Allegiant Stadium, ‘shtëpia’ e klubit të Raiders të NFL, është dy hapa larg bulevardit të famshëm ‘Strip” me kazinotë. Fusha ka bar natyral dhe disa pjesë të gjera të strukturës hapen
Spektakli i sportit pikërisht në “Strip” të Las Vegas
A nuk është sporti një spektakël i mrekullueshëm? “Allegiant Stadium”, i cili ndodhet në një distancë të shkurtër nga rruga e famshme “Strip” në Las Vegas (mes Mandalay Bay dhe Luxor Hotel & Casino), stadiumi më teknologjik dhe i kushtueshëm në botë, është bërë prej pak javësh shtëpia e Raiders të NFL dhe Rebels të NCAA, skuadra më e ndjekur e universitetit lokal, që pas disa ditësh do të mirëpresë Pro Bowl.
Sa kushtoi?
E gjithë struktura u ka kushtuar financuesve 1.9 miliardë dollarë. Mendohet se stadiumi do të gjenerojë 620 milionë dollarë në vit, duke krijuar në të njëjtën kohë 6 mijë vende pune të përhershme në të gjithë jugun e Nevadës. “Allegiant Stadium” ka kapacitet prej 65 mijë personash, që mund të arrijnë edhe në 72 mijë, në raste të veçanta – një pjesë e privilegjuar tifozësh mund të shohin ndeshjet në një nga 127 suitat private (ato apartamente luksoze dhe komforte, të prenotuara nga kompanitë, që kanë pamje në fushë) dhe në 8000 vende të përzgjedhura për t’u ulur.
Fusha është e gjatë 130 metra dhe e gjerë 90, me bar natyral dhe jo sintetik, siç përdoret zakonisht në këto anë. Bari qëndron në një tip vazo gjigante e lartë 1 metër, me peshë rreth 8300 tonë, e cila duke u lëvizur nga 72 motorë, rrëshqet poshtë strukturës gjatë ditës kur nuk luhet ndeshje, duke dalë jashtë për të lejuar ripërtëritjen e ajrit nën rrezet e diellit dhe erës.
Në mëngjes, dritaret hapen…
Stadiumi natyrisht është i mbyllur dhe me ajër të kondicionuar (Las Vegas ndodhet në mes të shkretëtirës dhe që në prill, këtu temperatura arrin në 27 gradë Celsius çdo ditë). Koncepti në bazë të projektit është që sa më shumë të jetë e mundur, të zbatohen kushtet e një loje në ajër të pastër. Pikërisht për këtë, stadiumi ka bar natyral në vend të barit sintetik dhe kjo është arsyeja pse tavani hapet për të filtruar dritë natyrale gjatë ndeshjeve. Në mënyrë të ngjashme, hapen me komandë edhe 2,600 metra katrorë dritare të pasqyruara në njërën anë të stadiumit, në mënyrë që të hyjë dritë dhe ajër.
Disa shifra
Janë dashur më shumë se 5 milionë orë punë për ndërtimin e stadiumit. U përdorën 9.500 tonë çelik (pak më pak se sasia e përdorur për Kullën Eiffel) dhe më shumë se 80 mijë metër kub beton për ndërtimin e tij, saktësisht ajo që do të duhej për të ndërtuar një trotuar të gjatë 415 km, midis Las Vegas dhe Los Anxhelos. Brenda ka 21,000 llamba, 2200 dyer, 3692 shkallë çeliku dhe 75 km tuba.
Emri i një linje ajrore
Siç është tashmë zakon, stadiumi – që kur ishte ende në letër – kishte një “naming sponsor”. “Allegiant” është kompania e nëntë ajrore më e rëndësishme në SHBA me fluturime mbi të gjitha në tregun e brendshëm. Kushtet e kontratës nuk janë zyrtarizuar ende por flitet për rreth 30 milionë dollarë në vit për 30 vitet e ardhshme.
Burimi: Corriere della Sera