Albgaz do ndryshojë pronar, i kalon Ahmetajt tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë

09/11/2017 10:08 AM 0 komente

Kompania publike e gazit Albgaz sh.a e cila do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në vend mori të mërkurën (8 tetor) certifikimin përfundimtar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bordi i Komisionerëve miratoi si pikë të parë draft metodologjinë e tarifave që ishte kriteri kyç për të vijuar më pas me certifikimin final.

I njëjti Bord nënvizoi se tashmë Albgaz sh.a duhet që të përmbushë një sërë kushtesh duke përcaktuar edhe afatet kohore.

Rekomandimi i parë ishte ai që lidhej me anëtarët e Këshillit të Mbikëqyrjes. Sipas ERE duhet të zëvendësohen brenda 3 muajve të gjithë ata anëtarë që aktualisht ushtrojnë një funksion brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Brenda 12 muajve Albgaz duhet që të tregojnë pavarësinë e audituesve ndërkohë që duhet të bëhet edhe një ndryshim tek pronësia.

Albgaz sh.a duhet që brenda një viti të kalojë me pronësi tek Ministria e Financave dhe e Ekonomisë. Ai duhet të jetë i pavarur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyrë që të ruajë pavarësinë. Kjo praktikë është zbatuar edhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Në mars të këtij viti OST i kaloi ish-Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ndërsa tani është nën varësinë e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi i fundit i Bordit të Komisionerëve për metodologjinë e tarifave i hap rrugë kompanisë që të aplikojë për një tarifë të re nga ajo që është miratuar deri në fund të këtij viti. Në ligj është parashikuar një fazë tranzitore e cila mund të shtyjë tarifën ekzistuese në rast se aplikimi nuk bëhet në kohë. Sipas kuadrit aplikimi për tarifën e re mund të bëhet deri në 4 dhjetor.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of