I diplomuar në Akademinë e Arteve për Pikturë Kavaleti, Albes Fusha shpejt u bë një ndër figurat kryesore në artin e fotografisë dhe pikturës në vendin tonë.
Në harkun e tri dekadave, ai ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash, brenda dhe jashtë vendit.
Me artin e tij në të dyja mediumet ka marrë pjesë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, në Muzeun Bydgoszcz të Polonisë, në Austri, SHBA, etj.
I frymëzuar nga modernistët e shekullit të kaluar, Albes Fusha,nëpërmjet krijimtarisë, ka arritur të krijojë një realitet magjik, ku ngjyrat me tonalitetet e ndritshme kthehen në shoqëruesit e personazheve, duke krijuar një atmosferë lundruese për shikuesin, i cili ftohet të bëhet pjesë e veprës.
Drita është rregullatori i veprave të tij, ku ai e gjen atë si një mënyrë të organizimit të tyre.
Dhe, pikërisht kjo dritë, kthehet edhe në subjektin kryesor të pikturimit të tij në rezonime koloristike, të cilat tentojnë të krijojnë një vertikalitet surreal, por njëkohësisht dhe duke u shtrirë në hapësirë, të cilën e ka si pjesë organike të krijimtarisë.
Duket sikur vepra e Albes Fushës tenton të thyejë kompozimin, duke dalë jashtë tij, në një ritëm kompozicional dhe koloristik vallëzues. Hapësira është një koncept, i cili rivlerësohet si një nocion relativ dhe i pakonturuar,nëpërmjet së cilës artisti eksploron lirinë e tij personale.
Nëpërmjet lojës kompozicionale, ai e thyen horizontalitetin, me ndërhyrje brutale vertikale, duke krijuar në të njëjtën kohë dhe një lloj komunikimi me hapësirën jashtë telajos, ku interpretimi subkonshiecial të ofron një lëvizje dinamike, por në të njëjtën kohë dhe organike.
Marrëdhënia mes personazheve dhe hapësirës kthehet në një lojë të dyfishtë, ku në momente të caktuara, hapësira është personazhi kryesor në të cilin subjekti alienizohet, duke kryer një dorëzim të pakushtëzuar karshi atmosferës, e cila ka tendenca shpërthyese, duke thyer konvencionin tradicional të zbërthimit të spektrit koloristik mes objektit dhe subjektit.
Në momente të caktuara, qielli ndizet në raportet e të kuqeve apo kobaltit, ndërsa në momente të tjera të caktuara bën kompromise me grinë, e cila vihet në funksion të rrëfimtarisë odiseniane të personazheve, të cilët nuk lodhen në kërkimin e Itakës së tyre.
Në këtë funksion, ai bën një përplasje apokaliptike koloristike, ku shpërthimet koloristike të trajtuara përmes pastozitetit krijojnë dhe një tension dramatik të rrëfimtarisë në alternim me liricitetin e siluetave.
Personazhet e tij përherë fluturojnë, ashtu si vetëshpirti njerëzor, me figura të tejzgjatura, si për të na dhënë imazhin e gjigantëve shpirtërorë. Karakteret nuk ravijëzohen në detaje, por në siluetë brenda të cilëve ka një vello misticizmi, që i lihet shikuesit për ta zbuluar.
Mund të themi se piktura e Albes Fushës është një art, i cili është i destinuar për t’u shijuar, jo vetëm në këndvështrimin koloristik, teknik apo kompozicional, por të atmosferës që përcjell, si dhe historive që, përmes nënshtresëzimit, na i ofron me sinqeritet.
Si çdo artist,edhe Albes Fusha, përmes konvencionit të tij artistik, transmeton historitë e shtresëzuara në subkoshiencën e tij përgjatë udhëtimit individual. Dhe këtë udhëtim, ai e shpreh nëpërmjet artit të pikturimit pa u kompleksuar, porse në gatishmëri të bashkëbisedojë me shikuesin.
Revista “Monitor”u ofron lexuesve të saj disa nga veprat e artistit Albes Fusha, për t’i marrë në konsideratë si pjesë të koleksioneve të tyre.
Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.