Pesha e të ardhurave tatimore nga tatimpaguesit e mëdhenj është ulur në mënyrë domethënëse gjatë 7 viteve të fundit. Një studim i Qendrës Altax gjeti se tatimpaguesit e mëdhenj në vitin 2019 kontribuuan me 37% te të ardhurave buxhetore, ndërsa në vitin 2012 kontribuonin me 47 %.
Analiza e Altax arrin në konkluzionin se në këto nivele të peshës së të ardhurave ndaj totalit, ashtu (sic shihet në tabelë e mëposhtme), kontributi i Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (DTM) ka rënë në një nivel që nuk përkon me qëllimin kryesor të ekzistencës së saj. Humbjet më të mëdha vihen re në tatimpaguesit e mëdhenj të Tiranës.
Sipas studimi nivel i ulët i kontributit në buxhet tregon një fakt të pakundërshtueshëm, se bizneset e mëdha të Shqipërisë nuk mbajnë prej vitesh peshën kryesore, nga e cila janë edhe përfituese nëpërmjet punëve që realizojnë me fonde të buxhetit. Ndërsa, vlera e qarkullimit që deklarohet prej tatimpaguesve të mëdhenj është më shumë se 2/3 e ekonomisë, kontributi i tyre në buxhet nëpërmjet tatimeve është më pak se 1/3 e gjithë të ardhurave të buxhetit.
Ministria e Financave dhe DPT kanë prezantuar shpesh nevojën për të forcuar operacionet dhe kapacitetet e DTM. Por, deri më tani ky shqetësim shumëvjeçar është ende pa përgjigjen e nevojshme, që të bëjë ndryshimin.
Politika tatimore në vitet e fundit është përqendruar në uljen e normave të taksave dhe ka aplikuar stimuj specifikë për sektorë që synohet të nxiten për tu zhvilluar në Shqipëri (p.sh. norma e ulët e TVSH-së për akomodimin dhe për hotelet me 4/5 yje dhe prodhuesit farmaceutikë).
Ky trend ka vazhduar në të paktën secilin nga vitet në këto 5 vitet e fundit. Në këtë trend, p.sh. edhe norma e tatimit mbi fitimin është ulur nga 15 në 5 për qind për 11,000 biznese. Nga ana tjetër, një ulje e pragut të TVSH-së solli si efekt hyrjen e rreth 13,000 mikrobiznese në sistemin e TVSH-së, por me pak ndikim në të ardhurat tatimore. Ndërkohë, kryefjala e paketës fiskale të 2019 dhe 2020 përfshiu një përgjysmim të tatimit mbi dividendin (nga 15 në 8 për qind), një zgjerim i të bazës së taksimit për dypunësimet, përgatitjen e bazës ligjore për përshtatjen e transaksioneve të gjithë bizneseve (me hapa) pa përdorur më letër për regjistrimin e transaksioneve.
Sipas Altax reformat e fundit të politikës tatimore kanë ngushtuar bazën e tatimpaguesve dhe kanë ndërlikuar mënyrën e taksimit për disa segmente të tjera. Disa nga këto ndryshime komplikojnë në fakt regjimin tatimor të thjeshtë, që zbatohet nga mikrobizneset dhe nga ana tjetër krijon si pasojë mundësi për shmangie të taksave, p.sh., përmes zhvendosjes së të ardhurave më të larta të tatimit të dividentit, ose manipulim të pragut të tatimit mbi fitimin.
Studimi referon se duhet të orientohen kapacitetet drejtuese dhe zbatuese me aftësitë e kërkuara nga detyra që marrin përsipër për kryerjen e analizave tatimore për të kuptuar më mirë paqëndrueshmërinë në të ardhurat tatimore.
Aktualisht nuk ka punonjës me këto aftësi për analizën e të ardhurave për të parë mbledhjen e të ardhurave, tendencat dhe pritshmëritë, si dhe për të përcaktuar arsyet e ndryshimeve të rëndësishme nga parashikimet e buxhetuara gjatë vitit. Ndërkohë, lidershipi që ka ardhur dhe ka ikur këto vite të fundit është në nivelin mesatar të menaxhimit që ndodh në vende me administratë të zhvilluar, thuhet në studim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.