Një tjetër fond pensionesh pritet të shtohet në vend, pas “Sigal pensions”, “Raiffeisen pensions” dhe “Credins pensions”, duke e çuar numrin e tyre në 4.
Ditën e premte, datë 22.11.2019, ora 12:00, do të zhvillohet mbledhja e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ku do të vendoset mbi licencimin e shoqërisë “Albsig Invest – shoqëri administruese e fondeve të pensionit dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive” sh.a. dhe “Për miratimin e “Fondit të pensionit vullnetar Albsig”. Pak kohë më parë AMF licensoi edhe shoqërinë e sigrimit Albsig jetë duke e çuar në 4 numrin e shoqërive të sigurimit të jetës.
Çështje të tjera të rendit të ditës përfshijnë miratimin e elementeve dhe kushteve të përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm në ndërtim, miratimin e ndryshimit të statutit të shoqërisë së sigurimit “Albsig Jetë” sh.a., licencimin e shoqërisë për ushtrimin e veprimtarisë së vlerësuesit të dëmeve në sigurime” si dhe miratimin e shoqërisë audituese për auditimin e pasqyrave financiare të SHAFP e SIK “Raiffeisen Invest” sh.a., si dhe fondeve të pensionit dhe të investimit që administrohen prej saj, për vitet financiare 2019 dhe 2020”;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.