Ali Oseku është një ndër artistët më emblematik të artit shqiptar në pesëdhjetë vitet e fundit.
Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai menjëherë u kthye në një figurë tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.
Ali Oseku bënte pjesë në artistët figurativë të rinj, të cilët eksperimentonin një art “ndryshe” nga arti i realizmit socialist.
Por ky moment interesant i zhvillimit të artit në vend u ndërpre nga ana e pushtetit komunist të kohës, duke bërë që disa nga protagonistët të burgoseshin.
Në mesin e atyre të cilët u burgosën për disa vjet, bënte pjesë dhe piktori Ali Oseku.
Para arrestimit, Oseku dogji të gjitha tablotë e realizuara deri në atë kohë, përveç dy veprave që mundën të shpëtojnë dhe sot ndodhen në studion e piktorit: “Portret burri” dhe “Portreti i nënës”.
Me ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri pas viteve ’90, Oseku u bë një ndër emrat më të lakuar në artin pamor shqiptar.
Gjatë tri dekadave të fundit, Ali Oseku ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij janë pjesë e shumë koleksioneve në të katër anët e botës dhe nëse ka një autor, i cili mund të shquhet për një identitet të fortë artistik, ai është Ali Oseku.
Ndjeshmëria koloristike e veprave të Ali Osekut e bën atë një ndër individualitetet artistikë më të fortë në vendin tonë. I influencuar nga ekspresionizmi abstrakt amerikan, ai arrin të pjekë një mendim të qartë artistik, që pasqyrohet në një nga krijimtaritë më të pasura në vendin tonë në 30 vitet e fundit.
Organizimi kompozicional i raporteve koloristikë, ku dekorativiteti ndërthuret me një lojë tejet delikate të trajtimit të ngjyrës, në të cilat telajot kthehen në magnete të gravitetit universal që shikuesit i duhet të udhëtojë në hapësirë, na ofrojnë strukturën e një realiteti utopik, ku artisti noton mes tingujve delikatë të Shopenit dhe vargjeve të poetëve klasikë iranianë.
Ali Oseku është një artist, i cili nëpërmjet veprës, na ofron në mënyrë të sinqertë, një pjesë të universit të tij artistik, ku vepra nuk bërtet, por me thellësinë e pjekjes së intensitetit koloristik, ajo kthehet në një moment organik të përjetimit vizual dhe shpirtëror, duke na bërë që intuitivisht ta pranojmë si një pjesë të tërësisë së përjetimit tonë.
Veprat e Ali Osekut e ruajnë freskinë e ndërtimit kompozicional dhe koloristik, por në të njëjtën kohë edhe u rezistojnë dekadave, duke e bërë atë që të jetë një investim financiar dhe shpirtëror i vlefshëm dhe një produkt i domosdoshëm për vetë vlerat artistike, por dhe në të njëjtën kohë dhe statusin që përfaqëson, duke rritur vlerën e hapësirave ku ato ekspozohen.
Nëse do duhej që dikush të ndërtonte një koleksion veprash arti, ose të krijojë një ambient, përmes të cilit të imponojë një shije të rafinuar, Ali Oseku është një artist, i cili nuk mund të mungojë, pasi është pjesë e rëndësishme në historinë e artit shqiptar në 50 vitet e fundit.
“Monitor” ofron disa nga peizazhet e këtij artisti. Secili nga peizazhet është i përmasave 100 x 80 dhe çmimi është 1,920 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.