Qeveria kërkon paratë, direkt, në një dorë, kurse “Vetro Energy” kërkon siguri dhe garanci për çfarë po blen. Ethet e negociatave dhe shkeljet sipas KLSH-së
Tri javë më parë, Rezart Taçi u prezantua zyrtarisht para ekipit të punës në Ministrinë e Ekonomisë, si pronari me 51 për qind të aksioneve te “Vetro Energy”, konsorciumi që ofroi 850 milionë euro për blerjen e “Albpetrol”-it. Ky takim i hapi rrugë nisjes së negociatave dhe prezantimit të palëve në bisedime: METE, “Patton Boggs” dhe Taçi.
Ajo që në fillim u duk si mision i kryer, në fakt është vetëm fillimi i etheve për shumën e madhe të parave. Të dyja palët janë të interesuara për t’i mbyllur sa më shpejt negociatat. Qeveria, sepse kërkon të marrë paratë e nevojshme, kurse Taçi të shtijë në dorë kompaninë e naftës, para se të “grabitet” e gjitha nga tregtarët e karburantit dhe skrapit. Pra, qëllimet janë të qarta, por mbeten të pasqaruar shumë elementë që mund të sjellin vonesa në mbylljen e bisedimeve.
Qetësinë e ka prishur edhe raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstaton një mori problemesh për mënyrën se si ka punuar kompania “Albpetrol”, duke zbuluar një të vërtetë shqetësuese: mungesën e dokumentacionit.
“Albpetrol” nuk ka letrat në rregull
Amerikanët dhe shqiptari Taçi shprehen me bindje se paratë i kanë në dispozicion, duke treguar letrën e garancisë, lëshuar nga banka, me vlerë 170 milionë euro, sa 20 për qind e ofertës. Kopja disponohet edhe nga METE, e cila pranon se paratë janë dhe nuk ka asnjë dyshim, por problemi qëndron se si do të merren.
Kompania fituese për blerjen e “Albpetrol” shprehet e shqetësuar mbi gjendjen e aseteve të ndërmarrjes shtetërore, pasi jo të gjitha janë të regjistruara dhe të dokumentuara. “Vetro” nuk pranon të bëjë hap përpara në lëshimin e parave pa u bindur për atë çfarë po blen.
Ja çfarë thotë raporti i fundit i KLSH mbi gjendjen e kompanisë së prodhimit të naftës në vend:
“‘Albpetrol sh.a.’, nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita) ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre ose 35.3 për qind, janë në proces 186 ose 28.7 për qind dhe janë jashtë procesit 36 për qind e tyre ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19 për qind prej tyre (1041) dhe janë pa dokumente pronësie 4439 të tjerë”.
Nga ky raportim duket qartë se gjendja paraqitet kritike dhe Taçi nuk kërkon të përsërisë të njëjtat gabime si me ARMO-n, ku pasi dha paratë, më pas mësoi se ku ishin problemet. Jo vetëm kjo, por “Vetro” kërkon sqarime rreth borxheve, sa janë dhe kush do t’i shlyejë, sikurse kush do t’i vjelë detyrimet që i kanë “Albpetrol”.
Pra janë një mori problemesh që mund të sjellin vonesa në finalizimin e kontratës.
METE: Paratë, pas negociatave
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, deklaron se negociatat po ecin mirë dhe se nuk ka shtyrje të afatit, sikurse thuhet në media, por nga ana tjetër nuk sqaroi si duhet çështjen e garancisë. Debati sot lidhet me faktin dhe qartësimin se çfarë është garancia, apo letra e garancisë nga banka: para të ngrira në bankë, pra 20 përqindëshi, apo thjesht vërtetim se ato ekzistojnë, por shteti nuk mund t’i marrë, cilido qoftë rezultati.
Në fillim të muajit, zëvendësministri i Ekonomisë, i cili është edhe kryetar i komisionit për privatizimin e “Albpetrol” deklaroi se, në bankë është bllokuar garancia 20 për qind, pra 170 milionë euro, si dëshmi i aftësisë paguese, duke i hapur rrugë negociatave. Pak ditë më parë, ministri tha të kundërtën, se garancia derdhet në bankë pas mbylljes së negociatave, dhe me miratimin në Kuvend, derdhet edhe pjesa tjetër (diferenca nga 170 milionëshi i 850 milionë eurove).
Palët janë duke negociuar pothuajse çdo ditë, por problemet janë të shumta, duke nisur nga burokracitë, paaftësia e shtetit për t’iu përgjigjur kërkesave të “Vetro”-s për dokumente, mungojnë lejet, si dhe certifikatat e pronësisë. Pra, problemet janë të shumta, sikurse edhe borxhet e kompanisë, që duhen thënë se nuk janë pak.
Sipas rregullave, negociatat zgjasin rreth një muaj, me të drejtë shtyrje nga të dyja palët edhe për një muaj tjetër. Me këtë plan, qeveria synonte të arkëtonte në buxhetin e shtetit 850 milionë eurot, por mesa duket është e vështirë. Në rastin e CEZ-it, kur u privatizua OSSH-ja në 2009-n, për 102 milionë euro, negociatat nisën në tetor dhe u mbyllën në mars, me nënshkrimin e kontratës dhe në maj, pas ratifikimit nga Parlamenti, çekët morën kontrollin e shoqërisë, duke derdhur paratë në bankë.
KLSH: Kompania është keqmenaxhuar
Ajo që shqetëson më tepër kompaninë është mënyra se si po trajtohet nga punonjësit aktualë, rojet dhe banorët e zonës, të lidhur me tregtarë të ndryshëm. Sa më shumë vonohet mbyllja e procesit, aq më tepër shtohen rastet e vjedhjes së naftës nëpër magazinë dhe kalimi i hekurishteve për skrap. Lajmet në media janë shtuar shumë që pas njoftimit për privatizim, madje nuk kanë munguar edhe rastet tragjike me vdekje (rasti i çiftit në Ballsh, vrarë nga komshiu, për shkak të mosmarrëveshjeve me ndarjen e parave të naftës së vjedhur, etj.).
Kjo është njëra anë, pra vjedhjet ordinere, pasi KLSH ka kontrolluar bilancet e shoqërisë, duke konstatuar punën e dobët të drejtuesve, përfshi edhe ato të ministrisë.
KLSH, në zbatim të programit të tij të punës për vitin 2012, pas përfundimit të auditimit në shoqërinë “Albpetrol” sh.a. Fier, me objekt “Auditim i veprimtarisë ekonomiko-financiare, ligjshmërisë dhe rregullshmërisë” për periudhën nga 31/12/2010 deri më 30/3/2012”, ka nxjerrë shumë problematika.
Drejtoria e Marrëveshjes Hidrokarbure, Auditimi i Brendshëm, strukturat drejtuese të “Albpetrol”-it (Drejtori i Përgjithshëm dhe Këshilli Mbikëqyrës), Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe METE, sipas KLSH-së, kanë treguar pafuqishmëri totale në zbatimin dhe monitorimin e marrëveshjeve hidrokarbure, e cila vjen si pasojë e “mangësive të theksuara në hartimin dhe miratimin e programeve të zhvillimit ekonomiko-financiar të paraqitura nga kompanitë e huaja, si edhe në drejtim të monitorimit dhe ndjekjes periodike të plotësimit të detyrave nga organet e mësipërme”.
KLSH thotë se, administrata e “Albpetrol”-it nuk ka mundur të ushtrojë autoritetin që ka për vlerësimin dhe zhvillimin e zonave të kontratave, duke pranuar dhe duke miratuar në vazhdimësi të gjitha kërkesat e bëra, të cilat në përgjithësi kanë qenë nga viti në vit me devijime të theksuara nga marrëveshjet dhe planet përkatëse të zhvillimit, si dhe monitorimi i tyre pothuajse ka qenë inekzistent.
Detyrimet
Në total, detyrimi i kompanive që operojnë në bazë të marrëveshjeve hidrokarbure deri në fund të muajit prill 2012 është në vlerën 38 milionë dollarë, ku “Bankers” ka peshën më të madhe
ARMO
Kompania e rafinerisë së naftës, e cila drejtohet nga Taçi, është debitori më i madh kundrejt “Albpetrol”, me rreth 50 milionë dollarë, ku vetëm në 2011-n, ka krijuar një detyrim prej 10 milionë dollarësh
Masat
KLSH i ka kërkuar masa administrative Agjencisë së Prokurimeve Publike për 7 persona, referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara në procedurat e zhvilluara për vitin 2011
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.