Përjashtimet nga TVSH nuk sjellin uljen e çmimeve, deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ndërsa shtoi se u provua një vit më parë me biznesin e vogël por pa rezultat.
Nga ana tjëtër deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku propozoi sot në Parlament amendamentin për ligjin e TVSH-së ku kërkon uljen e saj nga 20% në 6%, masë nga e cila do të përfitonin 659 mijë individë.
“Janë 3.2 miliardë lekë që shkojnë për mbështetjen e fermerëve. Përjashtimet nga TVSH-ja nuk janë përkthyer në uljen e çmimeve. Ne hoqëm TVSH-në për biznesin e vogël vjet ndërkohë çmimet nuk u ulën. Të gjitha furrat e bukës janë brenda kësaj kategorie, a ul çmimi i bukës? Jo. Ne kemi formuar bindjen se përjashtimi nga TVSH nuk arrijnë në benifite për qytetarët, por patjetër që duhen ndihmuar bizneset. Kompensimi i vlerës i 6% i TVSH nuk ka arritur te fermërët. Të reduktojnë përjashtime dhe të krijojmë të ardhura dhe të shkojnë te sektorët prioritare, siç po e bëjmë këtë. Përjashtimet në bujqësi nuk kanë dhënë efektin e duhur në uljen e çmimit. Për Imputet bujqësore prapë norma do të jetë e reduktuar, pasi është 10% dhe jo 20%”, tha Ibrahimaj.
“Të nderuar fermerë që keni protestuar me dinjitet, megjithëse sillni propozime kurrë nuk jeni dëgjuar. Unë jam këtu për të propozuar një amendament për TVSH-në. Unë nuk besoj se situata mund të korrigjohet, por duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të shportës, PD gjykoi propozimin për uljen e TVSH-së nga 20 në 6%. PD kërkoi dy muaj më parë interpelancë. Ka një tendencë për rritje çmimesh edhe te produktet e tjera, jo vetëm të shportës. Masa për TVSH-në do të kishte ndikim te 659 mijë individë”, tha Tabaku.
Para nisjes së seancës plenare fermerët e Lushnjës kanë protestuar para Parlamentit kundër paketës së re fiskale. Kryeministri Rama zhvilloi një takim me fermerët, në përfundim të të cilit u vendos së të dyja palët do të ulen e diskutojnë për zgjidhje.
“Kryeministri na ka premtuar se do të takohemi në vazhdim. Nëse ulen me ne mendojmë se do të arrijmë diçka. Mendojmë se qeveria nuk e njeh gjendjen reale të fermerëve. 30% e fermerëve nuk kanë porositur për të mbjellë, sepse kanë 3 sezone që dështojnë. Ramë dakord që cilësia e imputeve bujqësore është e pa garantuar. Në rast se ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin në konsideratë problemet tona, mund të zgjedhim diçka. Ne kemi një traditë se na thërrasin për të dëgjuar dhe thonë si punohet. Kur thërret për të dëgjuar duhet të dëgjosh. Megjithatë kryeministri pranoi këndvështrimin tonë. Ramë dakord që të ulemi dhe të diskutojmë”, tha kreu i sindikatës.
“Unë do të jem në dispozicion për ta bërë më të mirën me mundësitë që kemi. Siç ishte nuk qëndron. Pra, të mbarojmë sot këtë punë, ulemi dhe flasim për pjesën tjetër. Do të takohemi tek zyra ime në kryeministri se me shifra duhet të matesh, të përgatitesh mirë”, dekaroi kryeministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.