Alessandro D’Oria do të jetë drejtori i ri i përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Albania. Burime nga banka bëjnë të ditur se D’Oria është përzgjedhur për të zëvendësuar drejtorin në largim, Silvio Pedrazzi, megjithatë emërimi i tij do të zyrtarizohet pas marrjes së miratimit nga Banka e Shqipërisë.
Aktualisht, Alessandro D’Oria mban detyrën e drejtorit të Departamentit të Bankingut me Pakicë (Retail) dhe Menaxhimit të Pasurisë në Divizionin e Filialeve Ndërkombëtare të Grupit Intesa Sanpaolo. D’Oria është bërë pjesë e grupit bankar milanez Intesa që në vitin 2004, para bashkimit me grupin torinez Sanpaolo IMI. Ai ka mbajtur detyra të drejtuesit Rajonal për rajonet e Kalabrisë dhe Puljes, fillimisht për Intesa dhe pas vitit 2007 për grupin Intesa Sanpaolo. Në vitin 2015 u emërua drejtor rajonal për zonën e Milanos, ndërsa në vitin 2017 mori pozicionin e drejtorit të Retail në Divizionin Ndërkombëtar të Grupit. Në shkurt 2020, paralelisht iu la njëkohësisht edhe drejtimi i Departamentit të Menaxhimit të Pasurisë.
Ndryshimi në krye të bankës vjen në një moment kur ekonomia shqiptare ka kaluar momentin më të vështirë të pandemisë dhe është e orientuar drejt një kthimi drejt rritjes pozitive. Mbashtetur në të dhënat më të fundit të vetë bankës, D’Oria do të trashëgojë një bankë në gjendje të mirë, me një raport të kredive me problem që në fund të shkurtit 2021 ishte në nivelin 3.8%, më pak se gjysma e mesatares së këtij tregues për gjithë sektorin bankar.
Viti 2020 u mbyll me një fitim neto prej afërsisht 1.3 miliardë lekësh, ndërsa edhe tremujori I 2021 rezultoi pozitiv, me një fitim prej 459 milionë lekësh.
Në mars 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania kishte 35 degë dhe 655 punonjës. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.