohen procesit të analizave laboratorike dhe vijohet me asgjësimin nëse analizat rezultojnë jo-konforme.
Procesi i asgjësimit realizohet në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, Pushtetit Vendor (Bashkia) si në prani dhe të OBU-së duke mbajtur procesverbale të posaçme, duke fotografuar procesin etj.
Çfarë plani kontrolli ka AKU për zonat turistike në sezonin e verës?
Me rritjen e temperaturave, gjatë sezonit turistik apo dhe në rastet e festave, pavarësisht stinës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përveç inspektimeve të parashikuara në planin vjetor të inspektimeve, harton një plan të posaçëm për kontrollin dhe monitorimin e operatorëve të biznesit ushqimor.
Në kuadër të ndërgjegjësimit të operatorëve të biznesit ushqimor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në zonat turistike, në lidhje me kërkesat që duhet të përmbushin, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Kjo është një nga format e bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor që ata të ndërgjegjësohen për ofrimin e një ushqimi të sigurt në aktivitetin e tyre në sezone turistike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.