Më 19 gusht, përfundon licenca 15-vjeçare e AMC-së, teksa kompania ka filluar procedurat për rinovimin e saj. Rastet e ngjashme në botë dhe modelet për vlerësimin e licencës së re…
Ishte gushti i vitit 2000, kur grupi me pronësi greke Cosmote bleu 85% të aksioneve të kompanisë shtetërore të telefonisë celulare AMC, për 85.6 milionë dollarë (rreth 85 milionë euro, të konvertuara sipas kursit të këmbimit në gusht 2000) me një afat licence 15-vjeçare. Në atë kohë, kompania ishte monopol në treg, me të ardhura të garantuara. Menjëherë pas privatizimit, AMC shënoi rritje të shpejtë të të ardhurave, nga 23 milionë në vitin 2000 në 90 milionë euro në 2001, sipas të dhënave të tatimeve, me një normë fitimi para taksave prej gati 40%.
Kompania vijoi rritjen e pandalshme deri në vitin 2008, kur arriti rekord në të ardhurat prej 191 milionë eurosh dhe normë rekord fitimi para taksave prej 58%, ndonëse që prej vitit 2003, në treg kishte hyrë dhe operatori tjetër, Vodafone.
Vetëm pas vitit 2008, kur konkurrenca në treg u shtua, fillimisht me hyrjen e një operatori të tretë (Eagle Mobile) dhe më pas të katërtit (Plus Communication), AMC pa një rënie të të ardhurave dhe të normave të fitimit, që gjithsesi mbetën të larta, midis 20 dhe 30%.
Në vitin 2009, Cosmote, pjesë e grupit OTE, në muajin prill 2009 mbylli blerjen e 12.58% të aksioneve të AMC nga qeveria shqiptare, për 48.2 milionë euro. Kjo përqindje u rrit sërish në 14.76% përgjatë vitit 2010, pasi Cosmote bleu edhe 2.8% të aksioneve nga punonjësit. Me këtë blerje, Cosmote e çoi pjesëmarrjen në AMC në masën 99.76% të totalit të aksioneve, duke paguar në total rreth 140 milionë euro për blerjen e 99.76% të aksioneve të AMC.
Kur kanë kaluar 15 vjet dhe tashmë AMC-së i duhet të rinovojë licencën e saj, e cila skadon më 19 gusht 2014, investimi i vitit 2000 rezulton të ketë qenë një ndër më fitimprurësit dhe me normë kthimi më të shpejtë për Cosmote. Sipas të dhënave të publikuara, ndër vite, AMC ka qenë gjatë gjithë periudhës së operimit të saj në Shqipëri një nga kompanitë më të suksesshme të grupit Cosmote, duke pasur nga treguesit më të lartë të EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) jo vetëm brenda grupit Cosmote, por edhe në raport me operatorët mobilë në rajon e më gjerë, deri në 62% në periudhën para vitit 2008.
Ligji kërkon që kompania të aplikojë 90 ditë përpara afatit të skadimit të licencës, që është 19 gushti 2014.
Të kontaktuar nga “Monitor”, lidhur me këtë çështje, burime zyrtare të AMC-së u përgjigjën se “janë disa procedura të përcaktuara nga shteti dhe ne po i ndjekim”, pa komentuar më tepër në lidhje me çmimin që presin të paguajnë për këtë rinovim.
15 vjet histori të ardhurash e fitimesh
Kur në vitin 2000, Cosmote mori pjesën më të madhe të aksioneve të AMC-së, tregu ishte i uritur për shërbime celulare, duke i mundësuar kompanisë të rritej me shpejtësi. Nga 23 milionë euro që ishte qarkullimi vjetor në atë vit, ai pothuajse u katërfishua në gati 90 milionë euro në vitin 2001, sipas të dhënave nga tatimet. Rritja vazhdoi e pandalshme (e pashqetësuar nga hyrja e operatorit të dytë Vodafone) me ritme dyshifrore deri në 2008-n, kur konkurrenca në tregun e telefonisë celulare u ashpërsua, pasi në treg hyri një operator i tretë (Eagle Mobile 2008) dhe më pas i katërti (Plus 2010) dhe nga ana tjetër, tregu filloi të maturohej e të ndiente dhe pasojat e krizës ekonomike globale. Pas këtij viti, xhiro e AMC ka shënuar rënie, duke arritur në rreth 86 milionë euro në fund të vitit 2013, sipas të dhënave të bëra publike.
AMC ka rezultuar një ndër kompanitë me normë më të lartë fitimi në vite, që ka kulmuar deri në 62% në vitin 2009, për të rënë pastaj në rreth 34% në 2013-n.
Në vlerë absolute, fitimet kumulative në 14 vjet e kanë tejkaluar me më shumë se pesë herë vlerën prej rreth 140 milionë eurosh të paguar në total për blerjen e 99.76% të aksioneve të AMC.
Si rrjedhojë, investimi i Cosmote për blerjen e AMC, rezulton të jetë nga operacionet më të suksesshme në rang botëror si operator celular, që ka prodhuar një kthyeshmëri të investimit fillestar kapital të bërë në rendin e 1000% gjatë kohës së licencës me një mesatare kthyeshmërie mbi kapitalin që vlerësohet nga “Monitor” që të jetë prej mbi 15% për secilin prej 14 viteve të licencës.
Në fund të vitit 2013, AMC kishte rreth 33% të tregut të telefonisë sipas të ardhurave
Sa vlen licenca e re?!
Është hera e parë që ndodh që licenca e një operatori të telefonisë shkon drejt përfundimit, duke e shtuar interesin për këtë proces.
Në këto kushte dhe duke pasur parasysh se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nuk ka një politikë transparente për metodën që do të përdorë për vlerësimin e vlerës së Licencës së rinovuar, është e vështirë të bësh një parashikim të saktë.
Por gjithsesi tentuam t’i përgjigjemi vetë pyetjes se sa duhet të jetë vlera e licencës së re? “Monitor” u konsultua me ekspertë të fushës, brenda e jashtë vendit, në lidhje me pyetjen “se sa do të duhet të paguajë AMC për të marrë rinovimin e licencës për brezat aktuale të frekuencave për një periudhë tjetër 15-vjeçare?”, duke u nisur edhe nga raste të ngjashme në praktikën botërore për dhënien e rinovimit të një licence ekzistuese.
Ndonëse opinionet variojnë sipas ekspertëve që “Monitor” ka kontaktuar, ka një konsensus që vlera e licencës do të mund të llogaritej në dy mënyra, duke parë transaksione të ngjashme në vende të tjera, që mund të merren referencë si për kompaninë e për tregun shqiptar edhe përmes përfitueshmërisë nga investimi të realizuar nga AMC në vitet e licencës së parë ose sipas metodës së dytë, ku vlera e licencës së AMC mund të llogaritet përmes përfitueshmërisë nga investimi që do të mund të realizojë AMC, duke u nisur nga madhësia e profitabilitetit të realizuar nga AMC në vitet e fundit dhe duke e zhveshur këtë profitabilitet nga “kontributi” i aseteve të tjera të përdorura nga kompania, për të bërë aktivitetin e duke lënë vetëm “kontributin e asetit LICENSE në të.
Është e pamundur për revistën që të publikojë modelin e plotë të aplikuar në revistë, por do të mund të themi se, nëse do të merret si model për vlerësimin e çmimit të licencës modeli i parë i përmendur këtu më lart, me një referencë te transaksioni i rinovimit të licencës së vetë kompanisë mëmë të AMC-së (që është kompania Cosmote) dhe të shikojmë koston e paguar prej saj në vitin 2001, do të mund të ndërtohej një skenar i pranueshëm për faktin se bëhet fjalë për një çmim të paguar nga vetë kompania mëmë e AMC, rezulton se një vlerë e çmimit të licencës që është në rendin e 42-48 milionë eurove duke përdorur një marzh gabimi prej + 5%).
Ndërsa nëse do të përdoret modeli i dytë i vlerësimeve të përmendura më sipër, duke marrë për bazë edhe faktin që kompania nuk do të ketë më atë ritëm rritjeje dhe fitimesh të konstatuara në licencën e parë 15-vjeçare, por një ecuri të ngjashme me atë të viteve të fundit të licencës së parë dhe duke aplikuar në trendet e pranuara nga ekspertiza në lidhje me ecurinë e tregut mobil në të ardhmen e afërt dhe duke marrë parasysh faktin që tregu ka 4 operatorë dhe konkurrenca është mjaft më e theksuar në këtë periudhë, modeli i vlerësuar jep një rezultat prej rreth 90-108 mln €. (përdoret një marzh gabimi prej rreth 10% për të lejuar një tolerancë ndaj faktit se bëhet fjalë për një periudhë mjaft të gjatë, për të cilat disa prej parakushteve edhe mund të rezultojnë të gabuara).
Pra duke u nisur nga llogaritjet e ekspertëve, vlera e çmimit që do të paguhet nga AMC për rinovimin e licencës së saj për një periudhë 15-vjeçare do të jetë në diapazonin prej 45-100 mln €.
Në kushtet kur qeveria ka presion të madh në të ardhurat fiskale, nuk do të ishte për t’u çuditur nëse do të shikonim një çmim në zonën më të lartë të vlerësimit, pasi një fleksibilitet për rritje do të ishte diçka e synuar nga ana e Ministrisë Financave, pavarësisht se këta nuk janë formalisht përgjegjës për këtë vendosje çmimi. Gjithsesi, për sa kohë nuk kemi asnjë mënyrë për të marrë vesh më tepër në lidhje me këtë shifër, si ne ashtu edhe Thesarit do të na duhet të presim datën 19 gusht për të marrë shifrën e saktë të kësaj hyrjeje në buxhet.
Vetë eksperienca e vendosjeve të çmimeve për këto raste të rinovimit të licencave për operatorët mobilë e tregon që çmimi i vendosur ka qenë tepër i lidhur me situatën fiskale të arkave të shtetit përkatës, pasi prezumohet si ngjarje e sigurt që, pavarësisht nga çmimi i vendosur për licencën, kompania që futet për rinovim të këtyre licencave, do ta paguajë çmimin e caktuar, për të vijuar biznesin e ngritur e shërbimin e klientëve që tashmë janë prej 15 vjetësh klientë të saj. Vështirë se AMC do të mund të neglizhojë si historinë e një sipërmarrjeje fitimprurëse gjatë 15 viteve të kaluara, edhe rreth 2 milionë klientë që presin të vijojnë edhe në 15 vitet e ardhshme me 068 që kanë në dorë prej vitesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.