Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të regjistrojë këtë muaj fondin e dytë të investimeve alternative.
Ky institucion njoftoi të premten se në mbledhjen e datës 29 dhjetor të këtij viti do të shqyrtojë projektvendimin “Mbi regjistrimin e shoqërisë komandite “Green View Alternative Investment Fund”, si fond investimesh alternative ofruar vetëm për klientët profesionistë dhe të kualifikuar”. Fondi në fjalë ka formën e shoqërisë komandite dhe zotërohet në masën 98.49% nga Banka Credins dhe në masën 1.51% nga individi Arjan Hana. “Green View Alternative Investment Fund” do të bëhet fondi i dytë i këtij lloji në Shqipëri, pas “Sea Land Investment Fund”, që u regjistruar zyrtarisht nga AMF në mars të këtij viti. Edhe kjo shoqëri zotërohet në pjesën më të madhe nga Banka Credins, me 99.14% të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur i takon aksionerit individ Renis Tershana.
Ligji i ri “Për sipërmarrjen e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në Qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Ligji përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj. Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.
Këto fonde krijojnë mundësi për diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri dhe japin më shumë alternativa për investitorët profesionistë.
Deri tani, në Shqipëri kanë vepruar vetëm shoqëri që ofrojnë fonde investimi në instrumente financiare. Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive ka aktualisht pesë shoqëri administruese dhe 11 fonde investimi të licencuara.
Mbështetur në statistikat e AMF, në fund të vitit 2020, në fund të tremujorit të tretë 2021 asetet neto të tregut arritën vlerën e 75 miliardë lekëve ose rreth 615 milionë euro. Që nga fillimi i vitit, asetet e tregut janë zgjeruar me 11.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë tregu është rritur me 12.2. Numri i anëtarëve në fondet e investimit arriti në më shumë se 38 mijë, me një rritje prej 16.4% që nga fillimi i vitit dhe 21.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.