Ekonomia e Kinës është “shumë elastike” dhe “sistemi imunitar” i saj është i fortë, deklaroi ambasadori kinez në Britani, Liu Xiaoming, duke theksuar se çdo ndikim negativ i shpërthimit të koronavirusit (COVID-19) është “afatshkurtër dhe i përkohshëm”. “Bazat që mbështesin rritjen afatgjatë nuk kanë ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojnë”, tha z. Liu gjatë fjalimit të tij në Londër. Ai u shpreh me besim të plotë se “potenciali i madh dhe forca lëvizëse e ekonomisë së Kinës” nuk do të ndryshojë shumë pasi kjo pandemi të ketë përfunduar. Ky shtet “do të vazhdojë të jetë stabilizuesi kryesor dhe qendra kryesore për rritjen ekonomike botërore”, duke nënvizuar “mendjen e mprehtë” të qeverisë kineze dhe njerëzve në luftën kundër këtij virusi.
“Nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Xi Jinping, populli kinez po qëndron i bashkuar, duke marrë masat më gjithëpërfshirëse dhe më të rrepta të parandalimit dhe kontrollit ndaj këtij virusi”, tha ambasadori. “Në Kinë është duke u zhvilluar një luftë e vërtetë kundër virusit. Këtu i gjithë kombi është i mobilizuar”, tha z. Liu. Ai shtoi se masat e marra nga Kina “kanë pasur një ndikim pozitiv” dhe vuri në dukje se Organizata Botërore e Shëndetit ka vlerësuar përpjekjet e Kinës për “vendosjen e një standardi të ri ndaj reagimit të një situate të tillë alarmante” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos reagojë më shumë seç duhet mbi këtë çështje, duke krijuar një panik më të madh seç në të vërtetë është.
“Reagimi i tepruar duhet të shmanget në mënyrë që të ndalet përhapja e panikut”, tha ai. “Është e rëndësishme të dihet se parandalimi dhe kontrolli efektiv i epidemisë ka rëndësi për të gjithë, dhe shkëmbimet normale midis vendeve nuk duhet të preken nga një situatë e tillë”. Ai përsëriti gjithashtu edhe angazhimin e Kinës në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar në një mënyrë “të hapur, transparente dhe të përgjegjshme”.