Flet Jonian Antoni, Administrator i CENTURY 21 Albania
Bizneset e vogla apo personat fizikë, të cilët janë gjendur nën presionin e pandemisë, kanë qenë të vetmit që mund të kenë liruar disa ambiente në këtë periudhë. Jonian Antoni, Administrator i CENTURY 21 Albania, shprehet se korporatat e mëdha i kanë rezistuar kësaj situate, duke mbetur në pritje.
Ai pohon se fillimisht në nisje të pandemisë puna nga shtëpia u duk një opsion i mirë, pasi njerëzit po punonin edhe jashtë, por kjo zgjati për pak. Sipas tij, njerëzit nuk po ndanin dot raportin e kohës së punës dhe asaj në familje, gjë që tregon se jemi ende larg kulturës së të punuarit nga shtëpia.
Në punën tonë gjatë kësaj periudhe kemi vënë re se pandemia nuk ka sjellë asnjë ndryshim në sektorin e dhënies me qira të zyrave. Korporatat e mëdha në Shqipëri nuk kanë pasur asnjë lëvizje nga ambientet ku ata ushtrojnë aktivitetet, por janë përshtatur në forma të ndryshme ku punojnë me turne apo pjesërisht punojnë në shtëpi dhe në punë, për të shmangur grumbullimet, por duke lejuar aktivitetin të jetë njësoj.
Fillimi i pandemisë dhe i metodës work from home (punë nga shtëpia) u duk interesante dhe premtuese për nga rendimenti që po jepte, pasi tek ato biznese që e kishin të mundur ta aplikonin këtë mënyrë të punuari, rendimenti u rrit për një kohë të shkurtër, duke qenë se mungesa e orareve bëri që njerëzit të punonin edhe overtime (jashtë orarit). Më pas u vu re që kjo nuk ishte më produktive pasi individët po ngatërronin pjesën dhe kohën e shpenzuar me dhe për familjen me pjesën e punës.
Si ka qenë dinamika sa i takon hapësirave të lira për zyra që mund të kenë dalë në treg, si pasojë e bizneseve të mbyllura nga kriza?
Ambientet e vetme tregtare që janë liruar në këtë periudhë janë ambientet e vogla komerciale, ku kryesisht zhvillohej aktivitet i kategorizuar si “biznese të vogla” apo “persona fizikë”. Nuk kemi vënë re asnjë rast të një hapësire të liruar, e cila ka qenë në dispozicion të një korporate apo me staf të madh, që ka vendosur ta mbyllë biznesin apo të lirojë ambientin.
Po ecuria e bizneseve që janë zhvendosur për hir të çmimeve më ekonomike ose hapësirave më të mëdha që ju janë dashur për të respektuar protokollet?
Në të gjithë periudhën e pandemisë nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga kompani apo biznese, si rrjedhojë e nevojës për hapësira më të mëdha. Mesa kuptojmë bizneset janë përshtatur me hapësirat që kanë pasur në dispozicion për të respektuar protokollet e distancimit social.
Si shfaqet ecuria e çmimeve në tregun e dhënies me qira të zyrave, ka pasur ulje të tyre, stanjacion apo rritje?
Tek të gjitha kontratat e qiradhënies që kemi zhvilluar në këtë periudhë nuk kemi vënë re asnjë ndryshim krahasuar me një vit më parë. Mund të themi se jemi në rastin e një stanjacioni në çmime për tregun e qiradhënies së zyrave.
A ka vazhduar tendenca drejt zyrave në godina Mix-Use apo ka ndonjë tendencë për godina biznesi, edhe pse numri i tyre mbetet i kufizuar?
Në Tiranë nuk kemi ende të zhvilluara godina ekskluzivisht për qëllim biznesi, por kemi godina me funksion të dyfishtë, pra edhe komerciale, edhe rezidenciale, kryesisht të zhvilluara nga nevoja. Pra derisa të zhvillohen godinat që po ndërtohen aktualisht nuk do kemi asnjë ndryshim në këtë sektor.
Sektori i ndërtimit është i vetmi që ka qenë aktiv me vijimin e investimeve pavarësisht krizës COVID-19, a prisni në afatshkurtër apo afatmesëm rritjen e njësive të lira të disponueshme për përdorim nga bizneset?
Me zhvillimin e mëtejshme në përfundim të godinave që po ndërtohen aktualisht presim edhe rritjen e ofertës të njësive të lira të disponueshme për përdorim nga bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.