Kishte një difekt modeli paraardhës: pamja ballore me fenerët e vegjël dhe grila në formë shqyti me formë dhe përmasa të diskutueshme, nuk para pëlqehej shumë. Në momentin që gati po harohej, Qendra e Stilit Alfa ndërhyri dhe bëri disa korigjime të lehta, kryesisht në pamjen ballore. Tani është më tërheqëse dhe së bashku me modelet e tjerë si 147, 156 (edhe kjo e ristilizuar në pjesën ballore nga Giugiaro) dhe me të sapombërriturën coupe GT, kënaqin më mirë kërkesat e tifozëve të shumte alfistë. Ashtu si tek modelet e tjerë, edhe tek 166-ta e re, grila me stemën e markës mbizotëron në pamjen ballore dhe zhvillohet verkalisht gati në të tërë lartësinë. Fenerët janë më të mëdhenj dhe të tejdukshëm. Përmasat dhe linjat e përgjithshme janë po ato të modelit të shkuar. Më në fund, për modelin flamurmbajtës, edhe një motor turbodiesel multivalvol me fuqi të mjaftueshme (175 kf) dhe një kuti shpejtësie automatike sekuenciale me pesë marshe.Me pak fjalë, ky ishte prezantimi por, le ta shohim më hollësisht. Brendësia është pothuajse po ajo, por tani duket më mikpritëse për shkak të tonalitetit të ngjyrave dhe materialeve më cilësorë. Megjithatë, nuk ka ndryshuar asgjë për sa i përket vendosjes së komandave dhe instrumentave. Në bllokun qëndror mbizotëron ekrani 5″ në qendër por, është pak poshtë për t u parë me bisht të syrit. Në krah ndodhet e çara për të futur kartën telefonike. Meqënëse disqet muzikorë vendosen tek CD-changer që ndodhet në bagazh, tek vendi sipër ekranit futen kasetat muzikore. Duhanxhinjtë do ta kenë pak të vështirë për të shkundur hirin e cigares sepse, për këtë qëllim është zgjedhur tamam vendi më i papërshtatshëm, në krah të frenit të dorës. Modelet më të rinj 147 dhe 156 janë konceptuar më mirë. Edhe klimatizatori nuk është me regullim të pavarur për të dy krahët. Disa vjet më parë, kur doli për herë të parë në treg 166-ta, as që do të zihej me gojë por, sot, konkurenca ofron më shumë (përfshirë dhe më të voglën 156). Me pak fjalë, 166-ta mbetet një Alfa e viteve të shkuara dhe kryesisht mbështetet tek stili dhe cilësitë dinamike.Kënaqësia e drejtimitDuke gjykuar nga numrat, motori i ri 2.4 JTD 20V lejon të kalohen lehtësisht 200 km/orë dhe me transmisionin automatik me pesë raporte, të akselerohet në 0-100 në më pak se 10 sekonda dhe të rimarrë shpejtësinë nga 70 në 120 km/orë në pak më shumë se 8 sekonda. Rezultate të shkëlqyera po të kemi parasysh që kjo kuti shpejtësie njeh stilin e drejtimit të shoferit dhe për pasojë, ia përshtat mënyrën e funksionimit stilit të tij të drejtimit. Ndërsa për ata që duan t i ndërojnë marshet vetë, ekziston mundësia e funksionimit sekuencial. Gjynah që nuk i ka komandat të përsëritura tek timoni.Kundrejt modelit të vjetër, shumë të mirë për sa i përket sjelljes dinamike, inxhinjerët kanë modifikuar gjeometrinë e suspensioneve për të zvogëluar mënjanimin anësor dhe uljen e përparme. Timoni është plotësisht i përshtatshëm për një makinë të madhe si 166-ta, ndërsa mënjanimi në kthesë është i vogël dhe vetura ka një mbështetje të mirë. Vlerësohet edhe llogjika e funksionimit të sistemit elektronik të stabilitetit (i serisë). Edhe gjatë frenimit në kthesë, stabiliteti është i garantuar dhe trajektoret përshkohen me saktësi. Kush merr në dorë timonin e një 166-te, patjetër që do të vlerësojë karakteristikat dinamike të saj, shumë më të mira se modeli i vjetër. Siç u tha dhe më lart, edhe modeli i vjetër ishte shumë i mirë në këtë drejtim. Nuk mund të thuhen kaq fjalë të mira për nivelin e zhurmës në kabinë dhe kjo, kryesisht nga motori. Tjetër problem është lartësia e tavanit: kush ulet mbrapa, veçanërisht po të jetë shtatlartë, duhet të llogarisë që koka do t i prekë tavanin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.