Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

ALBSIG INVEST, NJË FOND I RI NË TREGUN E PENSIONEVE DHE INVESTIMEVE

02/03/2020 4:50 PM

ALBSIG INVEST, NJË FOND I RI NË TREGUN E PENSIONEVE DHE INVESTIMEVE

expo_brand

Albsig Invest është sipërmarrja më e re që është licencuar për të vepruar si shoqëri administruese e fondeve të pensionit vullnetar si dhe për administrimin e aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive.
Në një Intervistë të dhënë për Revistën Monitor, revistën e përjavshme me profil ekonomik, z. Elton Korbi, Administrator i Përgjithshëm i Albsig Invest, i jep përgjigje një serie pyetjesh të lidhura me Shoqërinë e re Albsig Invest, tregun e pensioneve dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Shqipëri.

A mund të bëni një prezantim të shkurtër të shoqërisë Albsig Invest dhe objektivat e saj për vitin 2020?

Albsig Invest Sh.a., Shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, është një shoqëri aksionare, me seli në Rrugën e Barrikadave, Albsig HQ, Kati 8, Tiranë. Albsig Invest Sh.a është regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit më datë 04.10.2019.
Albsig Invest Sh.a është licensuar Shoqëria Administruese me vendimin e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nr. 210, datë 22.11.2019 “Për të vepruar si shoqëri administruese e fondeve të pensionit vullnetar në mbledhjen dhe investimin e fondeve të pensionit vullnetar dhe kryerjen e pagesave të pensionit, si dhe për administrimin e aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive” (Licensa nr. 5, datë 22.11.2019 pa afat). Me vendimin e mësipërm AMF miratoi edhe Fondin e Pensionit Vullnetar Albsig.
Me vendimin e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), nr. 255, datë 30.12.2019, u miratua “Fondi i Investimit Albsig Standard”.
Vlen të theksohet se pavarësisht se Fondi i Pensionit Vullnetar Albsig ka filluar aktivitetin më datë 04 shkurt 2020 numëron rreth 1,700 anëtarë. Pritshmëritë tona si Shoqëri Administruese janë që deri në fund të vitit 2020, Fondi i Pensionit Vullnetar Albsig të jetë fondi i tretë më i madh në treg për nga numri i anëtarëve.
Gjithashtu Fondi i Investimit Albsig Standard, pas periudhës së akumulimit, ka filluar investimin më datë 14 shkurt 2020. Sipas parashikimeve tona si dhe planit të biznesit të Shoqërisë Administruese deri në fund të vitit 2020, Fondi i Investimit Albsig Standard do jetë fondi i pestë më i madh në treg si për numrin e anëtarëve ashtu edhe për vlerën neto të aseteve (NAV).

Si e vlerësoni tregun e pensioneve private në Shqipëri?

Tregu i pensioneve private është akoma shumë i vogël në krahasim me totalin e numrit të të siguruarve, të cilët janë potencialë për anëtarësimin në skemën aktuale private të pensioneve. Nga të dhënat e publikuara, të gjitha kompanitë që aktualisht janë në tregun e pensioneve private, kanë rreth 28 mijë anëtarë në të njëjtën kohë kur totali i të siguruarve në Shqipëri është rreth 700 mijë. Fondet e Pensionit vullnetare janë një produkt kompleks çka krijon vështirësi për t’u kuptuar dhe më pas për t’u pranuar nga ana e kompanive/individëve. Gjithashtu nga vetë fjala “vullnetare” krijon vështirësi për t’u pranuar, megjithatë ndërgjegjësimi i individëve për këtë produkt është vazhdimisht në rritje. Vlen të theksohet se në misionin e saj Albsig Invest, si një Shoqëri Administruese e re në treg, ka informimin dhe mbi të gjitha edukimin e individëve mbi investimin në fonde pensioni dhe fonde investimi.

AMF po merr në konsideratë reformimin e skemës së pensioneve, duke shtuar kolonën e dytë apo atë që quhet sigurim i detyrueshëm te privati. Si e vlerësoni këtë nismë?

Kjo nismë është e domosdoshme pasi i lënë në mënyrë vullnetare individi nuk ka prirje për të kursyer për pensionin e tij. Kjo vjen për disa arsye:
Arsyeja kryesore ka të bëjë me kohën e gjatë dhe të largët që individi vlerëson se do e marrë përfitimin e pensionit.
Një arsye tjetër ka të bëjë me skepticizmin që individi ka për të tilla investime. Kjo përforcohet akoma më shumë në një ambient si Shqipëria ku shumë individë kanë humbur kursimet e tyre gjatë periudhës 1996-1997.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme është që kursimi për pension ka të bëjë dhe me informimin dhe edukimin e individëve për një investim të tillë. Shumë nga individët nuk kanë njohuri mbi përfitimet apo lehtësirat që kanë nga anëtarësimi në një fond pensioni privat.
Prandaj sistemit të pensionit në Shqipëri duhet t’i shtohet dhe shtylla e dytë, pra ajo e pensionit privat të detyrueshëm, duke plotësuar kështu dy shtyllat e tjera atë shtetërore (publike të detyruar) dhe shtyllën e tretë private vullnetare në të cilën operojnë aktualisht Shoqëritë Administruese të fondeve të pensionit. Duke pasur një sistem të plotë me tre shtyllat aktive, vetëm atëherë mund të themi që Shqipëria mund të jetë në rrugën e duhur të zgjidhjes së problemit të pensioneve, i cili është sigurimi i një pensioni të përshtatshëm për ruajtjen e një standardi jetese.


Si e vlerësoni tregun e fondeve të investimeve në Shqipëri. Cilat janë hapësirat për zgjerimin e tij?

Fondet e investimit kane shfaqur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së alternativave të tjera me një normë kthimit të lartë në treg. Aktualisht depozitat bankare vazhdojnë të mos japin një interes të kënaqshëm për investitorët. Kjo ka bërë që investitorët të shikojmë mënyra të tjera investimi brenda tolerancës për rrezik që ata kanë. Fondet e Investimit, që aktualisht investojnë në bono thesari dhe obligacione të shtetit shqiptar, janë një produkt shumë më i mirë së depozita për individë, që tolerojnë rrezikun e kreditit të emetimeve të shtetit shqiptar.
Mënyrat më e mirë për zgjerimin e investimeve në fonde do ishte dhënia e sa më shumë alternativave ku çdokush do të gjente veten për të investuar. Kjo mund të realizohet nëpërmjet hapjes së disa fondeve, si në monedhën vendase ashtu dhe atë të huaj, me toleranca rreziku të ndryshme, ku investitori të ketë mundësinë të zgjedhë. Me tolerancë për rrezik nënkuptohet një politikë investimi e ndryshme ku kombinohen investimet në instrumente financiare si: bono thesari dhe obligacione, obligacione korporatave, instrumente derivative apo aksione. Me licencimin e bursës private të titujve por edhe regjistrarit privat është hedhur një hap i rëndësishëm në drejtim të zgjerimit të alternativave të investimit. Nëpërmjet kësaj burse titujsh mund të tregtohen obligacionet e korporatave. Në këtë mënyrë fondet e investimit mund ta shikojnë si alternativë investimi, nëse është e pranuar në politikën e investimit të vetë fondit.

Pse vendoset hapjen e një fondi pensionesh dhe investimesh?

Zhvillimi i mëtejshëm i tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe potenciali i madh që ekziston për fondet e pensionit na ka shtyrë që nën mbështetjen e një grupi të madh dhe të konsoliduar siç është Kastrati Group të hapim një iniciativë të tillë.
Gjithashtu në kushtet kur pensioni shtetëror është i pamjaftueshëm për ruajtjen e një standardi të kënaqshëm jetese, dhënia e alternativave kursimi për pension është zgjedhja më e mirë. Ashtu siç u shpreha dhe më lart por edhe në misionin që vetë Albsig Invest ka, është edukimi dhe informimi i sa më shumë investitorëve për këtë mundësi investimi. Vetëm nëpërmjet kësaj rruge do të mund të kemi një bazë të gjerë dhe të qëndrueshme të anëtarëve në fond pensioni.
Përsa i përket fondeve të investimit duke parë mungesën e alternativave të investimit në Shqipëri, Albsig Invest vendosi që fillimisht të ofrojë hapjen e një fondi investimesh, ku do investohet vetëm në bono dhe obligacione të emetuara dhe garantuara nga qeveria shqiptare. Kjo alternativë investimi mund të jetë një zëvendësues mjaft i mirë i depozitave bankare apo llogarive të kursimit duke qenë se investohen në instrumente financiare që bartin një rrezik më të ulët se instrumentet e tjerë financiarë siç mund të jenë obligacionet e korporatave. Megjithatë vizioni i shoqërisë tonë është dhënia e alternativave më të mira dhe të sigurta të investimit në tregun e kapitalit në Shqipëri.

Cilat do të jenë shërbimet kryesore që do të ofroni dhe çfarë avantazhesh konkurruese do të ketë kompania e re, në raport me operatorët aktualë?

Albsig Invest mund të ketë nën administrim një ose disa fonde pensioni dhe një ose disa fonde investimi në të njëjtën kohë. Aktualisht Albsig Invest ka nën administrim Fondin e Pensionit Vullnetar Albsig dhe Fondin e Investimit Albsig Standard. Shërbimet kryesore kanë të bëjnë me administrimin e fondeve të pensionit vullnetar dhe aseteve të sipërmarrjes së investimeve kolektive. Shoqëria Administruese është licencuar që për fondin e pensionit vullnetar të kryejë shërbimin e mbledhjes dhe investimin si dhe kryerjen e pagesave të pensionit.
Avantazhet kryesore lidhen me kostot e administrimit ku Albsig Invest ka aplikuar një kosto ndër më të ulëtat në treg, si për fondin e pensionit Vullnetar Albsig ashtu dhe për Fondin e Investimit Albsig Standard, kombinuar kjo dhe me investimin në asete me rrezik të ulët. Për më tepër, shërbimet e fondit të pension apo fondit të investimit do të mund t’u ofrohet bashkë me një gamë më të gjerë produktesh dhe shërbimesh në bashkëpunim me kompanitë Albsig dhe Albsig Jetë.

Tregu financiar në Shqipëri është i përqendruar përgjithësisht te ai bankar, ndërsa instrumentet e tjerë mbeten pak të zhvilluar. Si mund të nxitet ai?

Është e vërtetë që tregu bankar zë pjesën më të madhe të tregut financiar në Shqipëri. Megjithatë në vitet e fundit ka pasur përpjekje serioze nga aktorë të ndryshëm në treg për zhvillimin e alternativave të tjera të investimit. Zhvillimi i tregjeve financiare duhet vlerësuar në disa drejtime:
Së pari, hapja e bursës së titujve dhe regjistrarit mund të konsiderohet si hap të parë në drejtim të zhvillimit të tregtimit të obligacioneve të korporatave. Gjithashtu hapja e sa më shumë tregjeve dhe alternativave të investimit do të bënte që individi të bëhet më i ndjeshëm ndaj kthimeve duke u kujdesur të jetë brenda limiteve që ata mund të tolerojnë ndaj rrezikut.
Së dyti, vlerësojmë si shumë të nevojshme që të gjithë aktorët e tregut duke përfshirë edhe rregullatorët e tij të ndërmarrin fillimisht fushata të gjëra mbi informimin dhe edukimin e individëve përsa i përket mënyrave të kursimit dhe investimit. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që më pas këto fushata të mund të shndërrohen në lëndë apo botime të mirëfillta shkollore për të gjitha nivelet arsimore. Kjo mënyrë do të bënte që të gjithë individët, pavarësisht nivelit të arsimit që kanë, të kenë marrë njohuritë e mjaftueshme mbi tregjet e kapitaleve.
Së treti, por jo për nga rëndësia, është ndërmarrja e iniciativave ligjore dhe nënligjore në drejtim të stimulimit dhe lehtësimit të procedurave apo ngarkesave tatimore për investimet në fonde pensioni dhe sipërmarrje të investimeve kolektive. Më konkretisht për fondet e pensionit:
Vlerësojmë si tepër të nevojshme përjashtimin tatimor të tyre në momentin e tërheqjes. Pasiguria për shkallën tatimore në momentin e tërheqjes për fondet e pensionit është një rrezik mjaft i rëndësishëm për investitorin. Kemi bindjen se lëvizja në drejtim të përjashtimit të pensioneve edhe në momentin e tërheqjes, siç e aplikojnë disa nga shtetet e rajonit, do të ishte një stimul mjaft i madh për zhvillimin e këtij shërbimi. Aktualisht janë hartuar disa ndryshime në ligjin për fondet e pensionit vullnetar dhe aktorët e tregut janë duke diskutuar në lidhje me ketë çështje.
Lëvizja e shpejt e fondeve si dhe ulja e kostos së transfertave do të ishte një tjetër hap për stimulimin e fondeve të pensionit. Siç dihet aktualisht kostot e transfertave ndërmjet bankave janë të larta në kushtet kur kontributet në fonde pensioni vullnetare fillojnë nga 1,000 lekë. Është e mundur që kostot e transfertës të jenë pothuajse sa vetë shuma e transferuar e fondeve. Vlerësojmë se në këtë drejtim rregullatorët e tregut bankar dhe financiar duhet të ndërmarrin një iniciative për reduktimin e kostos së transfertave për qëllim të investimit në fonde pensioni vullnetare.
Përsa i përket sipërmarrjeve të investimeve kolektive aktualisht është hartuar një ligj i ri i cili do të ndryshojë mënyrën e klasifikimit të fondeve të investimit sipas instrumenteve ku ato investojnë dhe likuiditetit të këtyre instrumenteve. Vlerësojmë si të rëndësishme zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve, në të cilat do të mund të tregtohen titujt që emetohen në Republikën e Shqipërisë.