Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) i ka hapur rrugën shpërndarjes së fitimeve të kompanive të sigurimit për vitin 2019.
Në fund të muajit prill, Bordi Drejtues i AMF vendosi që kufizimi për shpërndarjen e fitimeve të kompanive të sigurimit të shtrihet vetëm për fitimet e realizuara gjatë vitit 2020. Vendimi i prillit të vitit 2020, që ndalonte shpërndarjen e fitimeve nga periudhat e mëparshme është shfuqizuar.
Mbështetur në statistikat e AMF-së, për vitin 2019 kompanitë e sigurimit në Shqipëri realizuan një fitim neto në vlerën e 843 milionë lekëve, ose rreth 6.8 milionë eurove. Pjesa më e madhe e fitimit, rreth 678 milionë lekë i takon kompanive të sigurimit të jo-jetës, ndërsa 165 milionë lekë janë fitime neto të tre kompanive të sigurimit të jetës.
Në analizën e vet, AMF shprehet se gjatë monitorimit të zhvillimeve në tregun e sigurimeve për vitin 2020 konstatoi se tregu ka arritur të përballojë situatën e vështirë të krijuar nga pandemia Covid-19 dhe paraqitet i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar. Gjithsesi, me qëllim ruajtjen e nivelit të likuiditetit dhe treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, për shkak se kohëzgjatja e pandemisë Covid-19 është e vështirë të parashikohet, konsiderohet i nevojshëm pezullimi i shpërndarjes së fitimit të vitit 2020, duke lejuar shpërndarjen e fitimit të vitit 2019.
Sipas vendimit, shoqëritë e sigurimit duhet të pezullojnë shpërndarjen e fitimit të vitit 2020, në formën e dividendëve, të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara
në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë apo punonjësve të tjerë. Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit duhet të marrin masa dhe të zbatojnë një qasje konservative në lidhje me bonuset dhe shpërblimet. Tregu i sigurimeve u prek ndjeshëm vitin e kaluar nga pandemia, sidomos te produktet e lidhrua me lëvizjet ndërkufitare të shtetasve dhe mjeteve.
Numri i kontratave të sigurimit pësoi rënie me 29%. Megjithatë, në vlerën e primeve të shkruara bruto rënia ishte ndjeshëm më e kufizuar, me 5.7%. Treguesit financiarë të tregut të sigurimeve për vitin e plotë financiar 2020 nuk janë ende të disponueshëm, por deri në fund të 9-mujorit rezultati i tregut ishte fitimprurës në vlera më të larta krahasuar me vitin e plotë 2019. Për 9-mujorin 2020, fitimi neto i kompanive të sigurimit ishte rreth 1.2 miliardë lekë, nga të cilat 1.04 miliardë lekë i takonin kompanive të sigurimit të jo-jetës dhe 160 milionë lekë kompanive të sigurimit të jetës. Megjithë rritjen e ndjeshme të dëmeve për shkak të tërmeteve të vitit 2019, fatura e tyre u pagua kryesisht nga risiguruesit, pa rënduar shumë bilancet e shoqërive shqiptare të sigurimit. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.