Individët investuan 6.9 miliardë lekë ose rreth 56 milionë euro në obligacionet e qeverisë shqiptare vitin e kaluar.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët u rritën me 51% gjatë vitit 2020. Deri në vitin 2016, portofoli i investimeve të individëve në letrat e borxhit të qeverisë dominohej nga bonot e thesarit. Pas vitit 2016, ky raport u përmbys në favor të obligacioneve.
Zgjerimi i investimit të individëve në obligacione mund të shpjegohet kryesisht me kërkimin për kthime më të larta nga investimi. Kuponi i obligacioneve arrin deri në 5.38%, në rastin e obligacioneve me maturim 10 vjeçar dhe është kthimi më i lartë që ofron tregu financiar në monedhën vendase. Ky fakt mund të intepretohet edhe si një tregues i zgjerimit të horizontit të atyre individëve që zotërojnë kursime apo të ardhura në vlera të konsiderueshme. Deri para pak vitesh, kthimet më të larta kërkoheshin kryesisht përmes fondeve të investimit. Por, tendenca rënëse e kthimeve nga investimi në fonde duket se e ka ulur interesin e individëve për këto institucione. Investimet e individëve në këto fonde nuk po shfaqin më rritje të qëndrueshme prej rreth pesë pesë vitesh.
Si alternativë, më shumë shqiptarë po zgjedhin të marrin pjesë vetë në ankandet e tregut primar, përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Sipas faqes zyrtare të AMF, aktualisht në Shqipëri ka 12 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare të licencuara për këtë shërbim. Investimi në obligacione është bërë gjithmonë përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa investimi në bono thesari mundësohej edhe nga Banka e Shqipërisë.
Por, në Gusht 2020 Banka e Shqipërisë vendosi ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët. Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga AMF. Për vitin 2020, investimet e individëve në bono përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF pësuan rënie me 12%.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët mbanin rreth 12.4% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të shtatorit 2020. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 76 miliardë lekë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.