Që pas heqjes së doganave në shtator 2011, importi i makinave të përdorura është rritur me shpejtësi. Ligji, që synonte të dekurajonte shtimin e automjeteve të vjetra, ka bërë pikërisht të kundërtën. Vetëm në 2011-n, 77% e makinave të targuara kishin një vit prodhimi maksimumi deri në 2002-in (minimalisht 10 vjet të përdorura). Alarmi i ndotjes, shtimit të pikave të shitjeve në anët e rrugëve, milionat që humb shteti dhe kosto te konsumatorët. Rrugëzgjidhjet që pengohen nga mungesa e vullnetit politik…
Monitor Print/ Kur ka kaluar më pak se një vit nga heqja e doganave të makinave, shifrat e importit dhe regjistrimit të automjeteve tregojnë një tendencë alarmante të hyrjes së makinave të vjetra dhe rënies së atyre të reja. Një prirje kjo, që jo vetëm ka shtuar ndotjen në ajër, por po shkakton dhe dëme të pallogaritshme për shtetin, si rrjedhojë e taksave të munguara; për koncesionarët, nga shtimi i konkurrencës së pandershme në treg, por ç’është më e rëndësishme dhe për vetë konsumatorët që po orientohen të bëjnë zgjedhjen e gabuar dhe me më shumë kosto në afatin e gjatë, në një treg ku amullia ka arritur kulmin.
Shifrat, shumëfishohen automjetet e përdorura
Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, numri i autoveturave të përdorura, të regjistruara për herë të parë, është rritur me 407% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga 2841 automjete të regjistruara në janar-maj 2011, në 14,418 për të njëjtën periudhë të 2012-s, sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Transportit dhe të përpunuara nga “Automobile Club Albania” (ACA).
Në fakt, tendenca e rritjes së targimit të automjeteve të përdorura u konstatua që në shtator 2011, menjëherë pasi hyri në fuqi ligji i ri, i cili eliminoi tërësisht taksën e ndotjes për mjetet e importuara, duke synuar që vjelja e kësaj takse të realizohej gjatë gjithë kohës së përdorimit të mjetit përmes rritjes së taksës së regjistrimit dhe taksës së qarkullimit të mjetit. Numri i automjeteve të targuara për herë të parë për periudhën shtator-dhjetor ishte gati katër herë më i lartë se ai i periudhës janar-gusht 2011.
GRAFIKU Autovetura të përdorura, të targuara për herë të parë
Gjatë vitit 2010 dhe gjysmës së dytë të vitit 2011 ishte në fuqi ligji i cili “penalizonte” ndjeshëm importimin e mjeteve të përdorura me shumë vite përdorimi (më shumë se 10 vjet) përmes taksës së ndotjes e cila përllogaritej duke u bazuar në: vitin e prodhimit të mjetit, kapacitetin motorik, llojin e lëndës djegëse etj. Po ashtu, kjo taksë u shpreh edhe në mjetet që ishin pjesë e parkut të automjeteve përmes taksës së rishitjes së mjetit, e cila bëri që regjistrimi i mjeteve të përdorura gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 të vinte në një frenim të skajshëm që arrin kulmin në muajin gusht. “Automobile Club Albania” (ACA) vlerëson se këto masa i dhanë një frymëmarrje tregut të brishtë të automjeteve të reja me zero kilometra që shiten prej koncesionarëve. Sidomos gjatë periudhës qershor-gusht, kur shitblerja e makinave të vjetra pothuajse u pezullua, u shënua rritje e ndjeshme e regjistrimit të automjeteve të reja, për të rënë më pas në muajt e parë të këtij viti.
GRAFIKU Makina te reja, te targuara per here te pare
Makinat që po hyjnë, minimalisht 10 vjet të vjetra
Ajo që synonte qeveria me ndryshimin e ligjit, ishte që përmes rritjes së taksës së regjistrimit dhe taksës së qarkullimit të mjetit në mënyrë të drejtë me vjetërsinë e mjetit, do të dekurajonte blerësit e automjeteve të vjetra. Në fakt ka ndodhur pikërisht e kundërta. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2011, 77% e makinave të targuara për herë të parë kishin një vit prodhimi maksimumi deri në vitin 2002 (minimalisht 10 vjet të përdorura). Edhe për 5-mujorin 2012 (janar-maj), gati 80% e automjeteve të targuara për herë të parë kishin vit prodhimi maksimumi deri në 2002.
GRAFIKU Autovetura të përdorura, të targuara për herë të parë, sipas vjetërsisë
Sipas një studimi të ACA, “gjatë vitit 2011 janë importuar rreth 34.000 mjete të përdorura (kategoria e mjeteve për përdorim personal, pa përmendur një pjesë të mirë të fuoristradave) çka përbën një rritje me 250% krahasuar me vitin 2010 (13,600 njësi) dhe rritje me 200% krahasuar me vitin 2009 (17,000 njësi). Në total, gjatë vitit 2011 janë regjistruar (targuar) rreth 26,000 autovetura (Burimi: DPSHTRR), çka do të thotë se në fillim të vitit 2012, në tregun informal të mjeteve të përdorura, kanë qenë ende një sasi prej 8-10 mijë mjetesh për t’u shitur.
Kjo situatë (siç shihet edhe nga grafikët më lart) ka vazhduar edhe gjatë vitit 2012, ku vihet re rënie e ndjeshme e regjistrimeve të mjeteve të përdorura kundrejt muajve të mëparshëm për shkak të tejngopjes së tregut.
Nëse do të vërejmë me kujdes natyrën e importeve të mjeteve të përdorura do të vërejmë që mosha mesatare është në segmentin 11-12 vjet, por nuk mungojnë as importet me vjetërsi mbi 15 vjet, që arrijnë në gati 4.000 njësi (vlerë që e tejkalon me 1.5 herë vlerën e mjeteve të reja të shitura në total), duke vjetërsuar më tej parkun e amortizuar të mjeteve në vendin tonë dhe që një pjesë e mirë e tyre nuk janë as Euro 1”, thotë ACA në studimin e saj. Sipas saj, ndërkohë që mosha mesatare e automjetit në Europë sot është rreth 8 vjet (Burimi: ACEA) në Shqipëri importohen mjete të vjetra dhe shumë të vjetra.
Zgjidhja te homologimi!
Për Sokol Kodrën, drejtorin e “Autostar Albania”, koncesionari i markës Benz Mercedes, zgjidhja e amullisë që mbizotëron prej vitesh në treg dhe që është përkeqësuar së fundmi është e thjeshtë: Të zbatohet homologimi. Ky i fundit nënkupton se çdo mjet që hyn në Shqipëri duhet të zbatojë normat e përcaktuara nga Komuniteti Europian. Sipas z. Kodra, kjo do të frenonte automatikisht importet e makinave me timon në krahun e djathtë nga Anglia, si dhe makinave që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu do të eliminonte dhe problemin e makinave të vjetra dhe të ndotjes.
“90% e aksidenteve vijnë nga makinat me timon të djathtë, ndaj nuk duhet të lejohet importimi i tyre”, thekson ai.
Z. Kodra sjell shembullin e fqinjëve, Serbi dhe Maqedoni, të cilat e kanë rregulluar tregun në momentin që ka filluar të zbatohet homologimi. “Në Beograd, ai ka filluar të zbatohet që prej vitit 2007 dhe ka katër vjet që nuk hyn asnjë makinë nga Amerika”.
Në fakt, ligji në Shqipëri, specifikon që asnjë mjet i ri nuk mund të regjistrohet në rast se nuk ka certifikatë konformiteti, që e kanë makinat me normativë Euro 3 e lart, por në momentin që certifikata e konformitetit në Shqipëri mund të jepet dhe nga vetë shitësi, apo përfaqësuesi i autorizuar dhe jo vetëm nga prodhuesi, kjo vë në dyshim vërtetësinë e certifikatës.
Z. Kodra sjell përvojën pozitive të Beogradit edhe për një tjetër element që nuk funksionon në Shqipëri, atë të mbrojtjes së markës, ku koncesionarët mbrohen nga ligji dhe gjykata funksionon në këtë vend. “Mbrojtja e markës stabilizon tregun dhe informon qytetarët”, thotë ai.
Me shqetësim sheh z. Kodra shtimin e pikave të shitjeve të makinave të përdorura në anët e rrugëve, së bashku me rritjen e stoqeve. “Mjafton të hedhësh vështrimin në të dyja anët e rrugës për të konstatuar se çfarë po ndodh”, pohon ai. Makinat që hyjnë, sipas tij, janë tërësisht të pakontrolluara dhe në 99% të rasteve janë me falsitete, duke filluar që nga treguesi i kilometrazhit, që është i manipuluar. Për më tepër, që dhe shteti humbet, për shkak se makinat e rrugës shiten pa taksa, teksa shitësit nuk regjistrohen si firma, në mënyrë që të shmangin pagesat e detyrimeve, duke konkurruar në mënyrë të padrejtë koncesionarët, të cilët paguajnë TVSH dhe tatimfitimi.
Sot, thotë ai, në vend mund të hyjë çdo lloj makine, pasi mungojnë kontrollet reale. Dihet tashmë që kontrollin fizik mund ta kalojë çdo makinë, kundrejt një pagese.
Për “Autostar Albania”, 2009-a ka qenë viti më i mirë, me rreth 300 makina të shitura, për të rënë më pas si rrjedhojë e krizës dhe shtimit të makinave të përdorura në rreth 60 makina të shitura në 2011-n. Gjatë këtij viti, pohon z. Kodra, ka pasur rritje të shitjeve, por që është më shumë artificiale, për shkak se kompania ka hequr stoqet, duke shitur automjete me çmime relativisht të lira.
Kujdes, makinat e vjetra mund të dalin nga qarkullimi!
Shumë individë nuk e dinë që, nëse Ministria e Transporteve do të vendosë të heqë nga qarkullimi makinat me normativë Euro 1, makinat e tyre të vjetra, të prodhuara para vitit 1995, do të dilnin nga përdorimi, paralajmëron z. Ilia Cili, menaxher në “Albanian Motors Company Ford”. Për më tepër, në rast se vendi, që ka nisur rrugën e pakthyeshme drejt BE-së, do të detyrohet të zbatojë legjislacionin europian për automjetet, shumë makina, edhe pse mund të jenë blerë së fundmi, por kanë vit prodhimi të vjetër, do të shërbenin vetëm për skrap. Edhe z. Cili pohon se homologimi do të zgjidhte situatën, nëse qeveria do të kishte vullnetin politik që ta zbatonte atë, siç kanë bërë dhe fqinjët tanë, Kosova, Maqedonia e Serbia.
Z. Cili pohon se situata vitin e fundit, që pas ndryshimit të ligjit është bërë problematike, pasi në vend po vijnë të gjitha vjetërsirat e Europës. Krahas ndotjes së ambientit, që e vuajnë të gjithë, edhe vetë zotëruesit e makinave, shpjegon z. Cili, nuk marrin vlerën që duhet nga makina, për shkak të vjetërsisë së mjetit dhe shpenzimeve të shumta për mirëmbajtje. Shteti, nga ana tjetër, humbet, për faktin se përveç TVSH-së që merr në doganë, nuk përfiton më taksa të tjera, teksa individët që bëjnë tregti automjetesh i regjistrojnë ato me emra të ndryshëm për të fshehur gjurmët.
Z. Cili pohon se “Albanian Motors Company Ford” shënoi në 2011-n vitin më të mirë të saj, me rreth 600 makina të shitura, megjithatë në muajt nëntor dhe dhjetor u vu re rënie e numrit të kontratave. Tkurrja ka vijuar edhe gjatë këtij viti, me rënie të shitjeve deri tani me rreth 50%, në raport me një vit më parë.
Të vendosen normativat nga Euro 4 e lart
Aldi Kuzmi, drejtor i Autocity, pohon se ligji i ri ka ndikuar në shtimin e makinave të përdorura dhe ka ulur blerjen e të rejave. “E kishim paralajmëruar që në fillim këtë dukuri, kur të tjerët ishin mjaft të qetë” pohoi ai. Pasojat e kësaj situate në treg, që tashmë po pranohen nga të gjithë koncesionarët, janë disa.
-Së pari është elementi i ndotjes, që rritet ndjeshëm me shtimin e makinave të vjetra, ndërkohë që nuk ka asnjë standard për ndotjen. Nga ana tjetër, “jemi ndër të vetmet vende që nuk kemi një taksë luksi mbi makinat mbi 2000 kubikë, ndonëse tek ne cilindrata mesatare për frymë është shumë e lartë,” pohon z.Kuzmi. Një individ që zotëron një makinë me motor të madh paguan pothuajse njësoj me atë që e ka motorin shumë më të vogël.”
-Së dyti, krahas ndotjes, shtimi i makinave të vjetra rrit pasigurinë në rrugë. “E dinë të gjithë që masat e sigurisë nuk zbatohen dhe çfarëdolloj makine mund të kalojë kontrollet”, thotë z.Kuzmi. “Sot jeta është shumë e lirë në Shqipëri, në rrugë mund të shohësh makina pa fenerë e sinjale, apo dhe me timon në krah të djathtë”. Ndërsa po shihen disa përpjekje për të shtuar sigurinë tek mjetet e transportit publik, pas dy aksidenteve me autobusë kohët e fundit, z.Kuzmi thotë se vendosja e normativës Euro 3 për autobusët nuk mjafton, por duhet zbatuar minimalisht Euro 4.
-Së treti, duke lejuar këtë amulli në treg, po dëmtohen koncesionarët e rregullt, të cilët, teksa paguajnë të gjitha taksat në shtet përballen me një konkurrencë të padrejtë nga tregtarët që shesin pa taksa në çdo cep rruge.
Sipas z.Kuzmi, rregullimi i amullisë në treg mund të vinte nga vendosja e normativave nga Euro 4 e lart, si dhe zbatimi i rrregullave të barabarta për të gjithë.
Ai shton se makinat e përdorura kanë një kosto më të lartë se të rejat, por në Shqipëri ekziston mentaliteti për të blerë më mirë një benz të përdorur që kushton 10 mijë euro, sesa një makinë të re që kushton po njësoj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.