Bayern Munich zgjati marrëveshjen për të drejtat e emrit të stadiumit me shoqërinë gjermane të shërbimeve financiare Allianz edhe për 10 vite. Stadiumi do të vazhdojë të njihet si “Allianz Arena”, deri në vitin 2033.
Sipas burimeve gjermane, vlera e marrëveshjes është 130 milionë euro.
Krahasuar me marrëveshjen e mëparshme, do të paguhen 13 milionë euro në vit (nga 8 milionë euro).
Si pjesë e marrëveshjes me Bayern Munich, Allianz do të vijojë të sponsorizojë ekipet për meshkuj, femra dhe ekipet e të rinjve.
Aktivitetet e marketingut do të përfshijnë praninë në kanalet dixhitale dhe rrjetet sociale të klubit.
Allianz ka qenë partneri për të drejtat e emrit të stadiumit që kur u hap zyrtarisht në maj 2005, përpara se Gjermania të priste Kupën e Botës, në 2006.
Andreas Jung, anëtar i këshillit ekzekutiv të FC Bayern për marketingun, deklaroi: “Allianz është një kompani ndërkombëtare aktive me seli në Mynih, të cilën njerëzit në gjithë botën e lidhin me stadiumin e FC Bayern”.
“Në të ardhmen do të punojmë së bashku për të çuar përpara zgjerimin e marrëveshjes me ekipin tonë për femra, për të zbatuar projekte për promovimin e talenteve të reja, ndër të tjera”.
Marrëdhënia midis Bayern dhe Allianz shkon përtej sponsorizimit.
Në shkurt 2014, Allianz bleu 8.33% të FC Bayern München AG, për 110 milionë euro, aq sa dy sponsorët e tjerë, Adidas dhe Audi.
Në atë kohë, Bayern përdori të ardhurat nga shitja e aksioneve për të shlyer borxhet e mbetura nga ndërtimi i stadiumit dhe për të investuar në qendrën e tij të trajnimit për të rinjtë.
Christian Deuringer, përgjegjës i markës globale dhe marketingut të Allianz SE, deklaroi: “FC Bayern dhe Allianz kanë gëzuar një marrëveshje të suksesshme dhe të besueshme për më shumë se 20 vjet, e cila është rritur nga emri i Allianz Arena tek ekipet për meshkuj, femra dhe të rinjve dhe gjithnjë e më shumë në sferën e mediave dixhitale dhe sociale”.
/ Inside World Football