Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, z. Gentian Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët sot, ku në fokus ishte mbyllja e transmetimeve analoge audiovizive për qarqet e Tiranës dhe Durrësit.
Ai ka vlerësuar maksimalisht procesin, pasi në këto dy qarqe, ku banojnë rreth 1/3 e popullatës së Shqipërisë, tashmë ndjekësit e programeve televizive do t’i arrijnë ato vetëm në mënyrë dixhitale.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve të pranishëm, nga mediat kombëtare dhe ato lokale e rajonale, z. Sala evidentoi faktin se nga mbyllja e transmetimeve analoge nga subjektet audiovizive në këto dy qarqe, u arrit dhe eliminimi i rasteve të transmetimeve dixhitale të palicencuara, si dhe mori zgjidhje përfundimtare çështja e renditjes së kanaleve, sipas përcaktimeve ligjore që ka bërë AMA.
Duke kujtuar angazhimin maksimal dhe të pandërprerë të AMA-s prej rreth 1 vit e gjysmë në një fushatë ndërgjegjësimi dhe informimi për publikun e gjerë, kryetari i Autoritetit u shpreh i bindur se ndonjë problematikë a paqartësi për një numër të limituar qytetarësh do të zgjidhet, për sigurimin sa më shpejt të dekoderit për rastet kur ata nuk e kanë siguruar ende.
Z. Sala përmendi se janë rreth 88 mijë persona, që si pjesë e skemave të ndihmës ekonomike nga buxheti i shtetit e kanë përfituar dekoderin falas.
Ai gjeti rast të falenderojë të gjithë operatorët televizivë që më 10 shtator 2018 u treguan bashkëpunues në këtë proces jetik për tregun e transmetimeve audiovizive. Z. Sala shprehu mirënjohje për durimin e qytetarëve, të cilët tashmë jo vetëm që do të jenë ndjekës të transmetimit më cilësor të sinjalit, por dhe me ofertë të shtuar të kanaleve programore. Në përfundimin të procesit, qytetarët kanë mundësi të ndjekin 34 kanale pa pagesë nga paketat programore publike dhe private që janë në transmetim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.