Piktori Aleksandër Filipi bën pjesë në grupin e piktorëve modernë bashkëkohorë shqiptarë. Student i shkëlqyer i Ateliesë së piktorit Danish Jukniu, i cili e mbajti si asistent pedagog në atelienë e tij, Filipi më pas punon disa vjet si piktor i dizajnit industrial në Berat, restaurator i veprave të artit mesjetar, inspektor kulture dhe pedagog i shkollës artistike të qytetit të tij të lindjes deri në vitin 1997, kur i tronditur nga ngjarjet dramatike që ndodhën në Shqipëri emigron familjarisht në Venezuelë. Në vitin 2000 kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset në Tiranë, pasi ka realizuar disa vepra të rëndësishme arti në Venezuelë, si në aeroportin La Chinita, afresku 25 m2, me titull Vision mbi Marakaibo, tablonë Dielli i parë i jetës, për Fondacionin e fëmijve të sëmurë me kancer dhe tablonë Familja e shenjtë, për Fondacionin Jose Felix Rivas. Piktori Filipi njihet tashmë nga publiku shqiptar si bashkëautor me grupin e artistëve V.Kilica, A.Konstandini, A.Nebiu, J.Dobroniku në realizimin e mozaikut gjigand në Tiranë me titull Shqipëria, për fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë me sip. 600 m2 (1981). Gjithmonë i prirur në realizime të tablove kompozicionale, Filipi ka realizuar tema nga ngjarje historike, legjenda e motive nga jeta e përditshme duke filluar që në vitet ˜80. Mund të kujtojmw veprën Tafil Buzi me kryengritësit në Berat (1984), dy piktura murale për Muzeun e fshatit Sinjë, Berat (Gjyqi i Sinjës dhe Lufta e Rrapo Hekalit). Duke adhuruar dhe vlerësuar si prioritare figurën e njeriut në tablotë e tij, ky imazh zë vendin parësor në mjaft tablo dhe kryesisht autori priret t i paraqesë figurat njerëzore në grupe dinamike, në lëvizje, kryesisht herë si elemente formale ku spikat energjia e brendshme e tyre, e herë si personazhe të tablove të tij historike, filozofike e simbolike. Të kësaj periudhe janë tablotë: Rozafa,Maratonomaku, Prometeu, Njeriu dhe kohaetj. Gjithmonë në kërkim të formave të reja shprehëse, të një koloriti të harmonizuar e delikat edhe duke përdorur ngjyra spektrale Filipi, shpesh largohet nga atmosfera realiste duke marrë frymëzim nga ikonografia, arti Italian i ˜500 dhe piktorët modernë të shekullit XX. Në vitin 1996, cikli prej 15 tablove të ekspozitës vetjake të çelur në sallën e ekspozitave të Delegacionit të Komisionit Europian, Tiranë, tërhoqi vëmendjen e kritikës për situatat interesante dhe të papritura, që krijonte artisti, duke prezantuar tablo me personazhe të shumtë e tematikë biblike, sociale e nga antikiteti. Trajtimi i tablove shumëfigurëshe mbas viteve ˜90 i ka shërbyer artistit të krijojë vepra, që i shërbejnë atij të shpalosë figurshëm ide e mesazhe filozofike e sociale, qoftë edhe duke i trajtuar këto tema në formë alegorike e simbolike. Gjithmonë i figurshëm e me mjete komunikuese, Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishem bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore. Ai krijon me anë të lëvizjeve të jashtëzakonshme të personazheve të tij, ngjyrimit ireal e subjekteve filozofikë të preferuar; vepra mjaft të bukura dhe të admirueshme për publikun. Tablotë e Filipit kanë brenda tyre dinamikë të brendshme, por edhe magji, ato janë sa monumentale aq dhe me një vrull e energji që të japin idenë e tablove shpërthyese. Filipi me mjaft kujdes i gdhend figurat e tij që rrinë në grup pranë njeri tjetrit e që edhe pse kanë individualitetin e tyre, grupohen bukur dhe komunikojnë me njwri tjetrin. Ngjarjet e tranzicionit shqiptar, tragjeditë familjare dhe ajo kombëtare, energjia njerëzore shqiptare e mbijetesës dhe e shpresës kanë lënë gjurmët e tyre në veprën piktorike të piktorit Aleksander Filipi. Piktori ka marrë pjesë në ekspozitat dhe konkurset kombëtare në Shqipëri që në vitet ˜80 e në vazhdim. Ai ka ekspozuar dhe ka shitur veprat e tij në Gjermani, Greqi, Itali, Francë,Venezuelë, Spanjë dhe SHBA. Për lexuesin e revistës Monitor piktori ka ofruar 10 vepra, tablo kompozicionale që janë ndër krijimet e viteve të fundit të tij.Çmimi i veprave të piktorit Aleksandër Filipi luhaten nga 900 – 2000 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.