Amazon, nën akuzë për shkelje të rregullave të konkurrencës së BE

10/11/2020 4:27 PM 0 komente

Komisioni Europian akuzoi Amazon se ka abuzuar me pozicionin dominues në shitjen me pakicë online, për të fituar një avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve.

Komisioni tha se Amazon ka përdorur të dhëna mbi shitësit e palëve të treta që përdorin tregun e tij për të rritur shitjet e produkteve të markës së vet. Ai nisi një hetim të ri mbi trajtimin e mundshëm preferencial të shitësve që përdorin shërbimet logjistike të gjigantit të teknologjisë.

Amazon i hodhi poshtë akuzat duke thënë se asnjë kompani “nuk është shqetësuar kaq shumë” për bizneset e vogla. Amazon do të përballet me një gjobë deri në 10% të xhiros globale nëse shpallet fajtor se ka shkelur ligjin e konkurrencës – rreth 19 miliardë dollarë.

Në një deklaratë, Komisionierja europiane për Konkurrencën, Margrethe Vestager, tha se është e rëndësishme që platformat me “fuqi në treg” të mos “shtrembërojnë konkurrencën”.

“Të dhënat mbi aktivitetin e shitësve të palëve të treta nuk duhet të përdoren në avantazh të Amazon, kur ajo vepron si konkurrente e këtyre shitësve” – shtoi znj. Vestager.

“Me bumin e e-commerce dhe Amazon që është platforma kryesore e e-commerce, qasja e drejtë dhe e pashtrembëruar tek konsumatorët online është e rëndësishme për të gjithë shitësit.” Komisioni Europian ka nisur investigimin për Amazon që në korrik, pas ankesave të disa shitësve.

Sipas Komisionit Europian, gjiganti i teknologjisë ka akses në të dhëna të ndjeshme të kompanive të vogla dhe të mesme që përdorin platformën e tij, të tilla si shifrat e shitjeve, vizitat në faqe ose informacionin e transportit. Ai i përdor më pas këto të dhëna për të ndihmuar në shitjet e produkteve të veta ose në zgjedhjen e furnitorëve – thotë më tej Komisioni. Amazon këmbëngul në një deklaratë se – larg të qenët antikonkurrues – produktet e saj me etiketë ishin të mira për klientët dhe ofronin më shumë zgjedhje.

“Amazon përfaqëson më pak se 1% të tregut global të shitjes me pakicë dhe se ka shitës më të mëdhenj në çdo vend ku ne operojmë.  Asnjë kompani nuk kujdeset për sipërmarrjet e vogla dhe nuk ka bërë më shumë për t’i mbështetur gjatë dy dekadave të fundit, se sa Amazon” – thotë kompania e e-commerce.

Burimi: BBC

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of