Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, zj. Carola Müller Holtkemper ka dhënë versionin gjerman lidhur me kritikat që qeveria shqiptare ka lëshuar këto ditë ndaj bankës gjermane KfW. “Kemi një bashkëpunim të ngushtë me bankën për shkak të interesave të përbashkëta dhe mendoj se KfW është treguar korrekte dhe transparente mbi procedurat e ndjekura në tender”, u shpreh Holtkemper.
“Standardi ynë nuk na lejon të flasim para kohe, kur ende zhvillimet e tenderit janë në proces”, shtoi më tej ambasadorja, duke theksuar se me bankën mban kontakt të vazhdueshëm dhe është në dijeni të të gjitha fakteve”.
Konflikti
Gjatw seancws sw djeshme parlamentare, kreu i Financave, Ridvan Bode kritikoi ashpër bankën KfW për procedurat e ndjekura, duke shpallur fitues një kompani, me vlerë më të lartë të ofruar në tender, në raport me konkurrenten tjetër boshnjake, të cilën qeveria shqiptare kërkon ta shpallë fitues. “Në një tender, ky diferenca midis dy ofertave është prej 44% më shumë, çdo shqiptar do të kishte të drejtë të ngrinte një akuzë dhe të pyeste se përse në një tender të fitojë kompania që kërkon 48 milion euro dhe ajo që bën ofertën me 21 milionë euro më pak”, deklaroi Ministri Bode.
Banka Gjermane duhet të njoftonte kompaninë shqiptare me ligj dhe këtë nuk e ka bërë dhe vetëm pasi të merrte miratimin nga ana jonë, atëherë mund të zyrtarizonte marrëveshjen. Mos mundoni të gjeni shkaqe të tjera për të mbuluar një korrupsion që duhet denoncuar”, akuzoi Bode.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.