Ambientalizmi, lufta e re kulturore e Europës!

06/09/2019 10:04 PM 0 komente

Kthim sërish te barrikadat!

 

Pyjet e thara totalisht për shkak të motit të nxehtë, pothuajse zhduken në horizont në qendrën e Polonisë. Në jug të saj, peizazhi duket tërësisht i mbuluar nga një re gjigante tymi si pasojë e një miniere linjiti që qëndron e hapur edhe në ditët e sotme, shkruan The Economist.

Një grup punonjësish transportojnë qymyr në Elektrownia Belchatow, stacionin më të madh termik të Europës dhe prodhuesin më të madh të emetimeve të karbonit, me një normë prej një ton në sekondë. Pawel Koszek, një specialist riparimesh elektrike, e vëzhgon me kënaqësi një skenë të tillë. “Energjia elektrike, thotë ai, është ngushëllimi dhe siguria jonë”.

Aktivistët e shoqatës së ambientalistëve, printuan postera me fytyrën e Kryeministrit të Polonisë, Mateusz Morawiecki, në një prej shtatë kullave të ftohjes në stacion Belchatow, duke shkruar mbi to: “Turp, Turp”! “Ata nuk e kuptojnë teknologjinë”, shprehet në mënyrë ironike, z. Koszek, i cili ka punuar në këtë stacion që prej vitit 1989 dhe pikërisht aty është takuar edhe me gruan e tij.

Në katin e mëposhtëm, ai tregon me krenari sesi rregullohet sasia e oksigjenit në 13 furrat e stacionit, që prodhon rreth 20% të energjisë elektrike të Polonisë. Është njësoj si të drejtosh një aeroplan, shprehet ai. Operatorët duhet të jenë në gjendje të marrin kontrollin në rastet emergjente, të cilat janë edhe të paparashikuara, megjithatë deri më sot, fatmirësisht nuk ka pasur asnjëherë ndonjë incident të rëndë në Belchatow. Kur bëj një pohim të tillë, u referohem atyre të Çernobilit apo Fukushimës. Energjia e erës? Energjia diellore? Ato vijnë dhe shkojnë. Mundohuni të karikoni telefonin tuaj në një panel diellor dhe krahasojeni atë duke e karikuar me energji elektrike. Ndryshimi: i pakrahasueshëm.

Pikërisht, një arsyetim e vendos z. Koszek dhe qytetin e tij në fund të debatit ambientalist në Europë. Vendit të quajtur “Belcha”, shtypi i huaj i referohet si vendi polak me emetimet më të larta të karbonit. Aktivistët ambientalistë të Greenpeace u zemëruan me qeverinë e z. Morawiecki kur ai nuk miratoi një ligj për ta shndërruar të gjithë BE-në në një vend pa emetime karboni deri në vitin 2050.

E megjithatë, për 60,000 banorët e tij, Belchatow është një vend i këndshëm për të jetuar. Midis luleve dhe shatërvanëve, në sheshin e ri të rikonstruktuar të Narutowicza shëtisin disa prej yjeve të ekipit lokal të volejbollit, i cili sponsorizohet dhe emërohet nga firma shtetërore që drejton minierën dhe fabrikën.

Shumë familje kanë disa anëtarë të punësuar si në minierë ashtu edhe në fabrikë, të cilat punësojnë rreth 8,000 persona ligjërisht, ndërsa një përqindje tjetër e madhe punojnë në mënyrë indirekte. Prandaj është më se e kuptueshme se përse banorët e këtij qyteti po e mbrojnë si stacionin, ashtu edhe minierën dhe po kundërshtojnë çdo lëvizje të ambientalistëve. “Pa stacionin energjetik dhe minierën, thotë Marchin Nowak, drejtori i zhvillimit të Belchatow, qyteti do të humbasë objektivin ekonomik”.

Licencat e vendosura tashmë nga BE-ja kanë rritur koston e gjenerimit të energjisë elektrike atje. Sipas tij, masat e mëtejshme të BE-së do ta bëjnë qymyrin polak më pak konkurrues dhe se brezi i ri do të zhvendoset drejt Bjellorusisë, Ukrainës dhe Rusisë. Emetimet dhe vendet e punës, argumenton ai, thjesht do të zhvendosen jashtë BE-së. Kjo krenari dhe mbrojtje e qytetarëve të Belchatow daton që në vitin 1970, kur shumë prej banorëve aktualë, erdhën nga qytetet e tjera përreth. Logoja e qytetit është një buton elektrik i ndezur dhe slogani i tij: “Belchatow gjithmonë një reagim e ide e mirë”.

Partia nacionaliste “Ligj dhe Drejtësi”, që qeveris Poloninë dhe dominon politikën lokale në Belchatow, e ka shndërruar cilësinë e qymyrit polak në një çështje patriotike. Kjo parti i kritikon shtetet e BE-së perëndimore për refuzimin që i kanë bërë Polonisë, që edhe kjo e fundit të ketë mundësi të arrijë standardet e tyre të jetesës. Edhe ai grup njerëzish në Belchatow, të cilët e pranojnë domosdoshmërinë për të reduktuar emetimet, shprehen se Polonia po trajtohet padrejtësisht.

Sipas tyre, pritshmëritë që Polonia të kalojë në nivelin zero të emetimeve të karbonit brenda 30 viteve të ardhshme, janë thjesht të pamundura. Por ata janë të shqetësuar edhe për karakterin e shoqërisë së tyre dhe ndihen të përjashtuar nga elitat me prirje ambientaliste. Këtu nis edhe debati mbi mjedisin.

 

Të mësosh nga e kaluara

Çështja e emigracionit është zhdukur fare nga titujt e Europës sepse populistët fituan betejën në shtete të ndryshme. Për të gjithë optimizmin me të cilin u shoqëruan fushatat e “mikpritjes së refugjatëve” në vitin 2015, tani është krijuar një konsensus i gjerë rreth politikave më të kufizuara drejt tyre.

Ambientalistët mund të nxjerrin shumë mësime nga fushatat e mëparshme pro-emigracionit. Së pari, mos i ndani ata me populistët. Në vend të kësaj, përdorni argumentet e tyre duke i shoqëruar me fakte emocionale. Së dyti, mos i kundërshtoni ata që po u rezistojnë ndryshimeve pro mjedisit, por trajtojini si persona që dinë të arsyetojnë, dëgjojini shqetësimet e tyre, po tregohuni më të shpejtë se ata për të lëvizur dhe për të zbutur efektet e ndryshimit me fondet e tranzicionit dhe skemat e rikualifikimit. Liberalët e Europës po hyjnë në një luftë të re kulturore. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të shmangin gabimet e së kaluarës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of