Intervistë me z.Dimitris Blatsios, Drejtor Ekzekutiv i AMC
Si e vlerësoni performancën e tregut të telekomunikacionit gjatë 2011-s? Të dhënat tregojnë rënie me 3.5% të të ardhurave vjetore.
Pse ka ndodhur rënia?
Gjatë vitit të kaluar pati disa zhvillime në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Lojtarët e tregut – jo vetëm operatorët celularë – e shtuan ndërgjegjësimin si për sa u përket shitjeve dhe ofertave,
ashtu edhe investimeve, shërbimeve të ofruara, diversifikimit të produkteve etj. Është e vërtetë që konkurrenca është rritur, por nga ana tjetër, mjedisi i përgjithshëm ekonomik ka qenë tepër i pafavorshëm.
E gjithë Eurozona po kalon vështirësi dhe asnjë vend apo industri nuk është e imunizuar nga realiteti. Shqipëria, duam apo s’duam, është e lidhur ngushtë me dy nga ekonomitë më të trazuara të Europës,
me Greqinë dhe Italinë. Atje ndodhet numri më i madh i emigrantëve shqiptarë; gjithashtu në këto shtete dërgohen rreth 80% e eksporteve shqiptare. Pra sektori i telekomunikacionit është prekur rëndë,
ashtu si dhe industri të tjera, që po hasin vështirësi të mëdha. Një arsye tjetër që solli humbje të konsiderueshme të ardhurash për operatorët celularë dhe fiks ishte qasja e tarifave të terminimit në rrjetin celular (kombëtare dhe ndërkombëtare).
Ndërkohë për të pasur një përllogaritje të saktë, kërkohen studime të mirëfillta që marrin parasysh aspekte të ndryshme të tregut, veçanërisht kur shumë prej operatorëve nuk i publikojnë shifrat financiare.
Si ka ecur kompania juaj gjatë 2011-s, në një mjedis me rënie të tregut dhe shtim të konkurrencës?
Ne, duke marrë parasysh faktorët e mësipërm dhe duke parashikuar rënien e industrisë, u përqendruam te rigrupimi dhe racionalizimi i operacioneve tona në të gjitha segmentet e kompanisë,
duke filluar nga teknologjia, produktet dhe shërbimet, komunikimi dhe përmirësimi i procedurave. AMC shënoi një sërë zhvillimesh dhe arritjesh në vitin 2011.
Morëm licencën e dytë 3G dhe në kohë rekord, vetëm në pak muaj, ofruam aksesin më të shpejtë celular në internet në mbi 70% të territorit dhe mbi 90% të popullsisë së vendit.
Kur them më i shpejti, nënkuptoj se kemi bërë investime madhore dhe përmirësime moderne teknologjike për t’ia arritur qëllimit. Kështu kapëm standardin HSPA+ (akses i evoluar, me shpejtësi të madhe).
Megjithatë duhen vënë në dispozicion kapacitete të konsiderueshme financiare, teknologjike dhe njerëzore për të ofruar cilësinë dhe përvojën e lidhjeve pa kufi nëpërmjet celularit.
Çmimet mund të negociohen lehtë, kurse cilësia nuk negociohet asnjëherë! Sipas kësaj filozofie, po sjellim një numër produktesh unike me 3G, me qëllim që të ofrojmë mundësinë dhe mjetet përkatëse.
Njëkohësisht vendosëm të zhvillojmë shërbimin e telefonisë fikse, duke pasur parasysh performancën e dobët dhe përhapjen e këtij shërbimi. Kishte ardhur koha të sillnim teknologji të reja
dhe shërbim me cilësi të lartë dhe tarifa të leverdisshme për abonentët. Ndaj ne hodhëm në treg “AMC Fiks”, i cili u shpall “Produkti i vitit” në telekomunikacion, nga Forumi i Tretë i Telekomit InfoCom.
Ne kemi investuar edhe në rrjetin tonë të dyqaneve. Abonentëve dhe gjithkujt që vjen në dyqanet tona u shërbehet në mjediset e telefonisë celulare më moderne në vend dhe më të mira se në shumë shtete të Europës Perëndimore.
Modeli i ri i dyqaneve tona është pritur mjaft mirë. Kemi në plan të investojmë dhe, brenda vitit 2012, të rinovojmë të gjitha pikat tona të shitjeve. Duam që abonentët tanë të provojnë të njëjtën përvojë të shkëlqyer në të gjithë Shqipërinë.
Si pozicionohet kompania juaj në garën e bartjes së numrit?
Bartja e numrit është proces, nuk është ngjarje që ndodh një herë, as ka afat të caktuar. Mund ta quajmë fare mirë garë, por mjedisi ku zhvillohet dhe
vija e finishit ndryshojnë vazhdimisht drejt përparimeve dhe transformimeve të reja. Në rastin e Shqipërisë ky proces është në fazë të hershme.
Nuk duhet harruar se ky proces është veç një pjesë e mozaikut të madh, megjithatë mund të pohoj me bindje se, pas 10 muajsh të bartjes së numrit, rezultatet janë tepër të parëndësishme.
Këtë mundësi e kanë shfrytëzuar vetëm disa mijëra abonentët (nga 4.5 milionë gjithsej). Nëse marrim parasysh edhe efektin final, këto shifra e humbin krejtësisht rëndësinë.
Cilat janë planet e kompanisë suaj për 2012-n? Ku do të përqendrohet strategjia juaj konkurruese?
AMC do të jetë më dinamike, më e hapur, më rinore dhe më e qëndrueshme; jo vetëm për sa i përket imazhit. Këto nuk janë zhvillime në perceptim,
por vlerat që mbështesim dhe të cilat do përpiqemi t’i konkretizojmë gjatë këtij viti. Përqendrimi i investimeve tona në teknologji, burime njerëzore, produkte novatore dhe komunikim do të shohë ndryshime thelbësore.
Duhet të kemi parasysh disa çështje reale. Kompanitë e mëdha, nga natyra e industrisë dhe peshës specifike të tyre, janë të prirura të lëvizin ngadalë dhe të ndryshojnë me ritme më të ulëta, por më të qëndrueshme, sesa kompanitë e vogla.
Kjo sfidë ka ekzistuar, ekziston sot dhe do të ekzistojë përherë në botë. Bota e sotme karakterizohet nga shpikjet, globalizimi dixhital dhe realitete të reja.
Çështjet lokale do të jenë gjithmonë të pranishme, megjithatë moria e sfidave është globale. Nuk ka rëndësi nëse një operator i tregut të telekomunikacionit e ushtron aktivitetin në SHBA,
Europë apo Shqipëri. Konformizmi dhe plogështia, në realitetin e ethshëm të sotëm, janë forca që çojnë në stanjacion. Ndaj ne zhvillojmë vazhdimisht teknologji, produkte dhe shërbime të reja,
që ndikojnë drejtpërdrejt tek abonentët dhe te shoqëria shqiptare në përgjithësi. Ne po përshtatemi me realitetin e ri.
AMC do të çojë më tej edhe programet që mbështesin ndryshimet pozitive në shoqëri, duke u përqendruar te ndihmesa për komunitetet.
E gjithë kjo do të thotë investime në shumë aspekte. Investimet do të jenë të goditura, frytdhënëse dhe me ndikim. Këtë do ta shihni gjatë këtij viti dhe në vitet në vazhdim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.