Gjykata e Tiranës vendosi të premten të lehtësojë pozitat e administratorëve të shoqërive “Ferlut” dhe “Urban Trans Tirana” që menaxhojnë linjat e transportit urban: “Unaza”, “Porcelani” dhe “Tirana e Re”. Në qeli mbetëm vetëm dy dispeçer, Aldi Duka dhe Lulzim Allaraj, të cilët sipas dokumenteve të prokurorisë bënin shpërndarjen e biletave te faturinot e linjave urbane.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë që zgjati rreth pesë orë e gjysëm, prokurori i çështjes Gentian Abazaj kërkoi që të vlerësohej i ligjshëm ndalimi i tetë të procedurarve. Ai kërkoi masë sigurie arrest me burg për Ferdinand Ibrahimin, administrator i kompanisë “Ferlut” dhe djali i tij Anastas Ibrahimi. Të njëjtën masë ai kërkoi për Fatos Vrapin administrator i shoqërisë “Alba Trans” dhe dispeccerët Aldi Duka dhe Lulzim Allaraj.
Të njëjtën masëi ai kërkoi për Klodiana Qaton arkëtare e kompanisë “Ferlut”, ndërsa për Erisa Vorën administratore e “Tirana Urban Trans” dhe Albana Vrapin administratore e “Alba Trans” prokurori kërkoi caktimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje.
Ndërkohë, mbrojtësit e të proceduarve për “fshehje të të ardhurave”, “falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “mospagimi i taksave dhe tatimeve”, i kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke i kërkuar gjykatës caktimin e masave të sigurisë më të lehta për klientët e tyre.
Avokati Jordan Daci i kërkoi gjyqtarit Altin Abdiu caktimin masës së sigurisë “arrest shtëpie”, ose “garanci pasurore” për Ferdinand dhe Anastas Ibrahimin. Edhe avokati i administratorit të “Tirana Urban Trans”, Fatos Vrapit, Ledio Braho, kërkoi caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpie ose “granaci pasurore” klientin e tij. Caktimi i masave më të lehta të sigurisë u kërkua edhe për të proceduarit e tjerë, për të cilët prokurori Abazaj kërkoi “arrest në burg”.
Gjyqtari Altin Abdiu pasi u njoh me pretendimet e palëve, vendosi të caktojë masën e sigurisë “garanci pasurore” në vlerën 1 milion lekë për Fatos Vrapin, administrator i “Urban Trans Tirana” dhe sekuestrimin e pasaportës, “arrest shtëpie” për Ferdinand Ibrahimin dhe të birin Anastasin, e njëjta masë u dha edhe për Klodiana Qaton, që punonte si arkëtare në këtë kompani.
Ndërkohë gjykata dha masën “arrest në burg” për Aldi Duka e Lulzim Allaraj të dy me detyrë dispeçer dhe “detyrim paraqitje” për Albana Vrapin dhe Erisa Vora, të dyja administratore të dy kompanive.
Hetimet
Sipas të dhënave të siguruara prej BIRN hetimi ndaj kompanive dhe drejtuesve të tyre ka nisur pasi Shtypshkronja e Letrave me Vlerë kishte shprehur dyshime se biletat që përdoreshin nga disa operatorë të transportit urban, nuk ishin ato të prodhurara nga kjo shtypshkronjë. Pas raportimit të këtij dyshimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kjo e fundit ka kryer kontroll në linjat e transportit publik të “Porcelanit” dhe të “Tiranës së Re”.
Prokuroria pretendon se gjatë këtyre kontrolleve, në linjën e urbanëve të “Porcelanit” që administrohet nga shoqëria “Tirana Urban Trans” dhe në atë të Linjës “Tiranë e Re”, janë konstatuar dhe sekuetsruar disa blloqe biletash dhe kontra-biletash që nga hetimet paraprake dyshohet se janë të falsifikuara.
Biletat, sicc mësoi BIRN nga dokumentet e prokurorisë, janë falsifikuar duke përdorur të njëjtin numër serial me ato që janë marrë pranë Drejtorisë së Tatimeve. “Ky veprim ka dyshime se është kryer nga shoqëritë përkatëse për të përfituar të ardhurra nga shitja e biletave duke mos i raportuar në Drejtorinë e Tatimeve dhe për të mbuluar falsifikimin, kanë kryer dublimin e numrave serial të këtyre biletave”, thuhet në informacionet që policia i ka referuar prokurorisë.
Po ashtu mësohet se kompanitë ishin gjobitur nga Drejtoria e Tatimeve me 300 dhe 470 mijë lekë për shmangie të tatimeve.
Ndërkohë prokuroria po ashtu pretendon se nga përgjimet telefonike është zbuluar se administratori i shoqërisë “Ferlut”, Ferdinand Ibrahimi ka komunikuar me djalin e tij, Anastas Ibrahimin në lidhje me disa dokumente që donin t’i digjnin pasi policia u kishte shkuar në banesë.
Policia, që u vu në dijeni të bisedës , gjeti më pas në autoveturën tip “Maserati” që përdorej nga Anastas Ibrahimi 105 mijë bileta të dyshuara të falsifikuara si edhe mandate arkëtimi që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Këto prova u paraqitën të premten në gjykatë nga prokurori Abazaj.
Mbrojtja
Avokati, Jordan Daci, mbrojtësi ligjor i administratorit të shoqërisë “Ferlut”, Ferdinand Ibrahimit dhe djalit të tij Anastas Ibrahimi pohoi për BIRN se klientët e tij nuk kanë kryer asnjë veprim për sa është proceduar nga prokuroria. Ai e quan të riun Ibrahimi si viktimën më të madhe të kësaj çështjeje, duke pohuar se nuk ka qenë i përfshirë në aktivitetin e shoqërisë së prindërve dhe se ndodhej në Shqipëri prej dy javësh me pushime, pasi studion jashtë shqipërisë, në Zvicër.
“Dëmi nuk është i saktë dhe nuk është kryer vepra penale “e fshehjes së të ardhurave” për të cilën akuzohen, pasi nuk janë shitur biletat. Që të egzistojë kjo vepër penale duhet që të kryhet. Edhe nëse do të kishte ndodhur, fitimi në këtë rast nuk do të kalonte vlerën e 400 mijë lekëve. Kjo është një çështje e fryrë si nga përmbajtja, ashtu edhe në sasi”, tha avokati Daci. Ai shtoi se nuk qëndron bashkëpunimi i pretenduar nga organi i akuzës dhe se prokurori i çështjes nuk paraqiti asnjë përgjim, ndryshe nga sa pretendohej.
Avokati Daci pohoi se nuk egziston një ekspertim që të vërtetojë se biletat e kapura janë false dhe se “Ferlut” ka kryer disa kallëzime për falsifikime të biletave nga punonjësit dhe së bashku me shoqëri të tjera i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Financave që të mundësohet futja e sistemit të ri të biletave që të kenë më shumë elemente sigurie, por u është refuzuar.
Avokati Ledio Braho, mbrojtësi ligjor i administratorit të shqërisë “Urban Trans Tirana”, Fatos Vrapit, pohoi për BIRN se prokuroria nuk asnjë provë për personin që ka kryer falsifikimin. “Versioni i prokurorisë ishte se këta persona ishin në bashkëpunim, por nuk përcaktoi asnjë rol të bashkëpunëtorëve. Nuk vërtetoi dot jo vetëm rolin mes shoqërive, por edhe rolin midis personave që ishin si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Çdo gjë është e supozuar”, deklaroi avokati Braho.
Ai shtoi se blietat që pretendohet se kanë qenë të falsifikuara kanë qenë vetëm tre blloqe të sekuestruara vetëm në një urban.
Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën ndalimin e tetë personave, mes tyre 4 administratorë e ortakë të disa shoqërive operatore në trasportin urban në qarkun Tiranë. Policia bëri me dije se ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin “kanë falsifikuar qindra mijëra bileta urbani duke krijuar përfitime të paligjshme e shmangur detyrimet tatimore”. Sipas njoftimit të policisë dëmi i kryer prej këtij aktiviteti shkonte në 6 milion lekë.
/REPORTER.AL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.