Në një reagim të posaçëm për “Monitor”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, pohoi se mbikëqyr dhe monitoron subjektet e licencuara nga AMF për të vepruar në tregjet nën mbikëqyrje. Të gjitha subjektet e tjera, të cilat ushtrojnë pa licencë veprimtari, për të cilat nevojitet licencë/miratim nga Autoriteti, kryejnë veprimtari të paligjshme. Në këto kushte, subjektet e palicencuara, të cilat veprojnë në shkelje të ligjit nuk janë nën juridiksionin e AMF-së, dhe për këtë arsye nuk janë subjekt i monitorimit dhe mbikëqyrjes nga ana e Autoritetit, thuhet në reagim. “Ushtrimi i palicencuar i veprimtarive të rregulluara dhe mbikëqyrura nga AMF i nënshtrohet zbatimit të legjislacionit penal”, sqaron AMF.
Duke u bazuar në misionin e tij të mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti ka vënë theksin te ndërgjegjësimi i publikut për rreziqet që mbart investimi në platformat online dhe marrja e shërbimeve financiare nga subjekte të palicencuara.
Në lidhje me këtë, në faqen zyrtare të AMF është vënë njoftimi “Investitorë Kujdes”, me qëllim që publiku të sigurohet para çdo investimi se ofrimi i shërbimeve financiare vjen nga shoqëri të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në çdo rast, çdo i interesuar duhet të konsultojë faqen zyrtare të AMF-së në të cilën gjendet një listë e plotë e këtyre subjekteve për të gjitha tregjet në mbikëqyrje.
Gjithashtu, në mbledhjen e janarit 2016, Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar mori në shqyrtim çështjen e platformave online, dhe në përfundim doli me deklaratë në shtyp (publikuar në faqen e Bankës se Shqipërisë dhe të AMF). Kjo me synim ndërgjegjësimin e publikut se një veprimtari e palicencuar dhe e pambikëqyrur, i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha.
Zyrtarë të lartë të AMF kanë shpjeguar, gjithashtu, në media rreziqet që mbart investimi në platformat online.
Ndërkohë, përmirësimi i rregullave mbi licencimin dhe raportimin e subjekteve që operojnë në këtë fushë ka qenë në fokus të punës së AMF-së. Autoriteti, nëpërmjet vendosjes së rregullave, ka kërkuar që subjekti i licencuar në njoftimet publike apo reklamat e publikuara në mjetet e komunikimit në masë dhe në mjetet e komunikimit elektronik të deklarojë dukshëm rrezikun që mbart tregtimi në platformat online.
Bazuar në informacionin në dispozicion dhe në përmbushje të misionit të tij rregullator dhe mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është në ndjekje të situatës.
Bursat online, të palicencuara, kërcënimi i ri
Me dhjetëra skema me leje dhe pa leje kanë nisur të grumbullojnë kursimet e shqiptarëve për t’i investuar në bursat jashtë vendit. Institucionet mbikëqyrëse të tregut, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë zënë në befasi. Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim. Kompanitë që ndërmjetësojnë investimet në bursa dy vitet e fundit janë shtuar shumë. Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre.
Të shumtë janë ata që gjatë këtij viti kanë marrë më shumë se një telefonatë, ku ftohen të investojnë para në bursë. “Nëse investon 2000 euro, nëpërmjet nesh kjo shumë mund të shumëfishohet shumë shpejt”. Operatorët, që janë shumë këmbëngulës përtej telefonit, nganjëherë dhe dhunues të privatësisë deri në limit, po çojnë shqiptarët drejt një tregu jo shumë të njohur dhe të rrezikshëm për momentin.
Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk, shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.
Institucionet financiare në vend, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të autorizuar me ligj për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut financiar janë në dijeni të fenomenit. Madje jo zyrtarisht pohojnë se, këto skema janë të rrezikshme dhe duhen frenuar. Në mos duhen frenuar, më së shumti duhen licencuar, kontrolluar dhe mbikëqyrur.
Shoqëritë e brokerimit (afërisht 10 të tilla) që po ndërmjetësojnë investimin e depozitave të shqiptarëve në bursa janë shtuar shumë, por vetëm tre të tilla kanë leje, Aksioner International Securites Brokerage sh.a., Stock International Albania dhe Platinium Investment që ka marrë licencë si institucion financiar jo bankë nga Banka e Shqipërisë dhe dy të parat kanë marrë leje nga AMF, si shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen, askush nuk mban përgjegjësi.
Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara.
Kompanitë pa licencë, marketing agresiv
FXlider, për shumë kohë, zhvilloi një fushatë agresive publicitare të të gjitha formave në tregun shqiptar, pavarësisht se, kompania nuk ka leje operimi në Shqipëri as nga Banka e Shqipërisë dhe as nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të ndërmjetësuar investimin e kursimeve të shqiptarëve në bursa. Edhe sot, nëse hap një faqe çfarëdo në internet, të del në mes të faqes reklama e FXlider, që të premton fitime nga veprimet me kursin e këmbimit.
FXlider, nga zyrat e Beogradit, oferton aktualisht edhe për tregun shqiptar.
“Pavarësisht nëse çmimi shkon lart ose poshtë, duke kapur pozicionin e duhur në tregun Forex, monedha, mallra, CFD, indekse ose aksione, ju mund të fitoni para. Merrni përparësitë e tregut më të madh – levës financiare ku investimet tuaja për tregtim kthehen nga 100 euro në 20,000 euro”, bën të ditur FXlider në sitin e saj.
Duke i orientuar investitorët drejt blerjeve të arit, aksioneve të naftës, grurit, pambukut dhe aksionet e Google dhe Apple, nuk sqarohet nëse shanset për humbje janë të njëjta me fitimet. Kujtdo që i rastis të vizitojë këtë faqe, joshja është e madhe. Më tej, kompania vijon në ëeb-in e saj: “Me platformën tonë, investuesit gjejnë mënyrën më të mirë për të tregtuar aksione, monedha dhe mallra. Për shkak të krizës ekonomike globale në vitin 2008, tregtimi në mallra është rritur, çmimi i arit u rrit, vaji është forcuar në fillim të vitit 2009, gruri, pambuku dhe mallra të tjera bujqësore kanë arritur vlerën e tyre maksimale”.
Por pas entuziazmit të fitores ka edhe skepticizëm. Një nga kompanitë më të mëdha të kësaj linje në Shqipëri i numëron vetëm disa dhjetëra klientë. Por ky është një biznes në fillesa, që më tepër është në fazën e edukimit të publikut me tregun e aksioneve se sa për të nxjerrë përfitime. Por duket se themelet e para po vihen, por në tokë ranishte. Mungesa e ligjshmërisë me të cilën po lulëzon biznesi i ri i minibursave vetëm sa shton panikun për rikthimin e piramidave në një formë ndryshe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.