Aleatët e Amerikës duhet të ndajnë barrën me Joe Biden. Administrata e Biden ka nevojë për ndihmë nga miqtë e jashtëm
Në pjesën më të madhe të botës dhe sidomos për aleatët e Amerikës, fitorja e Joe Biden qe një lehtësim i madh, shkruan The Economist. Gjatë presidencës së tij nuk do të ketë më ngacmime dhe kërcënime për t’u larguar nga NATO.
Amerika nuk do ta trajtojë më Bashkimin Europian si një “armik” në tregti, ose forcat e vendosura në Korenë e Jugut, si një mbrojtje e kotë. Në vend të retorikës shkatërruese të Donald Trump, zoti Biden do të ofrojë një dorë ndihme, duke bashkëpunuar në krizat globale, nga koronavirusi te ndryshimi i klimës.
Nën drejtimin e Trump, opinioni publik në favor të Amerikës në shumë vende aleate, ra në nivele të ulëta. Zoti Biden premton ta bëjë Amerikën përsëri një fener, një kampione e vlerave të larta dhe një mbrojtëse e të drejtave të njeriut, duke udhëhequr (siç tha ai në fjalimin e pranimit) “jo vetëm për nga shembulli i fuqisë sonë, por nga fuqia e shembullit tonë”.
Aleatët janë të rëndësishëm në vizionin e zotit Biden. Ai i sheh ata me të drejtë si një shumëzues të ndikimit amerikan, duke e kthyer një vend me një të katërtën e PBB-së globale, në një forcë me më shumë se dyfishin e këtij niveli. Ai është gjithashtu një multilateralist nga instinkti. Që në ditën e parë në detyrë, ai do të bashkohet sërish me Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimin e klimës, nga e cila Amerika u largua zyrtarisht më 4 nëntor.
Ndryshe nga zoti Trump, ai beson se është më mirë të udhëheqësh Organizatën Botërore të Shëndetësisë sesa ta lësh atë. Ai do të rivendosë kontrollin e armëve, një përparësi që kërkon të sigurojë që New Start, pakti i fundit bërthamor me Rusinë, të shtrihet përtej 5 shkurtit. Biden gjithashtu kërkon të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën zoti Trump e hodhi poshtë, nëse arrin t’i bindë iranianët të bien dakord për t’u rikthyer.
Në mënyrë të pashmangshme, miqtë e Amerikës kanë një listë të gjatë të gjërave që shpresojnë të arrijnë teksa SHBA ripërqafon lidershipin global. Kërkesat shtrihen nga vendet dhe organizatat që zoti Trump ka abuzuar, si OKB dhe aleatët si Gjermania, në pjesë të botës që ai ka injoruar, si pjesa më e madhe e Afrikës. Megjithatë, ky nuk do të jetë aspak një udhëtim i qetë. Jo të gjitha shtetet janë nostalgjike për një kthim në politikat e epokës Obama, kur Amerika “udhëhoqi nga prapa” dhe mjegulloi vijat e kuqe.
Disa vende në vijën e parë të NATO-s me Rusinë, e pëlqejnë stilin e ri të mbrojtjes së zotit Trump. Dhe aleatët aziatikë e miratojnë mënyrën sesi zoti Trump është përballur me Kinën, ka folur për një “Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur” dhe ka punuar mbi dialogun e sigurisë “Quad” me Australinë, Indinë dhe Japoninë. Zoti Biden duhet të provojë se ai nuk do të ndjekë një qasje të butë.
Prioritetet do të jenë frenimi i virusit dhe përmirësimi i ekonomisë. Në të dyja çështjet, ai pritet të ketë pak mbështetje dhe shumë kundërveprime, nëse Senati është nën kontrollin e republikanëve, siç ka të ngjarë të ndodhë. Probleme të tilla brenda vendit ndoshta e kanë theksuar edhe më shumë ngurrimin e vendit për të marrë më tepër barra të huaja. Kush mund të jetë i sigurt se xheksonianët nacionalistë nuk do të vijnë me galop në vitin 2024, ndoshta edhe me zotin Trump në krye?
Kështu që në vend të grumbullojnë kërkesa, aleatët e Amerikës duhet të tregojnë se kanë mësuar të kryejnë, siç duhet, rolin që u takon. Partnerët e NATO-s, për shembull, nuk duhet t’i ulin shpenzimet e mbrojtjes vetëm sepse zoti Trump nuk do të jetë më aty për t’i ngacmuar. Gjermania duhet t’u kushtojë vëmendje përpjekjeve franceze për të ndërtuar kapacitetin europian të mbrojtjes – ka hapësirë për ta realizuar këtë pa dëmtuar NATO-n.
Europianët mund t’i japin një dorë më të madhe Francës në Sahel. Në Azi, dialogu mund të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin detar dhe bashkëpunime të tjera. Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të zgjidhin konfliktet mes tyre. Tajvani duhet të japë një kontribut më serioz në mbrojtjen e vet.
Aleatët gjithashtu duhet të punojnë me Amerikën për të rregulluar rendin ndërkombëtar. Ata mund të mbështesin përpjekjet për t’i rezistuar thyerjes së rregullave nga pala kineze ose ruse. Shumë vende do të duan t’i bashkohen përpjekjeve të zotit Biden për uljen e emetimeve të karbonit.
Zoti Biden do të përballet me një botë me probleme, por ai gjithashtu do të zotërojë pika të forta. Falë zotit Trump, ai ka sanksione ndaj kundërshtarëve duke përfshirë Iranin dhe Venezuelën, që mund t’i përdorë si mjete negocimi. Dhe midis miqve, ai mund të kërkojë një angazhim të rinovuar amerikan për ndarjen më të barabartë të barrës. Aleatët do të tregohen të mençur nëse i përgjigjen kësaj thirrjeje me entuziazëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.